Kulturë

Investim në arsim dhe lidershipin kosovar

“Suksesi juaj do vendoset nga guximi juaj, nga vetëbesimi juaj, dhe nga puna juaj individuale”

 Të kontribuosh në një nga shtyllat kryesore të një shteti si është arsimimi do të thotë të investosh në jetën e secilit qytetar. Ajo çfarë mësojnë sot, reflektohet nesër. Demokracia, arsimimi, barazia gjinore nuk trashëgohen, ato mësohen dhe adaptohen nga gjenerata në gjeneratë. Sot ekzistojnë hapësirat që të rinjtë të jenë një aset i rëndësishëm i proceseve të vendit tonë, Programi për Lidership Transformues, është një mundësi e artë për të përfituar dhe investuar në karrierën e tyre. Programi për Lidership Transformues është një program që i dedikohet zhvillimit të një kuadri të liderëve që do kontribuojnë në fushat sociale, politike dhe ekonomike. Ky program është realizuar me mbështetjen e popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar-USAID, Kosovë. Qëllimi i tij është investimi tek të rinjtë që aspirojnë të jenë sa më profesional në sferat që do të përcaktohen në karrierën e tyre. Ky program 5 vjeçar është i përberë prej shumë komponentëve, ku një ndër ta janë edhe trajnimet intensive, ku qytetarët e Kosovës mund të përfitojnë trajnime falas për përgatitje për studime të mëtutjeshme si gjuhë angleze, matematikë, aftësim të përgjithshëm studimi jashtë shtetit dhe kurset përgatitore për testet standarde si TOEFL, GRE dhe GMAT. I gjithë programi ofrohet në gjuhën angleze. Deri në vitin 2019, gjithsej 1,150 do përfitojnë nga ky komponent. Ndërsa një prej kushteve për të marr pjesë është se të gjithë pjesëmarrësit duhet të jenë qytetare të Kosovës dhe prioritet për regjistrim në këtë program, kanë studentët që janë në vitin e fundit të studimeve universitare, studentët që kanë përfunduar nivelin bachelor dhe studentët që janë në vitin e fundit të shkollës së mesme e që dëshirojnë të studiojnë në një universitet anglisht-folës. Ndërsa në komponentin Trajnime për Shërbyes Publik, rreth 1,000 zyrtarë qeveritarë në nivel qendror dhe komunal, do të përfitojnë trajnimin një-semestral në Zhvillimin dhe Hartimin e Politikave Publike dhe Lidership.

ceremonia_trajnime-intenzive

Ky komponent ligjërohet nga profesorët e departamentit të Politikave Publike në RIT KosovaTM, dhe ligjërohet në të tri gjuhet zyrtare: shqip, serbisht dhe anglisht. Për të qenë pjesë e këtij  komponenti, te gjithë shërbyesit publik duhet t’i përmbushin këto kritere: të kenë përfunduar së paku studimet universitare bachelor dhe të kenë së paku 2 vite përvojë në sektorin e shërbimit publik. Kandidatët e mundshëm nga grupet në pozitë të pafavorshme (personat me qasje të kufizuar në burime siç janë femrat, personat me aftësi të kufizuara, pakicat dhe personat LGBTI) inkurajohen fuqishëm që të aplikojnë në të dy komponentët e këtij programi.  Për të na folur më shumë rreth këtij projekti dhe implementimit të tij në Kosovë, sjellim drejtoreshën e Programit të Lidershipit Transformues komponenta Trajnime Intenzive dhe Trajnime për Shërbyes Publik, Ylberina Morina Mala dhe zëvendës drejtoreshën e këtij programi, Peonare Caka.

Foto: Shenoll Zehri

 

ylberina_finale

Ylberina Morina Mala

Drejtoreshë e Programit të Lidershipit Transformues

Kemi plotë shembuj të grave që inspirojnë me seriozitetin, përkushtimin, dashurinë për punën dhe kontributin që japin në shoqërinë tonë,. Besoj fort se çdo grua e ka vullnetin, përgatitjen e kurajon që, ashtu siç rrit me përkushtimin maksimal fëmijët e saj, me të njëjtin përkushtim të kontribuojë në sferën publike. Ylberina Morina Mala, nënë e dy fëmijëve, Diellës dhe Artit, vazhdon ngjitë suksesshëm shkallët e karrierës. Pasi përfundon studimet universitare, punësohet në Institutin për Trajnim dhe Zhvillim pranë RIT KosovoTM. Para se t’i bashkëngjitet programit të USAID-it, Ylberina ka udhëhequr dhe implementuar projekte të ndryshme në fushën e biznesit dhe menaxhmentit në TDI.  Ndërsa tani në krye të këtij projekti ajo na rrëfen rrugëtimin e saj në krye të këtij projekti.

