Letërsi

Dëshmitar kam Zotin…

15384555_1259354030801890_3906072043335518362_o

Botimet Pegi e mbyllin vitin 2016 me një kryevepër të letërsisë greke “Dëshmitar kam Zotin”, nga autori Makis Citas, një vështrim ironik mbi sëmundjet e mëdha të shekullit XXI.

  

“Dëshmitar kam Zotin” është monologu kaotik dhe qesharak i një antiheroi, një burri në moshë të mesme, i cili ka humbur punën dhe ka probleme shëndetësore. Thellësisht fetar, emocionalisht i papjekur dhe naiv, Krisovalandi e mendon veten pre të punëdhënësve të ligj, femrave të pacipa dhe mizorisë së vetë familjes së tij. Ai është si një lëmsh i madh kundërshtish, një mizogjin që adhuron femrat, një krijesë e ndrojtur që i ka zët të huajt, një çunak i llastuar që kërkon të bëhet burrë dhe një hero tragjik me një ndjenjë të hollë humori. Mentaliteti i tij i ndrydhur e paragjykues bëhet pasqyra e deformuar dhe deformuese e një shoqërie të egër dhe cinike që, me gjithë tolerancën dhe pasurinë sipërfaqësore, po mbytet në dekadencë, intolerancë dhe racizëm. Emigrantët shqiptarë në Greqi janë një ndër strumbullarët kryesorë të ksenofobisë të pandërgjegjshme të Krisovalandit; zëri i tij hedh një dritë të zbehtë mbi pasigurinë dhe frikën që ka pështjelluar një pjesë të kombit fqinj, por edhe të kombeve të tjera. Koha jonë po bëhet dëshmitare e një vale të re ekstremizmash ideologjikë, të cilët, të mbështetur nga padija, dogma apo propaganda, po ndikojnë gjithmonë e më shumë jo vetëm diskursin politik, por drejtpërsëdrejti në jetët e njerëzve. Ky roman nxjerr në pah, me një ironi të hollë, por edhe me  dhembshuri, origjinën e këtij mentaliteti të ri e megjithatë tepër të plakur, i cili po gërryen nga brenda themelet ideologjike të shoqërive perëndimore. Si një nga librat më të vlerësuar në Greqi, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, libri i Makis Citas, “Dëshmitar kam Zotin”, është një portret gazmor dhe ngacmues i sëmundjeve dhe kontradiktave të shoqërisë moderne. Libri vjen me përkthimin e mrekullueshëm të Romeo Çollakut, një dhuratë e bukur për festat e fundvitit.

admin

Artikujt e tjetrë