Gruaja

Pasioni që u kthye në biznes të suksesshëm

Një shembull suksesi sesi një grua ngrihet mbi çdo vështirësi dhe arrin jo vetëm të fuqizohet ekonomikisht vet, por edhe të ndikojë në jetën e grave të tjera, Fatmire Agush-Maliqi, nënë e 5 fëmijëve sot zotëron një nga firmat më të njohura të ëmbëlsirave në vend ndërsa ambiciet e saj janë përtej kufijve.

 

Fatmire  Agushi -Maliqi, është njëra prej grave të mbështetura nga PPSE, ndërsa me biznes është marrë që nga viti 1989, si pronare e kompanisë “Equitas” deri në vitin 1999, periudhë kjo që u karakterizua mjaftë e suksesshme për kompaninë. Lufta megjithatë ashtu si çdo aktivitet tjetër në Kosovë, ndërpreu edhe punën ne këtë kompani dhe Fatmires iu desh që të shpenzonte të gjitha paratë e kursyera për të mbijetuar dhe për të ndihmuar njerëzit e tjerë të afërt, që kishin nevojë për ndihmë. Por historia e Fatmires nuk përfundon këtu. Ajo udhëheq kompaninë “Edona”, themeluese e së cilës është vet ajo, të  cilën e nisi në vitin 2006, pak vite pas përfundimit të luftës. Një kompani për prodhimin e bakllavës, punë të cilën Fatmirja tregon se e ka nisur në kuzhinën e shtëpisë së saj. “Për tre muaj radhazi, me 4 punëtore gatimi dhe një menaxher të shitjes, e kemi kryer veprimtarinë  deri sa është përfunduar objekti ku aktualisht punojmë. Pastaj hap pas hapi e kemi rritur numrin e punëtorëve dhe  kapacitetin e prodhimit, duke mos e ndërprerë asnjëherë punën. Me të ardhurat nga puna përveç punëtorëve që mbajnë familjet e tyre, i kam mbajtur dhe shkolluar 5 fëmijët e mi. Ndërsa sa i përket cilësisë, them se janë produkte të cilësisë më të lartë në vend.” Fatmirja thotë se një nga arsyet e nisjes së një biznesi të tillë, ishte kërkesa e tregut si dhe numri i madh i grave të papunësuara, që jetonin në kushte të vështira, nëna vetushqyese dhe kjo ka ndikuar edhe në zgjerimin e biznesit të saj.

“Qysh në fillim pas një analize të tregut e pash se mungon nj produkt i tillë, (Bakllava e gatuar me dorë , me recetë tradicionale), mirëpo interesimi im ishte edhe tregu i shteteve fqinje dhe Europës. Çdo prezantim i produktit si në shtetet fqinje Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnjë e deri në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë, ka qenë tepër interesant dhe i pranueshëm, vetëm se kushti ka qënë certifikimi  (ALDI  Holandë dhe Gjermani, kanë kërkuar certifikimin IFS për bashkëpunim).Unë të vazhdoj të menaxhoj biznesin tim, pastaj edhe fëmijët e mi të më përkrahin për arritjen e objektivave, ku secili prej tyre është menaxher i një sektori dhe secili prej tyre mund të zëvendësoj një tjetër në rast se mungon.”

Fatmirja është një grua energjike me plotë vullnet për punë dhe nuk heq dorë asnjëherë, për këtë arsye ka pasur edhe mbështetjen e institucioneve, atë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë si dhe Dhoma Ekonomike e Grave, e cila e ka shpërblyer Fatmiren me çmimin “Gruaja e Biznesit  më të suksesshëm”, në vitin  2014. Përveç kësaj Fatmirja është edhe specialiste e ushqimit makrobiotik, ku ka trajtuar më shumë se 100 persona. Pas investimit që ka planifikuar të bëjë dhe pas arritjes së objektivave për tu bërë lider në sektorin e ëmbëlsirave tradicionale, duke arritur qarkullimin e parashikuar, Fatmirja mendon të ndajë një pjesë të fitimit për personat dhe institucionet në nevojë.

“Aktualisht i kam të punësuar 26 punëtorë, prej tyre 23 janë gra, dhe jam në investime dhe shpresoj në dhjetor te punësoj edhe 100 gra. Falënderoj shumë projektin PPSE që na ka përkrahur me grant (investim në objekt), me  trajnime, seminare, me ekspertë, këshillime dhe vazhdon me na perkrah për procedurat në vazhdim, të përgatitjes finale të fabrikës, pajisjeve dhe të procedurave të mëtutjeshme të eksportit. Pas realizimit të këtij projekti, punësimit të 100 grave dhe eksportit, do të fillojë procedura e projektit tjetër, në të cilin do të punësohen edhe 1000 gra. Shpresoj që kjo të realizohet në afat dy vjeçar dhe të mos përfundojë me kaq. Dëshira ime e  kamotshme është që të investoj edhe në një objekt alternativ  për të cilin do të përkujdesem personalisht, për trajnimin e stafit për përgatitjen e ushqimit makrobiotik.”

Fatmirja shpreson që këto projekte të realizohen dhe të punësohen sa më shumë gra, që të në këtë mënyrë të ndikojë sadopak në një barazi gjinore e në zhvillimin ekonomik të vendit.

admin

Artikujt e tjetrë