Shëndet

Çfarë nuk dimë rreth belbëzimit?

thekingsspeech_2

Për shumë prej nesh, ekzistojnë disa gjëra më të vështira në jetë sesa ballafaqimi me çështjet personale. Ndonjëherë, nuk është askush të na ndihmojë kur kemi nevojë e herë të tjera ne thjesht nuk mund ta gjejmë ndihmën për të cilën kemi nevojë, pavarësisht sesa shumë përpiqemi. Duke iu falënderuar Shoqatës Kosovare për Belbëzim, ata që përballen me këtë problem tashmë e kanë një zgjidhje, duke ofruar ndihmën profesionale në këtë aspekt, me punën e palodhshme dhe efektive në përballjen e këtyre vështirësive.

 

Nga Sara Ereqi

Një adresë e re ku njerëzit me çrregullim të rrjedhshmërisë (apo siç njihet belbëzim) kanë tashmë ku të drejtohen. Shoqata Kosovare për Bëlbëzim, prej disa muajsh ka filluar një veprimtari shumë të ngjeshur në këtë aspekt. Shkurta Berisha, pjesë e kësaj shoqate thekson se duke e parë që nuk ka një mbështetje të organizuar institucionale për personat me çrregullim të rrjedhshmërisë, një grup i personave që belbëzojnë, prindërit e tyre, studentë e profesorë, logopedë dhe psikologë, janë organizuar dhe kanë themeluar Shoqatën Kosovare për Belbëzim.  “Është organizatë jo-fitimprurëse e përkushtuar që të sjell shpresë dhe fuqi për fëmijët dhe të rriturit që belbëzojnë, për familjet e tyre dhe edukatorët e tyre, përmes mbështetjes, edukimit, mbrojtjes dhe hulumtimeve. Shoqata Kosovare për Belbëzim është themeluar me qëllim të bashkimit të të interesuarve nga shoqëria, të cilët janë të gatshëm të punojnë në sensibilizimin e opinionit me problemet e personave që belbëzojnë, dhe avancimin e kualitetit të jetës të personave që belbëzojnë.”- shprehet Shkurta Berisha. Në lidhje me aktivitetet, që ndërmerr kjo shoqatë ndër të tjera mund të cekim sensibilizimin e opinionit publik me problemet e personave që belbëzojnë;  organizimin e grupeve për vetë-ndihmë për personat që belbëzojnë dhe për prindërit, edukatorët, mësuesit dhe arsimtarët e fëmijëve që belbëzojnë;  organizimin e prezantimeve, seminareve, grupeve punuese,konferencave, ekspozitave, në të gjitha aspektet e problematikës së belbëzimit (zbulimi i hershëm, diagnostikimi dhe parandalimi i belbëzimit, këshillimi i prindërve dhe të personave që belbëzojnë, si dhe aplikimin e teknikave dhe metodave terapeutike gjatë terapisë së personave që belbëzojnë), etj. Por a ka një vetëdijesim të shoqërisë në lidhje me këto çrregullime të të folurit?!

logo

Fëmijët dhe të rriturit që belbëzojnë zakonisht përballen me keqkuptimin, paragjykimin, stigmatizimin dhe diskriminimin nga publiku që nuk belbëzon. Kjo është dokumentuar edhe nga një hulumtim që është bërë kohëve të fundit nga POSHA-S, ku shihet se ekzistojnë qëndrime negative ndaj belbëzimit në tërë botën, pa marrë parasysh shtrirjen gjeografike apo kulturore. Natyrisht edhe në Kosovë ende ekzistojnë botëkuptime të vjetra lidhur me belbëzimin, dhe ne do të mundohemi të kontribuojmë, që të vetëdijesohet më shumë shoqëria për shkaqet dhe pasojat e vërteta të belbëzimit.”- thotë znj.Berisha.  Ndërkohë brenda kësaj periudhe të shkurtë që nga themelimi, Shoqata Kosovare për Belbëzim ka zhvilluar shumë aktivitete, të cilat janë arritur pa asnjë donacion, por vetëm me vullnetin e mirë të të gjithë anëtarëve. Kjo shoqatë ka krijuar tashmë kontakte me “The Stuttering Foundation”, i cili është  asociacioni më i vjetër në ShBA dhe ka marrë pëlqimin e tyre për përkthimin e tërë materialit të tyre voluminoz në gjuhën shqipe pa asnjë kompensim. Deri më tani janë përkthyer në gjuhën shqipe katër libra:

  • “Nëse fëmija juaj belbëzon” – që është një udhëzues për prindër të fëmijëve parashkollor;
  • “Unë nganjëherë thjeshtë belbëzoj” – një libër për fëmijë të moshës 7 deri 12 vjet;
  • “Belbëzimi: Të flasim sinqerisht me mësimdhënësit” – një doracak për mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme;
  • “Vetë-terapia për belbëzim” – libër për adoleshentë dhe të rritur.

Nga ana tjetër shoqata ka hapur një ueb faqe www.belbezimi.org, nga ku mund të shkarkohen falas të gjithë librat e mësipërm, por ku të interesuarit në këtë lëmi, mund të gjejnë artikuj dhe informacione të dobishme lidhur me belbëzimin. “Shfrytëzojmë rastin të ftojmë të gjithë ekspertët e kësaj lëmie, të kontribuojnë me punimet e tyre shkencore, për të pasuruar sa më shumë informacionin lidhur me belbëzimin. Shoqata ka edhe faqen e vet në rrjetin social www.facebook.com/belbezimi, ku të gjithë të interesuarit mund të marrin informacion të shpejtë me aktivitetet e shoqatës.” – shprehet znj.Berisha.

Por ajo çfarë thekson më së shumti, Znj.Berisha, është se një pjesë e mirë e punës në ndihmën e këtyre personave bëhet edhe në shtëpi, nga prindërit, të afërmit e tjerë. Prano ndihmë për fëmijën tuaj por kuptoje gjithashtu se edhe ti je pjesë e asaj ndihme. Mbi të gjithë ji pozitiv. Fokusohu në fjalim të rrjedhshëm dhe ndjehu krenar për punën që po bën.

admin

Artikujt e tjetrë