Intervista

Nën optikën e Laura Imamit

E pasionuar pas syzeve vajza nga Peja, Laura Imami tashmë gjendet në listën e dizjanerëve më të famshëm të syzeve në botë. Në një rrëfim në Flatra ajo tregon sesi nisi gjithçka.

 Një linjë syzesh dhe një dëshirë e kamotshme. Laura Imami është nga ato dizajneret e rralla shqiptare, që ka një linjë ndryshe të modës. Që në moshën 3 vjeçare, Laura mbante syze dhe asnjëherë nuk e kishte parë këtë si pengesë siç ndodh rëndom me fëmijët e kësaj moshe. Përkundrazi kjo do të ishte edhe pikënisja e tërë suksesit që e karakterizon atë sot.

Laura Imami në vitin 1992 pas një debati të gjatë me prindërit largohet nga Prishtina për në Londër.  Tashmë ajo ka ndërtuar jetën dhe karrierën në këtë kryeqendër evropiane, megjithatë shumë shpesh rikthehet në vendlindje ku takohet me familjarët e miqtë e shumtë që ka këtu. Ndërsa vizitat janë shpeshtuar pas lindjes së fëmijëve Leonit dhe Jetës, të cilët e adhurojnë Kosovën. Megjithatë në Londër aty ku nisi gjithçka, Laura kishte fatin të punësohej në një prej dyqaneve më të njohura të optikës në Evropë. Pasioni për syzet nuk ishte shuar dhe dukej sikur u forcua edhe më shumë dhe ajo vendos të studiojë Optikën. Vendi i punës ishte një platformë shumë e mirë për të krijuar kontakte me njerëzit adekuat dhe kështu Laura do të njihej edhe me dizajnerët më të njohur në botë të syzeve.

“Në atë kohe isha “head buyer” për Schullerin me ç’ rast fillova t’i analizoj syzet jo vetëm si objekt bukurie, por t’i jap rëndësi edhe punës, materialit, komfortit e shumë e shumë detajeve tjera, të cilat për mua filluan të kenë tepër rëndësi. Pas një kohe pash që shumë dizajnerë me shumë dëshirë dhe vëmendje i pranonin kritikat e mia dhe kishin besim t’i konstruktojnë idetë e mia në punën e tyre. Dëshira ime për të bërë linjën time të syzeve ishte e pranishme shumë më herët, mirëpo ishte e pamundur për mua ta realizoj atë dëshirë, për arsye se fëmijët ishin shumë të vegjël dhe ishin ende të varur nga unë. Pas 19 vjet eksperience në optikë erdhi momenti kur unë mendoja që tash është koha për mua ta realizoj ëndrrën time. Kam punuar shumë Kam punuar shumë për momentin e duhur dhe kam sjellë një gamë të cilën do ta mbikëqyrja në tërësi, nga vizatimet e para për zgjedhjen e materialeve të duhura dhe duke punuar në vazhdimësi me prodhuesit më të mirë. Gjithmonë kam besuar në platformën e përsosur, që do të plotësonte vizionin tim që kisha, për dizajnet moderne të syzeve optike. Më në fund ia arrita qëllimit.”

Megjithatë vështirësitë e udhëheqjes së një biznesi janë të shumta. Laura tregon se në radhë të parë në rolin e nënës e njëkohësisht në rolin e udhëheqëses, kishte kaluar një sfidë duke kërkuar gjithnjë një balancë të shëndosh në mes familjes dhe punës. “Në këtë punë kërkoheshin udhëtime të shpeshta dhe si nënë gjithmonë ndjehesha në faj sepse mendoja që duhej të isha e pranishme në jetën e fëmijëve të mi. Mirëpo përkrahja e madhe e bashkëshortit tim më bëri t’i përballoj shumicën e këtyre vështirësive. Po ashtu në fillim të karrierës sime, mendoja se vetëm unë di më së miri si udhëhiqet biznesi dhe nuk kisha besim t’i ndaj obligimet me askënd. Mirëpo eksperienca e bëri të veten dhe pas një kohe kuptova se një biznes i suksesshëm realizohet edhe me dëgjimin e opinioneve të ndryshme që japin të tjerët, të cilët janë gjithashtu të vlefshëm dhe të rëndësishëm. Ndarja e këtyre përgjegjësive më lejon që unë të koncentrohem në atë që dua më së shumti – në dizajnin e syzeve.”

Por cilat janë trendet që na propozon dizajnerja? Duke nisur nga format e ndryshme gjeometrike dhe ngjyrave të theksuara si e gjelbra, kuqja, e verdha etj. Sipas saj syzet nuk duhen të jenë vetëm nevojë për të përmirësuar shikimin, por të jenë gjithashtu aksesor mode siç është çanta apo këpucët dhe kjo ishte një prej arsyeve që Laura sot dizajnon syze optike me korniza të mëdha, të trasha, me kombinim ngjyrash…e frymëzuar nga vitet e 70-ta.

admin

Artikujt e tjetrë