Opinion

Qytetarët evropianë duan të flasin, por frikësohen nga pasojat

35% e qytetarëve të BE-së nuk e raportojnë korrupsionin, sepse kanë frikë hakmarrjen. Si mund ta luftojmë korrupsionin pa kanale të sigurta të raportimit dhe ligje, që në mënyrë adekuate të mbrojmë informatorët?!

 

Një në katër qytetarë në Bashkimin Evropian (BE), beson se raportimi i korrupsionit është gjëja më efektive, që një person mund të bëjë për ta luftuar atë. Për fat të keq vetëm një pakicë e vogël e tyre flasin, kjo  sipas sondazhit të Transparency International, që është publikuar kohët e fundit, e që përfshinë 22 nga 28 shtetet anëtare të BE-së.

Pse ndodh kjo? E thënë thjesht, qytetarët u frikësohen pasojave: 35% e qytetarëve të BE-së janë deklaruar se kanë frikë nga hakmarrja ose nga ndonjë reagim negativ i tillë si humbja e vendit të punës. Në Francë, Holandë dhe Portugali janë 50% e qytetarëve, që e kanë shprehur këtë shqetësim.

Në të njëjtën kohë, shumica e qytetarëve të Evropës, ndihen personalisht të detyruar të raportojnë rastet e korrupsionit. Në Francë, Holandë, Spanjë, Suedi, Britani të Madhe dhe Portugali, më shumë se 80%  e tyre, kanë treguar se do të ndjeheshin të obliguara për të folur nëse ata do të ishin dëshmitarë të rasteve, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin.

Kërkojmë mbrojtjen e informatorëve

Në qoftë se duam ta luftojmë korrupsionin në mënyrë efektive, atëherë duhet ta mbyllim këtë boshllëk. Informatorët në të gjithë BE-në duhet të mbrohen dhe të mbështeten, kur ata raportojnë rastet korruptive apo ndonjë keqbërje të dyshuar. Por, mbrojtja ligjore është e pabarabartë në të gjithë BE-në  dhe e zbehtë apo inekzistente në disa vedne anëtare të saj. Irlanda miratoi një projekt-ligj të fortë në vitin 2014 dhe para pak kohësh Franca kaloi Sapin Loi, i cili përfshinë dispozita për mbrojtjen e informatorëve. Por në vende të tjera si Gjermania dhe Polonia nuk ka progres në këtë aspekt dhe ky proces në Itali ka pasur vështirësi të shumta dhe pa ndonjë rezultat final.

Kjo është arsyeja pse Transparency International dhe shumë organizata të tjera kanë bashkuar forcat në një thirrje për një ligj evropian, që mbron informatorët (whistleblower). Një direktivë e BE-së në përputhje me standardet më të mira për ligje të tilla, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës dhe Transparency International, do të ofrojë siguri për informatorët e gjithë Evropës, duke u garantuar atyre se janë të mbrojtur me ligj.

Qytetarë të guximshëm  si Andrea Forzoso apo John Wilson, kanë zbuluar dhe raportuar me sukses për mashtrime, korrupsion ose rrezik për shëndetin dhe sigurinë publike. LuxLeaks informatorët Antoine Deltour dhe Raphael Halet, kanë ndihmuar që të hedhin dritë mbi praktikat e dëmshme si shmangien e taksave, duke çuar në një debat të gjerë në lidhje me transparencën e taksave dhe rregullimin e rregullave dhe rregulloreve të lidhura me këtë fushë.

Por pa mbrojtje ligjore, personat në fjalë janë të rrezikuar në vazhdimësi. Shumë prej tyre përfundojnë në gjykatë ose humbasin vendin e punës, pavarësisht se dhënia e informacioneve nga ta është e rëndësishme për të mbrojtur interesin publik.

Kjo duhet të ndryshojë: në qoftë se duam ta çrrënjosim korrupsionin dhe llojet e tjera të keqbërjes, atëherë duhet t’i mbrojmë informatorët dhe tu garantojmë atyre mbështetjen e duhur.  Një direktivë e BE-së, do të ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe në drejtimin e duhur.

admin

Artikujt e tjetrë