Sa është e vështirë për një grua të gjendet në një pozitë udhëheqëse?

Fillimisht nuk e mendoja si të vështirë pasi që kisha përgatitjen dhe përvojën e duhur për të udhëhequr drejt sukseseve këtë projekt. Mirëpo, nuk kisha paraparë vështirësitë me të cilat do të ballafaqohesha në familje, pasi që pozita udhëheqëse pa dyshim që më ka shkurtuar kohën me familje, sidomos me fëmijët e mi. Pozitat e tilla udhëheqëse zakonisht nuk kanë orar të paracaktuar, andaj shpesh herë më duhet të punoj edhe nga shtëpia. Vullneti dhe përkushtimi për arritje të rezultateve pozitive në këto dy sfera, më ka shtyrë që të angazhohem shumë më shumë si në fushën profesionale ashtu edhe atë personale. Në këtë mënyrë, tentoj që t’ju përkushtohem edhe punës edhe familjes në të njëjtën kohë, duke organizuar dhe planifikuar kohën më mirë, pasi që koha zakonisht është armiku ynë më i madh.

Çfarë e bënë të suksesshme një grua në karrierë?

Pa dashur të bej krahasime apo diskriminime në baza gjinore, apo çfarë do tjera, bota e sotme vazhdon të dominohet nga njerëzit e suksesshëm dhe të aftë. Për të arritur një pozitë udhëheqëse duhet pa dyshim punë dhe përkushtim të pandërprerë. Një femër duhet të punojë shumë që të arrijë aty ku ajo dëshiron. Strategjia e parë dhe kryesorja që një femër duhet të koncentrohet është edukimi – e cila mund të cilësohet si arma më e fortë sekrete, jo vetëm tek femrat, por tek të gjithë. Përgatitja akademike është kyç për një avancim të mëtutjeshëm në karrierë. Në kohën e sotme, suksesi është i varur në mënyrë direkte nga edukim dhe trajnime të ofruara kryesisht nga kolegjet dhe universitetet në vend dhe jashtë, andaj ka shumë mënyrë që femra të përfitojë nga çfarëdo lloj edukimi që ajo synon. Siç thotë Zonja e Parë Michelle Obama “Suksesi juaj do vendoset nga guximi juaj, nga vetëbesimi juaj, dhe nga puna juaj individuale”. Prandaj, nëse një femër synon që të jetë e suksesshme nuk është asnjëherë vonë që të marrë guximin për edukim apo avancim akademik shtesë, duke ndjekur një trajnim, program kolegji apo universiteti, pasi që suksesi do të jetë i pa evitueshëm.

Si ka ndikuar përvoja akademike në aftësitë tuaja profesionale?         

Gjatë kohës së studimeve mu dha mundësia të punësohem në organizata dhe kompani të ndryshme kryesisht të orientuara ne fushën e konsulencës dhe menaxhimit në të cilat përvoja akademike më ka ndihmuar që të profilizohem dhe drejtohem më mirë tek fushat më me interes për mua, pasi që vetëm se kisha njohurinë dhe praktikën. Në kohën kur vendosa që t’i bashkëngjitëm TDI-së, falë përvojës akademike paralelisht fitova edhe përvojë të punës, andaj u konsiderova si aset i dobishëm për këtë institucion. Si e tillë, vazhdoj të kontribuoj tash e gati 10 vite.

Çfarë i këshilloni vajzat/gratë që aspirojnë të jenë të suksesshme në profesionin?

Këshilla ime për të qenë e lumtur dhe e suksesshme në punën që bën, është të gjej profesionin që me të vërtetë e dashuron. Asgjë nuk të bënë të lumtur se sa puna që e bën me zell dhe kënaqësi, në të cilën ndjehesh rehat. Gjithashtu, krijimi i një rrjeti të besueshëm të mentorëve dhe kolegeve është shumë i rëndësishëm. Njerëzit e besueshëm rreth nesh, mund të na japin një pasqyrë të mirë të vetes sonë, por edhe të mangësive tona. Duhet të jemi të gatshëm që të pranojmë si lëvdatat dhe urimet për sukseset e arritura, por edhe ato vërejtjet dhe rekomandimet për t’u përmirësuar.

peonare_finale

Peonare Caka

Zëvendës drejtoreshë e Lidershipit Transformues

 

