Gruaja

Gruaja dhe prona… beteja që duhet të nisë në familje

Nga Jonida Balla

Të investosh në fuqizimin ekonomik të gruas do të thotë të investosh në të ardhmen. Pavarësia ekonomike dhe përmbushja personale, së bashku me arsimin, janë thelbësore për emancipimin e grave. Informimi dhe vetëdijesimi i shoqërisë për të drejtat themelore siç është e drejta e pronës për të dyja gjinitë mbetet një sfidë aktuale në Kosovë. Sigurisht që fuqizimi i grave, më shumë se një qëllim, është një proces kompleks, i cili kërkon mbështetjen e të gjithë faktorëve, por mbi të gjitha vendosmërinë dhe vullnetin e vet gruas. Në këtë numër do të trajtojmë të drejtën e pronës dhe trashëgimisë në pronë, duke pasur parasysh se Kosova ka përqindjen më të vogël krahasuar me rajonin, të grave si pronare apo trashëgimtare.  E drejta pronësore e grave në  një vend është sa një e drejtë aq edhe një domosdoshmëri. E drejtë pasi është e shkruar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ndërsa domosdoshmëri pasi t’i mohosh apo të mos inkurajosh përafërsisht gjysmën e popullatës të mos gëzojë një nga të drejtat e lindura, do të thotë ta këpusësh një zinxhir natyral të barazisë gjinore, të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), i implementuar nga organizata Swisscontact në bashkëpunim me Institutin Riinvest dhe organizatën PEM Consult dhe i financuar nga Zyra Zvicerane në Kosovë, në bashkëpunim me Rrjetin e Grupit të Grave (RRGGK) po bashkëpunojnë në këtë  fushë për ngritjen e vetëdijes tek burrat, gratë, djemtë dhe vajzat për rëndësinë e regjistrimit të pronës në emër të grave ose në bashkëpronësi dhe bartjen e trashëgimisë edhe tek vajzat.Alida Muhaxhiri, zyrtare për Fuqizimin Ekonomik të Gruas në PPSE-Swisscontact, tregon se e drejta e gruas në trashëgimi është një çështje që kërkon trajtim të përgjithshëm, pasi baza ligjore ekziston dhe është në rregull, por hallkat e sistemit lokal dhe qendror, të cilët në këtë mënyrë vështirësojnë tërë procesin duke shkelur edhe dispozitat ligjore. Qëllimi kryesor mbetet inkurajimi i grave, sidomos i atyre që për arsye të ndryshme nuk gjejnë forcën dhe mbështetjen për të besuar në vetvete dhe në fuqizimin ekonomik të tyre. Informim dhe vetëdijesim te e gjithë shoqëria se nuk duhet të ketë barriera gjinore dhe kulturore. Më shumë në lidhje me këtë çështje, Alida ndanë me lexuesit tanë më shumë informacione nëpërmjet kësaj interviste.

E drejta pronësore e gruas, mendoni se është sfida më e madhe për barazi gjinore?

Konsideroj që çështjet pronësore janë një ndër sfidat kryesore në emancipimin dhe fuqizimin e gruas në pikëpamje të të drejtave, e po ashtu në pikëpamje ekonomike. Gjithsesi se prona është çështje në të cilën, ne përgjithësisht si shoqëri ngecim, veçanërisht femrat/gratë.

Sipas hulumtimeve që keni bërë si projekt, cila palë në këtë çështje, burrat apo gratë, janë më pak të informuar për të drejtën mbi pronë?

Informimi mungon tek të dy palët. Do thosha edhe tek femrat/gratë për të drejtën e tyre në trashëgimi ose edhe në pronë, të fituar pas-martesës; e po ashtu edhe tek meshkujt, të cilët kryesisht falë ‘traditës’, e konsiderojnë me automatizëm pronën e paluajtshme të trashëguar si të drejtë të tyre ekskluzive, duke përjashtuar në të shumtën e rasteve motrat në veçanti nga e drejta në trashëgimi. Gjithashtu, është shqetësuese që prona e fituar gjatë martesës konsiderohet si pronë e burrit duke njohur vetëm kontributin ekonomik që në Kosovë për fat të keq në shumicën e rasteve e japin burrat dhe duke harruar kontributin shtëpiak të gruas. Është me rëndësi të ceket që kontributi në krijimin e çdo pasurie pas martesës, si kontribut i përbashkët. Megjithatë, ky mentalitet është duke ndryshuar, sidomos në pjesët urbane e në veçanti në Prishtinë. Çiftet e reja kanë tendencë të regjistrojnë pronën e përbashkët, megjithatë kur vjen tek çështjet e trashëgimisë, kjo mbetet sfidë e cila duhet “luftuar”.

