Lifestyle

Gruaja e ligjeve dhe stilit

Foto: Endrit Mërtiri

“Që të jesh i pazëvendësueshëm duhet të jesh gjithmonë ndryshe”, të gjithë e kemi të njohur thënien e famshme të perëndeshës së stilit Coco Chanel. Mënyra sesi prezantohemi para të tjerëve është shumë e rëndësishme dhe në këtë prezantim gjithmonë luan rol kyç edhe mënyra sesi vishemi. Stili është e veçanta e secilit person, është identiteti i secilit, gjuha e pafolur…Jeta Rukiqi, avokatja që karakterizohet nga sharmi dhe eleganca. Një grua që tërheq vëmendjen me mënyrën sesi i kombinon të gjitha detajet dhe krijon një stil unik, që e karakterizon atë. Jeta mendon se nuk është se duhet të jesh në hap me modën e trendet e fundit për të krijuar një stil të veçantë. “Mendoj se stili sidomos tek një femër, shfaqet nga mënyra se si ajo përshtat veshjet me fizikun e saj, ngjyrat me nurin e lëkurës, materialet me kohën. Sepse të kopjosh kukullat e salloneve është diçka e lehtë, por të dish t’i përshtatësh ato me fizikun dhe personalitetin tënd është pikërisht ajo që krijon stilin e veçantë tek personi. Dhe për këto arsye, stili për mua mbetet treguesi më i mirë i personalitetit të njeriut, ngase është një paraqitje më afatgjatë dhe nuk është si moda, që personifikohet me stinët që vijnë e ikin. E pra, të krijosh stilin tënd nuk të duhen shumë të holla, krejt çfarë duhet është të vizualizosh atë se si e sheh vetën në paraqitjet publike, në daljet për kafe, apo në takime zyrtare, veshje këto që nuk janë larg njëra tjetrës.” 

1

Jeta është nga ato femra që e karakterizon thjeshtësia në paraqitje, një stil i përshtatur me ambientet dhe momentet, me mënyrën e të qëndruarit, të komunikuarit. Veshja dhe mënyra se si ne flasim e përbëjnë stilin dhe sipas Jetës një femër mund të vishet si një princeshë, por të mos reflektojë me veshjen. Kjo është edhe një nga arsyet që asaj nuk i pëlqen të eksperimentojë me diçka, që nuk është e natyrës së saj, një  natyrë e çiltër, e hareshme, që nënkupton një stil plot ngjyra të kombinuara, të cilat në një farë mënyrë shprehin edhe guxim.

Një avokate, por me pasion të madh për modën, një element goxha i veçantë dhe që nuk e hasim shpesh tek gratë e këtij profesioni. Megjithatë Jeta nënvizon faktin se të dy këto drejtime kanë të bëjnë me detajet, gjë që përshtaten shumë bukur tek personaliteti i saj prej perfeksionisteje. “Jam nga ata persona, që gjërat i shoh deri në qelizën e fundit, kërkoj shumë dhe jap shumë në të dy degët. Tek e fundit a nuk është e qëlluar, që kur je e mbytur nga angazhimet ditore, ato të profesionit, të ndalesh dhe të relaksohesh me të thënat për modën, me fshehtësitë dhe kurimin, që ta jep të qenët në botën e modës. Unë për një kohë kam mbajtur me fanatizëm një sallon ekskluziv për veshjet kryesisht të mbrëmjeve për femra dhe ka qenë një nga pasionet e mia për të cilën pata shumë dashuri. Dhe jo se nuk kam tash, por angazhimet tjera në profesion, familje, ma kushtëzojnë kohën që të merrem për aq sa i duhet përkushtim edhe atij biznesi.”

Ajo tregon se përshtatja e veshjes me ambient është shumë e rëndësishme pasi jo gjithmonë një veshje e bukur përshtatet me vendin në të cilin jemi. “Nuk mund të dukesh një ylber me ngjyra në një darkë me bashkëshortin. Preferoj që tu përshtatem detajeve dhe ngjyrat që zgjedh të jenë të qëlluara në prerjet dhe përshtatjet që mbaj veshur. Në përgjithësi pëlqej ngjyrën e bardhë, rozë apo edhe të kaltrën. Gjithsesi nuk kam kufizime sepse e përdori çdo lloj ngjyre. Ndërsa preferoj Ives Saint Laurent, Donatela Versace, Stefano Gabanna, Tom Ford, Ralph Lauren, etj. Por ka edhe shumë emra të tjerë, që më shumë se sa si dizajner u shoh dizajnet në veshje të caktuara. Pra nuk jam nga ato, që fiksohen vetëm pas një dizajneri, unë gjithmonë shoh veshjet dhe dizajnet, që më përshtaten dhe ato mund të jenë edhe të emrave më pak të njohur, me rëndësi është të më përshtaten mua, karakterit dhe stilit tim.”

Si në person i dhënë pas modës, veshjeve të bukura, trendeve botërore, Jeta shfaq para nesh një botë krejtësisht tjetër derisa flet për stilin. Ndjesia kur vishemi me diçka të bukur është thjesht e magjishme, të jep shumë vetëbesim, kreativitet si dhe të bënë të ndjehesh shumë efikas. Sipas saj e modës është edhe të dukesh thjeshtë por shik, me reflektim dhe me aksesorët e detajet e modës së fundit, duke krijuar kështu një pamje me stil dhe shije.

admin

Artikujt e tjetrë