Një pozitë mjaftë sfiduese dhe një eksperiencë e suksesshme për Peonaren, pavarësisht se sfera e saj akademike është e fokusuar kryesisht në Ekonomi, megjithatë ajo ka qenë pjesë e sektorit publik, si Këshilltare Politike për Analiza Ekonomike në Ministrinë e Bujqësisë. Sukseset dhe eksperiencat e Peonares përfshijnë edhe punën e saj si drejtoreshë e Institutit për Trajnim dhe Zhvillim në RIT RIT KosovoTM, para angazhimit të saj në projektin e USAID-it dhe angazhimit si ligjëruese e lëndës së Matematikës dhe Statistikës për nivelin universitar, në ofrimin e trajnimeve të ndryshme të realizuara në bazë vullnetare për studentët e shkollave të mesme dhe fëmijëve të fshatit SOS Kinderdorf. Një listë e gjatë e angazhimeve, pozitave dhe një eksperiencë e larmishme, që vë në pah punën e palodhshme, vullnetin dhe nivelin akademik të saj. Në këtë intervistë, e kemi pyetur Peonaren për sfidat dhe sukseset, duke sjellë për lexuesit tanë një rrëfim përtej kornizave.

Një grua në një pozitë udhëheqëse, si funksionon në vendin tonë?

Më shumë do e quaja sfiduese se sa të vështirë. Sfidat janë atraktive dhe të shtyjnë drejtë përmirësimit dhe avancimit. Në realitet, sfida theksohet edhe më shumë kur gjinia kombinohet me moshën e re, një konstalacion atributesh që nuk pasqyrohet shpesh tek një udhëheqës tipik. Përkundër kësaj, gjatë viteve si jo udhëheqëse kam mësuar shumë se çfarë ka ndikuar në motivimin tim si pjesë e një ekipi. Tash që kam pasur mundësinë të jem në rol tjetër në dy raste, vazhdoj ta shoh veten pjesë të ekipit dhe e shfrytëzoj komunikimin si kanalin kryesor për të influencuar ekipin për të besuar në misionin tonë të përbashkët. Në fund, roli i udhëheqësit nuk do të thotë asgjë nëse ekipi nuk beson në misionin e tij/saj.

Por cilat janë elementet që e bëjnë të suksesshme një grua në karrierë?

Nuk kam përgjigje definitive për këtë, por besoj se edhe nëse do e kisha përgjigjen e saktë do përkonte me suksesin e një individi në karrierë, pa dallim gjinie. Suksesi, nëse veç arrijmë ta përkufizojmë me një definicion universal, nuk është i lehtë dhe gjithsesi se është mjaft relativ. Çfarë kam arritur unë të përjetoj dhe të observoj rreth vetes gjatë viteve, është se një individ nuk mund të konsiderohet i suksesshëm nëse nuk ka arritur të ketë ndikim dhe ndryshim pozitiv në shoqëri.

Si ka ndikuar përvoja akademike në aftësitë tuaja profesionale?

Për mua përvoja akademike dhe ajo profesionale kanë qenë gjithnjë të ndërthurura, pasi që kam punuar që nga fillimi i studimeve universitare. RIT KosovoTM ka qenë shtëpi e dytë për mua për shumë vite, pasi që përveç aftësimit akademik më ka ofruar edhe mundësi punësimi. Përkundër shkëputjes tri vjeçare nga institucioni, që më ka pajisur me eksperiencë shtesë nga jashtë dhe sektori publik, pasioni për sektorin e edukimit të vazhdueshëm më ka bërë që të rikthehem dhe të angazhohem në projekte të ndryshme, që synojnë aftësimin e individëve, qoftë për vazhdim në arsim të lartë, qoftë për qasje në tregun e punës.

Çfarë i këshilloni vajzat/gratë që aspirojnë të jenë të suksesshme në profesionin?

Duke marrë parasysh ndryshimet e vazhdueshme në tregjet globale, mësimi i vazhdueshëm dhe kureshtja janë elemente kyçe për të arritur sukses. Të qenët e udhëhequr nga kureshtja është shumë e rëndësishme, sepse kontribuon në nxitjen e ideve të reja, krijimin e ambienteve më atraktive për ekipin si dhe hapjen e mundësive për zhvillim dhe inovacion. Kureshtja manifestohet me të bërit pyetje që kontribuojnë në mësim të vazhdueshëm, hapje të mundësive për negocim të informuar dhe gradualisht edhe depërtim të mirëfilltë në karrierë. Dhe për fund, të rrethohesh nga persona të besueshëm është më se i rëndësishëm, qoftë në aspektin personal qoftë në atë profesional. Unë e konsideroj veten me fat në këtë aspekt sepse më është dhënë mundësia të bashkëpunoj me individë të tillë, e sidomos në projektin aktual.

admin

Artikujt e tjetrë