Kulturë

Më afër natyrës në Javën e Frankofonisë

Të ofrosh zgjidhje, të tregosh dhe të ndjesh rrëfime pozitive…kjo mund të jetë mënyra më e mirë për ta mundur krizën ekologjike, ekonomike dhe sociale, nëpër të cilën po kalojmë sot. Ambasada e Francës në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës, Ambasadën e Luksemburgut dhe Zyrën diplomatike Belge, kanë nisur edicionin e 16-të të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, pikërisht me temën “Njeriu dhe Natyra”. Një event ndër më të rëndësishmit në vend, i cili çdo vit sjellë prodhime dhe personalitete të ndryshme nga fusha sociale, kulturore, ekonomike e politike. Këtë herë në javën frankofone do të kemi mundësi të informohemi dhe ta përjetojmë më afër natyrën.

“Demain”, ishte filmi dokumentar, që hapi edicionin e sivjetmë, në kinemanë ABC. Një prodhim francez i vitit 2015, në regji të Cyril Dion dhe Melanie Laurent. Subjekti i dokumentarit është natyra dhe shkaqet e shkatërrimit të saj rrëfyer nga shkencëtarë të njohur. Megjithatë qëllimi i filmit nuk është dekurajimi i masës, përkundrazi aty shohim iniciativa optimiste në dhjetë qytete të ndryshme në botë, shembuj konkret të mundësive për mbrojtjen dhe shpëtimin e mjedisit, e që janë agrikultura, energjia, ekonomia, edukimi dhe qeverisja.  Një rrugëtim në fermën urbane në Detroid, kultivimi i bimëve ushqimore në Todmorden, qytetarët dhe përfaqësues të Kopenhagës, Islanda dhe prodhimi i energjisë në mënyrë të mbrojtjes së mjedisit, ekipin e funtës në Bristol, përfaqësues të ËIR bankës në Bazel etj. Vende, njerëz, komunitete të jashtëzakonshme, me ide dhe vizon për ta bërë botën një vend më të mirë.

Përveç dokumentarit “Demain”, gjatë javës frankofone do të kemi rastin të shohim edhe realizime të tjera po kaq interesante si “Le sauvage”, “Neige et les arbres magiques”, “Comme un avion”, “Le genie helvetique”, “La supplication” etj. Festivali do të përmbyllet me 26 nëntor dhe të gjitha projektet do të shfaqen në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.

admin

Artikujt e tjetrë