Letërsi

Poezia është përgjegjësi intelektuale dhe morale

Poete dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, Shukrije Gashi, në një intervistë në Flatra, për poezinë, mesazhin që transmeton përmes tyre, luftën e saj të pashtershme për të drejtat e njeriut në Kosovë.  

 

 Na flisni pak kur keni filluar të merreni me krijimtari letrare?

Krijimtaria letrare u bë pjesë e imja që nga fëmijëria … në shkollë fillore ndërsa në veçanti me poezinë nga klasa e katërtë. Natyrisht, në atë kohë nuk kemi pasur mundësi për të botuar ndonjë përmbledhje, por ka qenë mësuesja, arsimtarët e gjuhës dhe letërsisë shqipe, që m’i kanë vlerësuar poezitë dhe prozën, e tek-tuk ndonjëherë botoheshin në gazeta muri të shkollës, atëherë. Poezitë m’i kanë vlerësuar edhe motrat e mia më të mëdha, pasi edhe ato e kanë pasur këtë talent, në veçanti motra e tretë Nafije (Gashi) Ahmeti. Si familje, artin e të shkruarit dhe artin e vizatimit, pikturën e kemi dhunti të trashëguar. Më vonë, kur nisa studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, fillova të botoj në shtypin e kohës: “Bota e Re”, “Rilindja”, “Zëri i Rinisë”, “Fjala”, “Kosovarja”, “Shkëndija”, etj. Ndërsa librin e parë me poezi të titulluar: “Arti i harresës” e kam botuar në vitin 1997, redaktor i të cilit ishte poeti i madh shqiptar i ndjeri Ali Podrimja, kurse recensent ka qenë po ashtu poeti dhe shkrimtari i madh shqiptar Azem Shkreli. Dy krijues të shquar të letrave shqipe, të dijeve dhe vlerave të epërme të standardeve botërore, të përkthyer në shumë gjuhë të botës, të cilët i kam pasur edhe miq prej të cilëve mësova shumë, se si duhet trajtuar poezia, duke mos ia lënduar asaj damarin e fahut personal të individit, asnjëherë. Sigurisht për të botuar poezitë e mia në atë kohë më ka ndihmuar, në radhë të parë, kualiteti i poezisë time, e pastaj edhe miqtë e shumtë të kësaj fushe, si dhe të gazetarisë.

Si do të na i përshkruanit poezitë tuaja?

Kanë pasur dhe ende e kanë karakterin social, nacional dhe në veçanti atë gjinor, me premisa për barazinë grua-burrë në nivel shumëdimensional. Edhe poezinë e dashurisë e kam pjesë të veçantë në fahun tim të vargjeve poetike, më shumë karakter balade, dhe jo vetëm në raportin grua- burrë, por edhe motër-vëlla, prindër-fëmijë, shoqe dhe shokë.

 Çfarë kërkon të transmetosh me poezitë e tua?

Mesazhi im përmes poezisë është shumëdimensional: social, ku qeveria nuk bënë asgjë për të ndërtuar një kontratë sociale me qytetarët e saj, që do t’u ofronte trajtim meritor dhe mbrojtje sociale dinjitoze qytetarëve të saj. Pastaj është prekja e pulsit të ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK, të disave prej tyre, të cilët tash janë në gjendje të mirë financiare dhe në poste, e që i kanë harruar, madje, edhe braktisur disa nga bashkëluftëtarët e tyre, duke i margjinalizuar fare, shumë prej të cilëve jetojnë në varfëri të skajshme. Një poezi që reflekton këtë aspekt është poezia “Ushtari”, pastaj janë poezitë për dhunën gjinore që ushtrohet ndaj gruas, e cila është e shumëfishtë.

Çfarë do të thotë të jesh poete sot?

