Gruaja

E drejta e pronës dhe mirëqenia e gruas

Shkumbin Asllani/ Koordinator i projektit

Çfarë kujdesi duhet të bëj unë-gruaja, për mbrojtjen nga diskriminimi në të drejtat pronësore? Çfarë është ‘heqja dorë’ nga trashëgimia? Nëse pasuria është fituar gjatë kohës që jemi të lidhur në martesë, por është regjistruar në emër të bashkëshortit, a kam unë të drejta pronësore? Këto janë vetëm disa nga pyetjet e shpeshta që ngrihen nga ana e grave në lidhje me të drejtën për të pasur pronë apo për ta trashëguar atë. Shkumbin Asllani, koordinatori i projektit mes PPSE dhe Rrjetit të Grupit të Grave,  nënvizon faktin se mosinformimi dhe mendësia e trashëguar ndër dekada në vendin tonë janë dy nga pengesat kryesore dhe sfidat në këtë proces. “Ekzistojnë dy faktorë kryesor, të cilët ndikojnë në mos regjistrimin e pronës në emër të gruas;- i pari ka të bëjë me mentalitetin, që është në Kosovë e që patjetër ndërlidhet me varfërinë. Rreth viteve të 90-ta gruaja nuk ka qenë e orientuar tek çështjet e  trashëgimisë, për shkak se është konsideruar se kur të martohet nuk i përket trashëgimia familjare. Megjithatë, kjo traditë ka filluar të ndryshojë viteve të fundit. Baza ligjore ekziston dhe gruaja duhet patjetër të trashëgojë pronë, gjithashtu duhet të jetë bashkëpronare në pronën që krijohet pas martesës. Faktori i dytë është mungesa e informimit, apo mosinformimi i grave për të drejtat që u takojnë. Kjo vlen edhe për burrat, të cilët nuk kanë informacione për këtë, që ligjërisht pasuria duhet të ndahet. Si shkak për këtë është se në shumicën e rasteve ligjet kalojnë pa u debatuar dhe pa i njoftuar qytetarët.”– shprehet z.Asllani. Dy arsye të rëndësishme, të cilat ende dhe sot  kanë pasojat e tyre në shoqërinë tonë duke e lënë vendin me statistikat më të dobëtat në rajon sa i përket të drejtës pronësore. “Nëse i shikojmë statistikat janë me të vërtetë befasuese edhe zhgënjyese sepse vetëm 14 % është pronë e regjistruar në bashkëpronësi ose në emër të gruas në Kosovë, që për fat të keq është përqindja më e ulët në rajon. Çështjet pronësore ndikojnë edhe në aftësitë kredituese të familjeve. Prona është thelbësore kur duam të marrim një kredi për të filluar një biznes, nga më i vogli deri tek ai më i madhi. Tregu hipotekar në Kosovë është 360 milion Euro ndërsa në Maqedoni është 5 miliard Euro, që tregon një dallim të madh në zhvillim ekonomik edhe çështjet pronësore në përgjithësi. Pra, çështja pronësore është jashtëzakonisht e ndërlidhur me pavarësinë ekonomike.”- thotë ai.  Por iniciativa si ajo e PPSE-së apo Rrjetit të Grupit të Grave, duket se po japin rezultatet e para pozitive, një gjetje sa origjinale, po aq efektive. “Në kuadër të bashkëpunimit me RrGG kemi ndërmarr iniciativa të ndryshme për të informuar dhe vetëdijesuar gratë për të drejtat e tyre në lidhje me pronën. Së pari, kemi aktivistet në 5 qytetet më të mëdha të Kosovës, të cilat shkojnë derë më derë duke i informuar familjarët dhe diskutuar për çështjen e pronës dhe të drejtën e grave në të. Së dyti, kemi gjetur një formë artistike që quhet Forum teatër nëpërmjet Artpolis, ku aktorët pas lojës në skenë, debatojnë me publikun për këtë çështje. Gjithashtu në të gjitha rastet që ka nevojë ne organizohemi dhe ju ofrojmë atyre asistencë ligjore dhe financiare. Deri sot pas 6 muaj punë kemi rreth 100 raste që kanë dhënë rezultate pozitive.”- tregon koordinatori. Projekti i nisur është ndërlidhur me Udhëzimin Administrativ aprovuar disa muaj më parë, në mënyrë të tillë që të rritet numri i grave të cilat regjistrojnë pronën në emrin e tyre dhe me qëllim kryesor fuqizimin ekonomik të gruas sepse prona është fundamentale për zhvillim ekonomik.

