Intervista

Në labirinth me Hasnije Ilazin

Një bashkëbisedim me filozofen Hasnije Ilazi për shoqërinë shqiptare, Immanuel Kantin, personalitetin që përbënë një epokë më vete, për Dostojevskin dhe kureshtjen sesi do ta përshkruante hipokrizinë e ditëve moderne.

 

 Intervistoi: Brunilda Merko 

 

Pasqyra, nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Pasqyra nuk është në rend të parë simbol i narcizmit. Pasqyra është kontakt i parë i joni me pamjen tonë të jashtme, dhe, në fakt, e vetmja mënyrë që ne ta njohim vetën edhe nga kjo anë e jona. Në kuptimin filozofik përvoja e jashtme mbështetet në perceptime, si parakusht për krijimin e ideve. Kështu, ne mund ta kemi idenë mbi vetën tonë, në kuptimin e pamjes së jashtme vetëm përmes perceptimit të imazhit tonë në pasqyre. Një perceptim i tillë do ta largojë dhe njëkohësisht të plotësojë ekskluzivitetin e ndjenjës së brendshme, subjektive. Shoqëria shqiptare vuan nga mungesa e harmonisë në mes të dy perceptimeve mbi vetën: perceptimin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Dhe kjo ndodhë kryesisht nga mungesa e perceptimit të jashtëm. Shoqëria jonë bazamentin e ekzistencës së vet mbështetë veçanërisht  në ndjenjën e brendshme, perceptimin e njëanshëm, I cili në shumë raste është nën vellon e injorancës së pagabueshmërisë. Nga përvoja e jashtme kjo shoqëri e shikon vetën në rend të pare përmes syve e të tjerëve, dhe varësisht nga ajo a është përshtypja e tjerëve pozitive, krijojmë miq, ndërsa nëse përshtypja e tjerëve mbi ne është negative, kemi të bëjmë me armiq. Prandaj, shoqërisë shqiptare i nevojitet pasqyra, jo për narcizëm, por për një pamje më të qartë mbi vetën, por pa dioptri.

Cili personalitet përbënë epokë më vete dhe pse?

Pa dyshim, Immanuel Kanti. Për kundër faktit se ky filozof i takon periudhës së shekullit XVIII, mendja dhe shpirti i tij kanë kaluar të gjitha epokat pas tij. Fillimi dhe mbarimi i filozofisë së Kantit është Njeriu ndërsa i tërë reflektimi i tij filozofik ka vetëm një qëllim: humanizimin e vet njeriut. Nga shumanshmëria e teorisë së Kantit, pa dyshim filozofia e tij e moralit zë vend të veçantë në raportin e njeriut më vetën si qenie racionale, duke vënë theks në lirinë dhe autonominë në njërën anë, dhe dinjitetin njerëzor në anën tjetër. Njeriut i Kantit shkon edhe përtej Mbinjeriut të mëvonshëm të Nitzsches, kuptohet në një mënyrë më suptile, në përpjekjen e tij që njerëzimin ta bëjë me vlerë, së pari duke e civilizuar dhe kultivuar veten brenda një shoqërie, në të cilën pastaj do të qëndrojë si qënie e udhëhequr nga mendja në bashkëjetesë me të tjerët. Qëllimi i fundit në përcaktimin e qenies njerëzore për Kantin është shoqëria qytetare botërore dhe vetë njeriut si qytetar i botës. Vizioni i qartë Kantian mbi botën pa kufij, dhe raporte të respektit ndërmjet të “qytetarëve të lirë të botës” sot gjejnë implementimin praktik  në kushtetutën e komunitetit evropian.

Multikulturalizmi dhe toleranca  deri në çfarë mase mund të realizohen në shoqërinë tonë?

Toleranca është koncept i kundërt nga koncepti i pushtetit. Njerëz të pushtetshëm rrallë shkojnë përtej tolerancës së përcaktuar me ligje të shkruara apo të pashkruara të një shoqërie. Duke pasur parasysh se historia e shoqërisë shqiptare nuk është ngjyrosur shpesh me privilegjet e pushtetit, tolerance ka qenë bashkëudhtare historike e shqiptarëve. Luftërat e sotme të brendshme për pushtet në shoqërinë shqiptare tregojnë mungesën e kësaj cilësie në pjesë të madhe të saj. Megjithatë, toleranca si vlerë është pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare, dhe një nga vlerat që përafrojnë shoqërinë tonë me identitetin e saj evropian. Në anën tjetër multikulturalizmi si koncept më i ri në shoqërinë kosovare mund të identifikohet me konceptin e mëhershëm të bashkëjetesë dhe tolerancës. Shoqërisë kosovare nuk i ka munguar asnjëherë vullneti për një jetë të përbashkët me kultura tjera, por ndonjëherë pengesa ka qenë mënyra se si këto çështje janë imponuar  dhe importuar në brendinë e shoqërisë kosovare, Dhe kuptohet, një mënyrë të tillë, jo natyrshme dhe të imponuar  në vendosjen e vlerave të caktuara, hasë në rezistencë edhe përkundër pranueshmerisë ndaj vet vlerës. Prandaj çështja e multikulturalizmit është shumë diskutabile dhe debatueshme në shoqërinë tonë.

 Cilin personazh/autor të letërsisë do të donit ta kishit ngjallur dhe pse?

Fjodor Dostojevski i shoqërisë kontraverse ruse dhe Siberisë së largët të akullit dhe të shkretë; Dostojevski i “Shënimeve nga nëntoka”, “Idiotit”, “Krimit dhe ndëshkimit” i “Djajve”. Janë dy arsye pse edhe një herë Dostojevski: së pari, nga arsyeja krejt personale,  kureshtja se si kish me i përshkru Dostojevski hipokrizitë e botës së sotme moderne, dhe individin e mirëfilltë në mes të ndikimit manipulues së komunitetit dhe keqinterpretimit të individualitetit. Së dyti, veprat e Dostojevskit janë pasqyrim i fuqishëm mbi përballjen e subjektit me shoqërinë, me vetvetën dhe me dilema mbi ekzistencës dhe kuptimin e saj. Në kohën e sotme ku kuptimësia gjykohet nga iracionalizmi, ndërsa iracionalizmi nga neomarksizmi, e neomarksizmi nga religjioni dhe të gjitha këto nga ideologjitë e ndryshme, kthimi në burimoren e natyrës së njeriut përmes mendjes së ndritur të Dostojevskit nuk do të ishte vetëm kthim në njerëzoren e qenieve human, por edhe klithma e dëshpërimit dhe shpresës për një jetë të vërtetë.

 Trashëgimia më e bukur shqiptare?

Vendet e bukura ku jetojnë shqiptarë, reliefi i horizonteve të pafund; ushqimi dhe vera; rilindja kombëtare; Nexhmije Pagarusha dhe Dritëro Agolli.

 Nëse të them “Kosovë” çfarë ju vjen në mendje?

Kontrasti në mes të kaosit urbanistik të qyteteve dhe pamjeve mahnitëse të natyrës; kafet e mira të Prishtinës; libraritë të stërmbushura me libra; Trimi, Hana dhe Joni; miq të mi; sallat e ligjëratave në Departamentin e Filozofisë; jeta.

admin

Artikujt e tjetrë