Cila është gjendja aktuale sa i takon plotësimit të kësaj të drejte për gratë?

Përgjithësisht gjendja nuk është e mirë, ka shumë mungesa në plotësimin e të drejtës së gruas si trashëgimtare ose pronare në pronën e përbashkët, të fituar pas martesës. Baza ligjore ekziston dhe është në rregull, megjithatë hallkat e sistemit kanë mungesa dhe shpërfillje nga ana e zyrtarëve të cilët në raste neglizhojnë dispozitat ligjore. Në nivelin lokal ka mospërfillje të ligjit me rastin e regjistrimit të pronës  ose fillimit te procedurës së trashëgimisë, e cila duhet të bëhet sipas detyrës zyrtare me rastin e nxjerrjes së akt-vdekjes. Noterët me rastin e tjetërsimit të pasurisë ose regjistrimit të çfarëdo transaksioni, janë të obliguar që të ftojnë të dy palët të jenë prezentë, pavarësisht a janë ligjërisht gratë të regjistruara si bashkëpronare ose jo, ngase e drejta pasive në pronë ju garantohet me Ligjin për Familjen, e po ashtu edhe me Ligjin për Barazi Gjinore, e që nuk përfillet në të gjitha rastet. Është shqetësues edhe sistemi gjyqësor, pasi që jo në të gjitha rastet ka angazhim për evidentimin e të gjithë trashëgimtarëve, e që fatkeqësisht në shumë raste trashëgimtaret femra fshihen si të tilla nga trashëgimtarët meshkuj. Andaj, konsiderojmë se i gjithë sistemi ka mungesa dhe nevojitet që nga të gjitha nivelet, të angazhohemi tutje për të përmirësuar pozitën e gruas në pjesëmarrjen e saj në pronë, ngase janë vitale në mbrojtjen e interesave të tyre.

Ju si PPSE çfarë keni ndërmarrë në këtë drejtim?

Qëllimi i PPSE në këtë fushë, (kjo është vetëm një nga fushat në të cilat punon projekti), është që përmes partnerëve (ofruesve të shërbimeve) të adresojë barrierat, që pengojnë gratë ne përdorimin e të drejtës së tyre në pronë të përmirësojë pozicionimin e tyre në shoqëri si dhe statusin brenda familjeve të tyre. Me posedim të pronës rritet edhe mundësia, që të kenë qasje me të lehtë në financa e kështu ta kenë më të lehtë për të investuar dhe për të marrë vendime në bizneset e tyre. Një gjë e tillë, në njërën anë do të rriste vetëbesimin e grave si dhe njohjen e rolit të tyre në shoqëri dhe në anën tjetër të inkurajojë ato që të marrin më shumë përgjegjësi në sferën ekonomike, si dhe të rrisë fuqinë vendimmarrëse. Aktivitet që ka ndërmarrë PPSE në bashkëpunim me partnerët për t’i arritur këto qëllime janë të natyrave të ndryshme duke filluar nga kampanjat vetëdijesuese për burra, gra, vajza dhe djem; përkrahje direkte me ndihmën e këshilltarëve ligjor në inicimin e regjistrimit të pronave, e gjithashtu në bashkëpunim me institucionet financiare, ofrimi i produkteve financiare bashkë me informata dhe përkrahje për regjistrimin e pronës.

Sipas jush, gratë heqin dorë nga prona për shkak të mungesës së informacionit apo mendësisë?

Mendoj që të dy këto arsye, mungesa e informacionit dhe normat tradicionale janë prezente dhe të ndërlidhura. Gjithashtu është evident edhe “besimi dhe pritshmëria” nga ana e meshkujve, që motrat/gratë të mos trashëgojnë, duke konsideruar se prona duhet të mbetet vetëm e tyre.

Cilat janë hapat e mëtejshëm për informimin dhe zbatimin e kësaj të drejte?

Kampanjat informuese për të drejtat e grave janë të nevojshme, gjithashtu, ngritja e kapaciteteve të zyrtarëve lokal e gjyqësor për këtë fushë, edukimi formal shkollor për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme për barazinë gjinore në trashëgimi dhe pronë e po ashtu, edhe gjykimi dhe dënimi i të gjithë atyre që shkelin të drejtën e gruas/femrës në të drejtën për trashëgimi dhe pronë. Konsideroj që pronësia mundëson zhvillimin ekonomik të gruas, në fillimin e bizneseve dhe përgjithësisht në mirëqenien e saj.

admin

Artikujt e tjetrë