valbona

Valbone Rizvanolli/ Aktiviste Gjakovë

Sipas- znj.Valbone Rizvanolli – projekti për Informim dhe Vetëdijesim për të Drejtat Pronësore të Grave, edhe në qytetin e Gjakovës është vlerësuar pozitivisht nga qytetarët dhe institucionet, të cilët kanë shprehur interesim dhe gatishmëri, që të marrin pjesë në këto aktivitete. Ky projekt ka bërë ndryshime në avancimin e barazisë gjinore dhe në veçanti për çështjen e trashëgimisë. “Përvoja e gjatë profesionale e stafit të organizatës ka qenë bazë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave e në veçanti të së drejtës pronësore dhe trashëgimore në komunën e Gjakovës. Organizata e ka përdorur përvojën e saj të punës me gratë në këto fusha, lidhjet e saj me qeveritë lokale dhe komunitete, si dhe përvojën e saj të mirë dhe lidhjet e saj me institucione të ndryshme për zbatimin e aktiviteteve të projektit me autoritetin e saj dhe reputacionin në komunë. Falë reputacionit tonë si organizatë dhe si një staf profesional ne kemi arritur të zbatojmë projektin duke ruajtur me sukses kontakte të vazhdueshme me përfituesit, gjykatat dhe institucionet. Shpresojmë të kemi një vazhdimësi të një projekti të tillë, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi jo vetëm në komunën e Gjakovës, por edhe në komunat e tjera, për shkak se një projekt i tillë kërkon një kohë të gjatë për të ndryshuar mentalitetin, traditat, ngritjen e vetëdijes, dhe të shohin me shumë rezultatet e punës së kryer. Ka ende një nevojë për të rritur ndërgjegjësimin në mesin e grave në Kosovë në lidhje me të drejtat e tyre të pronësisë ligjore dhe përfshirjen në drejtësinë efektive. Gjithashtu dua të cekë se nëpërmjet këtij projekti gratë dhe vajzat kanë marrë mesazhe të qarta nga ne, që mos të heqin dorë nga trashëgimia dhe të regjistrojnë pronën e përbashkët. Kemi pasur  diskutime të frytshme ku gratë ishin të frymëzuar për të folur për të drejtat e tyre. Mirëpo gratë nga brezi i vjetër mendojnë se është e turpshme për gratë të kërkojnë të trashëgojnë pronë nga prindërit e tyre, ndërkohë që gjeneratat e reja nuk  hezitonin  të konsiderojnë atë si të drejtë që askush nuk mund tua mohojë.” – tregon znj. Rizvanolli, duke evidentuar këto rezultate në Gjakovë;

– 8 çifte bashkëshortësh kanë regjistruar pronën e përbashkët në Gjakovës me ndihmën e projektit.

-4 raste kanë iniciuar procedurat për zgjidhjen e çështjes trashëgimore dhe pronësore në Gjakovë.

-2 raste janë në procedurë për t’u zgjidhur me ndërmjetësim për trashëgimi dhe pronësi.

-2 raste gra të Shtëpisë së Sigurt kanë fituar banim social nëpërmjet komunës së Gjakovës.

-50 raste ku çifte bashkëshortësh kanë regjistruar pronën e përbashkët në Gjakovë.

?

Vjosa Curri Simitci /Aktiviste Prizren

“Meqë projekti është i dizajnuar që derë më derë të bëhen vizitat në familjet dhe të prezantohet mundësia e regjistrimit të pronës me udhëzimin e ri Administrativ gjatë periudhës qershor –tetor 2016 janë vizituar gjithsejtë 172 familje dhe janë bërë kontakte me 470 vajza dhe gra –  dhe 381 djem dhe burra.”,- tregon znj. Vjosa Curri, aktiviste në Prizren. Ajo thekson se janë vizituar familjet në qytetin e Prizrenit dhe në fshatrat përreth-në Has, në Zhur, në Krushë, në Zhupë etj. Gjatë procedurave për regjistrimin e pronës janë ndihmuar dhe asistuar 10 gra dhe planifikojnë t’i realizojnë edhe 22 asistime deri në mbarim të projektit. Znj. Curri tregon se gjatë vizitave në familje është bërë prezantimi i drejtpërdrejt i projektit dhe Udhëzimit Administrativ (QRK) nr.03/2016 për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve ku për qëllim është  të stimulohet regjistrimi i pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të të dy bashkëshorteve në regjistrat publik. “Në kuadër të projektit është mbajtur edhe Forum Teatri me ARTPOLIS ku pas shfaqjes është nisur diskutimi me qëllim të promovimit të regjistrimit të pronës së përbashkët dhe trashëgimisë mbi baza të barabarta gjinore. Në takime me noterë, me zyrtarë komunal relevantë për regjistrimin e pronës, kemi hasur në një barrierë dhe moskuptim të drejt të Udhëzimit Administrativ. Kjo neglizhencë dhe mospranimi i ndryshimeve, që vijnë si Udhëzim me masa të veçanta nuk po realizohet në komunën e Prizrenit. Këtë e dëshmon edhe vet fakti se zyrtarët komunal janë duke punuar me formën e vjetër dhe po kërkojnë pagesë për regjistrimin e pronës prej çdo femre, që lajmërohet në komunë. Janë 268 raste të cilat e kanë regjistruar pronën si bashkëpronare apo si pronare të vetme  pranë Kadastrit Komunal në Prizren për periudhën mars-gusht 2016”- nënvizon znj. Curri. Ajo ndër të tjera shton se krahasuar me vitin e kaluar numri i regjistrimeve është rritur dukshëm dhe se projekti në fjalë është shumë sfidues, pasi në shumicën e atyre që kanë vizituar kanë  vënë re se vendimet rreth investimeve familjare për hapjen e një biznesi të ri apo zgjerimin e atij ekzistues, merren nga burrat e në raste të vogla vendimin e marrin të dy palët. Kjo si pasojë e mentalitetit dhe traditës , që janë ndikues në vendimmarrjen lidhur me çështjen e pronës.

admin

Artikujt e tjetrë