Lifestyle

Sekretet e një diete

Enkeleida Ferrollari, dietologia e mirënjohur, në një intervistë për mënyrën sesi duhet të ushqehemi, cila është dieta më e shëndetshme dhe sa të  të kujdesshëm jemi në atë çfarë konsumojmë?

 

Foto: Manila Harizi

 Së pari na flisni pak për veten tuaj, kur keni filluar të interesoheni për këtë profesion?

Unë kam studiuar në fakultetin e Shkencave të Natyrës në degën Biologji-Kimi. Më pas kam kryer një master Ndërkombëtar Për Dietologji dhe Nutricion pra Universitetit Politeknik të Markeve  në Itali. Që prej 10 vitesh administroj Qendrën Dietetike Silhouette ku unë ushtroj edhe profesionin e dietologes. Gjatë këtyre 10 viteve në qendrën tonë janë trajtuar shumë klientë me probleme të ndryshme, mbipeshe, obeziteti, nënpeshe, por edhe me probleme të ndryshme shëndetësore, si diabeti, probleme të aparatit tretës, probleme të yndyrnave të larta në gjak, probleme të hipertensionit, etj. Mund të them që personat që i janë nënshtruar trajtimit pranë qendrës tonë kanë patur rezultate shumë të mira dhe kanë korrigjuar jo vetëm problemet e peshës, por edhe të patologjive të ndryshme.

 Cili është sekreti për të mbajtur një dietë të shëndetshme?

Të mbash një dietë të shëndetshme nuk është vështirësi e madhe.  Një dietë e shëndetshme është një mënyrë e rregullt të ngrëni, dmth me vakte të rregullta, të shpeshta dhe të vogla. Një dietë e shëndetshme nuk konsiston në eliminim ushqimesh, por konsumin e të gjitha ushqimeve të të gjitha grupeve ushqimore, karbohidratet, proteinat, yndyrnat, sipas raporteve të shëndetshme. Konsumi i të gjitha ushqimeve e bën më të lehtë dhe më të këndshme ndjekjen e një diete të shëndetshme. Ndjekja e një diete të shëndetshme nuk të krijon stres me ushqimin, nuk të privon nga shija dhe kënaqësia e ushqimit.

Cilat janë gabimet kryesore që bëjnë zakonisht njerëzit bëjnë kur janë në dietë?

Së pari zgjedhja e dietës është shumë e rëndësishme. Nëse nuk zgjedhim dietën e duhur jemi të destinuar të dështojmë. Nëse zgjedhim dieta të pakontrolluar, të njëanshme, dieta na bëhet stresante, monotone dhe pa rezultate. Një dietë e tillë na bën të dështojmë shpejtë pa ia arritur qëllimit, por na krijon edhe efektin psikologjik të lodhjes dhe rimarrjes shpejtë të kileve që kemi humbur. Me një dietë të pakontrolluar nuk fitojmë edukimin e një ushqimi të rregullt dhe e një stili jete të shëndetshme, çka bën që të jemi pre e efektit yoyo të humbjes dhe marrjes së menjëhershme të kileve. Së dyti është vendosja e objektivave jo reale. Dëshira për rezultate të shpejta dhe të dukshme na bën që t’i vendosim vetes objektiva jo reale dhe shumë të vështirë të arritshme, çka sjell dështim dhe lodhje.

 Shqiptarët në përgjithësi hanë mirë? Cilat ushqime duhet të konsumojnë më me kujdes dhe çfarë duhet të hanë më shpesh?

Kuzhina tradicionale shqiptare është një kuzhinë e tipit ballkanik që orientohet tek konsumi i produkteve shtazore dhe me përmbajtje të larta në yndyrë. Por mund të themi që lëvizjet e popullsisë dhe emigracioni kanë bërë që edhe mënyra e të ushqyerit të ndryshojë disi. Gjithmonë e më shumë njerëzit po i largohen konsumit në sasi të mëdha të mishit të kuq dhe janë të orientuar më shumë drejt peshkut. Kuzhina jonë tradicionale ka qenë gjithnjë e pasur me zarzavate dhe kjo e bën atë që të ketë elementë të shëndetshëm. Për të patur një menu të shëndetshme duhet të konsumohet rrallë mishi i kuq, deri në 2 herë në jave, duhet të konsumojmë më shumë peshk, 2-3 herë në javë. Nuk duhet të na mungojnë bishtajoret në dietën tonë (fasulet, thjerrëzat, qiqrat, etj 2 herë në javë. Të gjitha zarzavatet e stinës duhet t’i kemi në çdo vakt, duhet të jenë pjesë e rëndësishme e menusë sot ditore, në të gjitha format, qoftë të gjalla qoftë të gatuara.  Duhet të kontrollojmë sasinë e konsumit të yndyrave shtazore (dhjamin, gjalpin, etj) dhe të përzgjedhim yndyrat bimore (vaji i ullirit, lulediellit, misrit, etj).

Zgjedhja në mes të pjatave tradicionale shqiptare, cilën rekomandoni në menu?

Mund të konsumohen të gjitha pjatat tradicionale shqiptare, nuk do të eliminoja asnjë prej tyre. Duhet të tregojmë kujdes në përgatitjen e tyre të jenë me pak yndyrë. Tepria në yndyrë i bën ato më shumë kalorike dhe më pak të shëndetshme. Nëse gatuajmë me më pak, vaj apo gjalpë, apo dhjamë, sigurojmë një gatim njësoj të shijshëm dhe njëkohësisht të shëndetshëm.

admin

Artikujt e tjetrë