Arte Pamore

Të gjitha “shijet” në ekspozitë

Gastronomia është një art i kompozicionit të ushqimit, art i prezantimit dhe shijes, një “kënd”  i veçantë për një të pasionuar pas shijes si fotografja Layla Barak.

 

 Thonë se dashuria vjen nga stomaku dhe këtë ata, që e kanë pasion ushqimin e kuptojnë më së miri. Këtu bënë pjesë edhe Layla Barak, fotografja franceze që jeton në Prishtinë. Para pak kohësh në bashkëpunim me Aleancën Franceze në Prishtinë, ajo hapi ekspozitën “Gastronomia kosovare”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gastronomisë Franceze. Një ekspozitë në të cilën ishin prezantuar fotografi bardh e zi të realizuara me mjaft mjeshtëri ku paraqiteshin ushqimet tona tradicionale në pozicione dhe forma të ndryshme. “Përzgjedhja e fotografive është bërë në numër të vogël pasi që ka shumë ushqime tradicionale kosovare, që nuk mund t’i quajmë vetëm tradicionale. Ato i gjejmë në restorante dhe vende të ndryshme. Janë gjithsej 20 fotografi bardhe zi, me vetëm ushqime dhe pije, që vendosëm të prezantojmë në këtë ekspozitë “, – tregon Layla.

Ndërsa ideja dhe realizimi i fotove është një proces me vete, i cili kërkon angazhim maksimal dhe planifikim më të detajuar. Dhe duke qenë se gastronomia është një art i kompozicionit të ushqimit, art i prezantimit dhe shijes, sipas Laylas është gjithashtu art i rishpikjes së recetës. “Ideja ishte të prezantohet gastronomia kosovare në  thjeshtësinë e saj dhe prodhimi i shumicës së produkteve është  një traditë e ruajtur shumë mirë, që kërkon shumë punë në përgatitje si për shembull flija. Përbërësit themelor nuk kanë ndryshuar ndër vite, por procedura deri tek produkti final është një mënyrë e gjatë pasioni. Ndërsa realizimi i fotografisë pa përbërësit e tjerë, por vetëm i produktit final,  ishte një dëshirë për të treguar bukurinë e thjeshtë dhe komplekse të gastronomisë kosovare.”- është shprehur Layla.

_mg_7236_3

Ajo jeton në Prishtinë, që nga viti 2003 dhe më herët kishte vizituar Kosovën, por dëshira për ndryshim dhe vet ndryshimi, që kanë dy shtetet Zvicra (vendlindja e saj) dhe Kosova, ishte një prej arsyeve, që fotografja e “zhvendosi” jetën dhe karrierën e saj këtu. “Nuk është e lehtë për shumë nga njerëzit këtu, që ta kuptojnë vendimin tim, por sot e di pse. Pasi unë vi nga një vend ku shumica e gjërave janë të rregullta, rutina është fuqishëm e ankoruar në çdo ditë dhe tek secili person. Unë vendosa të dal nga zona ime e komfortit dhe të ballafaqohem me sfida të tjera. Është e vështirë, por ia vlenë.”

Megjithë ndryshimet dhe sfidat, që secili has kur bëhet pjesë e një “bote” tjetër, Layla ka arritur ta gjejë veten shumë mirë dhe atë e shohim nëpër evente të ndryshme kulturore, që zhvillohen në vend. Layla thotë se shumë rrallë ekziston ndonjë ekspozitë, që e ka të planifikuar më herët, të paktën në situatë e saj. “Deri tani të gjitha ekspozitat që kam pasur, kanë qenë si rrjedhoje e një punë të gjatë apo e komisionit. Ndërsa për momentin jam duke punuar në disa projekte dhe le të mbetet të shohim se çfarë do të bëhet në të ardhmen.” Ndërsa sa i përket ushqimit, ajo tregon se është një admiruese e tij e në veçanti ushqimit tonë tradicional, ndërsa nuk ka ndonjë pjatë të preferuar derisa një e tillë është e shijshme.

_mg_7459

_mg_7368

_mg_7829

 

admin

Artikujt e tjetrë