Lifestyle

Joga, liria e trupit dhe mendjes

Një intervistë me Annea Hapçiu, një nga mësueset e rralla të jogas në Kosovë, e cila na tregon se për të mësuar joga është një rrugëtim i gjatë dhe me plotë sfida. Një eksperiencë dhe disciplinë, që të dhuron lirinë shpirtërore dhe balancën trupore.  Annea ishte studente e vitit të dytë në Universitetin e Dejtonit në SHBA, në degën e Administrim Biznesi, me fokus Ndërmarrësi dhe Marketing. Gjatë kësaj kohe Universiteti ofronte seanca të ndryshme të relaksimit për studentët, në palestrën e sporteve dhe seanca të masazheve gjatë javës së provimeve përfundimtare. Një mundësi e mirë për tu relaksuar dhe për të rikthyer stabilitetin mental, fizik e spiritual pas orëve të gjatë të mësimit. Ky ishte takimi i parë i Anneas me Joga-n.  Pas përfundimit të studimeve ajo rikthehet në Kosovë dhe e vazhdon praktikën në bazë të përvojës së fituar duke arritur kështu të instruktojë fillimisht për familjen dhe miqtë.

“Jam befasuar për të mirë me interesimin nga njerëzit në Kosovë ndaj seancave të jogas. Edhe pse detyra për t’i njoftuar ata për herë të parë me këtë aktivitet, është  sfiduese dhe bartë shumë përgjegjësi, por rezultoi të jetë e këndshme dhe pozitive. Kam gjetur shumë lumturi në këtë përvojë, ku mund të ndash  dijen që ke fituar me anë të praktikës dhe studimit të jogas, me njerëz që kanë nevojë të çlirojnë stresin, presionet dhe dhembjet trupore nga jeta dinamike dhe sfiduese. Në të njëjtën kohë, takimi me shumë njerëz të mirë që janë të dedikuar ta ndihmojnë Prishtinën në avancim dhe krijim të një ambienti të shëndoshë, ka ndikuar që të kem edhe më shumë dëshirë të mbaj orë të jogas në këtë qytet.”

Dhe një nga arsyet pse një aktivitet i tillë është i nevojshëm për qytetarët, është inkuadrimi në rutinën tonë, i elementeve pozitive dhe relaksuese, të cilat ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në produktivitetin në punë, madje edhe në krijimin e marrëdhënieve të shëndosha me të tjerët.

????????????????????????????????????
????????????????????????????????????

Annea tregon se një iniciativë e tillë ishte sfiduese, por njëkohësisht e menduar mirë duke e shtrirë aktivitetin edhe në seanca të rregullta, punëtori, përkthime të artikujve për jogan, ngjarje vetëdijësuese dhe informuese përmes medieve sociale etj. Gjithashtu thotë se joga mund të praktikohet nga të gjitha moshat, fëmijët, adoleshentët, të rriturit dhe më të moshuarit.

“Sipas Dalai Lamës: “Nëse çdo fëmijë do të mësonte meditimin, atëherë do të eliminohej dhuna nga bota, brenda një gjenerate”, kështu që të gjithë kanë nevojë për joga dhe rekomandohet për të gjitha moshat .”,-nënvizon Annea, e cila thotë se pavarësisht se efektet pozitive mentale, emocionale dhe fizike të meditimit janë të njohura për njerëzimin, zhvillimi teknologjik ka ofruar më shumë qasje që të shohim më me saktësi se çfarë po ndodh me trurin dhe trupin gjatë meditimit.

“Dallimi kryesor në mes të asaj se çfarë ndodh me trurit tonë kur meditojmë e kur nuk meditojmë është se gjatë meditimit mendja jonë ngadalëson aktivitetin e procesimit të informatave.  Kemi një ulje të valëve Beta, të frekuencës së valëve të aktivitetit në trurin e njeriut. Deri vonë është menduar  se truri i njeriut është statik dhe nuk ndryshon, por hulumtimet e fundit po tregojnë që truri është shumë dinamik dhe është i dizajnuar që të adaptohet vazhdimisht.  Pasi që truri ndryshon gjatë jetës, meditimi dhe ushtrimi i “mindfulness”, ndihmojnë në ndryshimin e trurit dhe mënyrat e reja të të menduarit mund ta ndryshojnë trurin për të mirë. Meditimit i nevojitet kohë  dhe suksesi më së miri shihet me praktike të vazhdueshme dhe konsistente.”

Megjithatë ekzistojnë shumë  lloje të meditimit nga filozofi të ndryshme, si dhe mënyra të qasjes në meditim. Annea na tregon se meditimi si nocion është shumë i gjerë dhe përmban në veti shumë teknika të ndryshme, në varësi se çfarë dëshiron personi të kultivojë në vetvete: relaksim, dashuri, durim, bujari, falje apo të ndërtojë empati për të tjerët dhe për botën. Në varësi se çfarë synimi ka personi gjate meditimit dhe çfarë teknike përdorë, atëherë meditimi ndryshon. Për shkak se ne si qenie dhe si botë jemi vazhdimisht duke evoluar, çdo meditim është unik dhe kurrë nuk është i njëjtë me të mëparshmin.

????????????????????????????????????
????????????????????????????????????

admin

Artikujt e tjetrë