Përgjegjësi e madhe intelektuale dhe morale … Natyrisht, përgjegjësia është pjesë e pikëpamjeve dhe dijeve të poetit/poeteshës për kulturën letrare, poezinë, zhanrin e saj, rrethanat në të cilat kultivohet sot, të qenit njohës i mirë i zhvillimeve shoqërore në vend e më gjerë, për të mund të përcjellë hapin e kohës moderne, me të gjitha premisat. Njohja e gjuhëve të huaja, në veçanti të asaj angleze, është ndihmesë e madhe në mbajtjen e hapit të kultivimit të poezisë me hapin e krijimtarisë moderne poetike. Personalisht, e dua poezinë moderne, por jo të zhveshur nga identiteti nacional, as nga sfidat nacionale që ballafaqohet shoqëria në Kosovë, si një shoqëri pa vizion të qartë për identitetin as kombëtar dhe as shoqëror. Një shoqëri pa kapacitet dhe dije për t’i artikuluar interesat politike, shoqërore, ekonomike e të tjera, të mos flasim për barazinë gjinore mes burrave dhe grave. Këtë shoqëri, në poezinë time e shohë si një shoqëri me “talamus të shkatërruar” që “lumturohet” për hiç gjë. Pra, siç e dimë të gjithë shoqëria e Kosovës, gjegjësisht populli i saj, sipas anketave del se është populli më i lumtur, anipse janë më të varfrit dhe më të margjinalizuarit në Evropë, qoftë nga paria e vendit, qoftë nga BE, duke mos e gëzuar as të drejtën për të lëvizur lirshëm jashtë Kosovës. Të gjitha këto vështirësi, i kanë si pasojë e një qeverisjeje jo të përgjegjshme, e cila i lë të rinjtë pa punë, pa të ardhme të sigurt dhe perspektivë profesionale, pa mundësi për garim dhe avancim profesional në nivel me moshatarët e tyre në rajon e botë. Pleqtë pa përkrahje sociale dhe shëndetësore të dinjitetshme, jetën kulturore pa  institucione dhe hapësirë të nevojshme, arsimimin pa personel profesional dhe të ndërgjegjshëm për të ofruar mësim cilësor. Shtetin me një sistem gjyqësor krejtësisht të korruptuar të instaluar në çdo hallkë të shoqërisë.  Gruan të diskriminuar shumëfish, shkallë të ultë të punësimit, gjithnjë me preferenca për moshat e reja dhe dukjen e jashtme, jo edhe ngritjen profesionale, duke anashkaluar ato që kanë shkollim madje edhe të avancuar nga universitete me traditë në botë, të shquara për kualitet e dije. Gratë e diskriminuara edhe në përzgjedhje për poste politike dhe të tjera, të mos flasim për ato që kanë qenë të diskriminuara, dhunuara e të poshtëruara gjatë dhe paslufte. Mungesë respekti ndaj tyre, pa mbështetje për përkrahje ligjore, ndihmë sociale dhe shëndetësore, si dhe për pranim dhe njohje të statusit të tyre publik, të mbijetuara të luftës, madje edhe si heroina. Në këtë kontekst janë edhe familjet e prekura nga lufta me anëtarë të vrarë apo të zhdukur, për të cilët nuk lodhet fare shteti i zhytur në korrupsion. Të gjitha këto të zeza na ndodhin, edhe për fajin e mungesës së reagimit qytetar ndaj këtyre dukurive. Pra, ndër shqiptarë ende ekziston fenomeni i mentalitetit të robit, nga i cili një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po mund të lirohen. Kjo pjesë e madhe, beson dhe shpreson në përrallën që dikush tjetër duhet të vijë me një shkop magjik për t’i çuar përpara proceset demokratike në Kosovë, dhe jo vetë ata. Pastaj kemi edhe fenomenin më shëmtues dhe dëmtues për Kosovën, bashkangjitjen e të rinjve luftërave të huaja me karakter radikal fetar, për interesa të huaja. Djemtë dhe vajza të manipuluar nga kleri fetar i biznesit dhe agjendave të huaja politike.

Keni qenë dhe jeni një ndër aktivistet më të zëshme të Kosovës, sa i takon të drejtave të njeriut, cilat janë parimet që ju kanë udhëhequr në këtë drejtim?

Dashuria ndaj kombit, nevoja për t’u çliruar nga robëria, respektimit të të drejtave kombëtare dhe njerëzore pa dallime etnike, fetare apo racore. Frymëzimi nga familja, pasja e tabanit kombëtar të kultivuar mirë me edukatë shkollore e kombëtare, me nivel të dijeve të epërme, të standardeve ndërkombëtare. Mësimi dhe studimi i vazhdueshëm i fushave profesionale dhe atyre interferuese, nga 16 orë pune në ditë. Aktivizmi qytetar aktiv për 30 vjet me radhë, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë dhe jashtë saj, kudo ku ftohem. Gazetaria ime aktive dhe puna me agjencitë e huaja të lajmeve dhe me organizatat e huaja para dhe gjatë luftës në Kosovë. Puna në OJQ-n Partners-Kosova, Center for Conflict Management për 16 vjet, themeluese e të cilës jam, bashkë me Partnerët Ndërkombëtar për Ndryshim Demokratik, me zyrë në Amerikë, që ndihmuan në themelimin e qendrës në vitin 2001. Parimet që më kanë udhëhequr në jetë, janë: parimi i paanshmërisë, parimi i mirëbesimit, parimi i trajtimit drejtë, parimi i njohjes së kulturës së tjetrit për garim të barabartë e të drejtë, parimi i sinqeritetit dhe gjithëpërfshirjes apo jodiskriminimit në baza etnike, fetare dhe racore, etj. Krejt në fund, dëshira për të njohur me botën, për të pasuruar dijet dhe njohjet e mia kulturore, etnike, historike, gjuhësore dhe të tjera, të popujve tjerë. Si dhe për të ndërvepruar në këmbim të kulturave dhe për t’i ofruar njerëzit dhe kulturat në mes veti, veprim ky që ndihmon në dialogun e mirëfilltë ndëretnik dhe ndërkulturor. Njëherësh ndihmon në eliminimin e paragjykimeve për të tjerët në mungesë të njohjes së vlerave të tyre, në parandalimin e eskalimit të konflikteve dhe veprimeve dhunuese në botë si dhe në krijimin e një kohezion të besueshëm për jetesën në paqe. Të dëgjuarit aktiv efektiv dhe krijimi i hapësirës së sigurt për secilin njeri në botë, është shkathtësi kryesore e nevojshme për trajtim meritor të njerëzve, siguri dhe integrim stabil të tyre në shoqëri, e që në Kosovë dhe shumë vende në botë, nuk përdoren mjaftueshëm si instrumente kompatibile për integrim përmbajtjesor.

admin

Artikujt e tjetrë