Intervista

Të promovosh Kosovën me art

 Vlerat e Kosovës mund të prezantohen më së miri nëpërmjet artit dhe kulturës, nëpërmjet Qendrës Informative Kulturore të Bashkimit Evropian, artistët kosovarë, po bëhen pjesë e artit të përbashkët evropian. Fjolla Çeku-Sylejmani, zyrtare për informim dhe komunikim pranë Zyrës së BE-së dhe menaxhere  e projektit Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së, tregon më shumë në Flatra për projektet dhe iniciativat e kësaj zyre.

Nga Erdi Bërxulli/Foto: Elisa Nikolla

“KosovArts” është projekti më i fundit që mblodhi bashkë artistët më të mirë të Kosovës, duke përfshirë muzikën, artet pamore, filmin, të cilët me artin e tyre kanë thyer kufijtë, duke iu bashkuar kështu artit dhe kulturës evropiane.  “Në fakt deri më tani nuk ka pasur një iniciativë të tillë, me aq sa kam unë dijeni,  e cila do të mblidhte në një revistë disa prej artistëve më të mirë kosovarë, të njohur brenda dhe jashtë vendit.  Kështu vendosëm të realizonim këtë projekt, një revistë nëpërmjet të cilës do të prezantonim këta artistë. Për të promovuar më të mirën nga kultura kosovare, sepse me të vërtetë këta artistë janë përfaqësuesit më të mirë të Kosovës dhe imazhit të saj. Këtu nuk e kam fjalën vetëm nga aspekti kulturor, por në përgjithësi, ata shkojnë përtej kulturës kosovare ata përfaqësojnë  edhe kulturën ndërkombëtare. Ata tashmë kanë vendosur Kosovën në hartën botërore të kulturës.”- shprehet për revistën Flatra, Fjolla Çeku, zyrtare për informim dhe komunikim pranë Zyrës së BE-së dhe menaxhere  e projektit Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së.

Një projekt, i cili vendos në qendër të vetë artistët, që me punën e tyre kanë arritur të ngjiten në skenat botërore, duke lartësuar dhe bërë më të njohur kulturën tonë.  Por ky nuk është projekti i vetëm që kjo qendër ka realizuar për këtë vit. Sipas Fjolla Çekut, përkrahja e kulturës kosovare është një nga synimet kryesore të kësaj qendre, madje një prioritet, i cili është vendosur prej kohësh nga Bashkimi Evropian për të gjitha vendet që synojnë që në një të ardhme të bëhen pjesë e familjes evropiane. “Qendra Informative Kulturore e Bashkimit Evropian e ka komponentin e kulturës, që në vazhdimësi jemi përpjekur ta potencojmë, jo vetëm nga kultura evropiane, por edhe atë bashkëkohore kosovare. Ndaj gjatë kësaj kohe kjo qendër ka shërbyer si një urë lidhëse mes Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, një projekt që menaxhohet nga zyra. Mirëpo si qendër është më specifike krahasuar me ato që ekzistojnë në rajon sepse ne jemi përpjekur që në titullin e saj të kemi fjalën kulturë. Kjo është një qendër nëpërmjet të cilës ne bëjmë shkëmbime të ndryshme kulturore, përfshijmë vende të BE të organizojnë ngjarje kulturore bashkë me ne. Sepse promovimi më i mirë i vlerave të Kosovës mund të prezantohen më së miri nëpërmjet artit dhe kulturës.  Çdo vit përpiqemi të sjellim diçka nga bota dhe vlera e përbashkët evropiane. Për shembull, dita e Evropës, është një ngjarje e cila i bashkon të gjithë vendet ato që janë pjesë e BE-së, por edhe ato që aspirojnë të jenë pjesë e saj, të dëshmojnë dhe tu gëzohen vlerave të përbashkëta, pse jo dhe të tregojnë vlerat e tyre. Edhe në si qendër çdo vit jemi përpjekur që të organizojmë evente, të cilat kanë sjellë artistë me famë botërore, por edhe artistë shqiptarë, të cilët prej vitesh performojnë në skenat evropiane. Këto ngjarje, janë mënyra më e mirë për të përcjellë këto vlera te publiku.”- tregon znj.Çeku.

Duke qenë se kultura mbetet një nga çelësat kryesor të integrimit të një vendi, shoqërie apo edhe individi, edhe kontributi e përkrahja ndaj saj është shumë e rëndësishme. Vetëm nëpërmjet kulturës dhe artit të tjerët do të na njohin më mirë, do të kuptojnë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë si shtet. Për këtë arsye edhe kjo qendër mbetet një nga kontribuueset kryesore për projektet dhe ngjarjet kulturore në vend. “Kultura zë pjesë të konsiderueshme në programin e asistencës financiare që Bashkimi Evropian ka për fusha të ndryshme në vendin tonë. Dhe përkrahja nuk ka munguar asnjëherë për kulturën në vend. Vlen këtu të përmendet një nga projektet më të mëdha që kemi ndërmarr ne si zyrë, “Kultura për të gjithë”, përmes të cilit shumë artistë dhe organizata kulturore kanë përfituar duke zhvilluar idetë e tyre.  “Kultura për të gjithë” është një adresë për shumë artistë, të cilët tashmë nëpërmjet saj po arrijnë qëllimet e tyre artistike, por nga ana  tjetër po krijojnë një hov të ri për kulturën në vendin tonë. Pjesë e kësaj iniciative janë grupe artistësh të rinj. Për shembull, një grup artistësh të rinj morën pjesë në Panairin më të madh të muzikës që mbahet në Budapest, nga ku arritën të marrin dhe të japin shumë në aspektin profesional. Gjithashtu një grup tjetër regjisorësh dhe dramaturgësh të rinj kanë marrë pjesë në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Ngjarje të cilat kanë pasur ndikim në rrethin artistik por edhe atë shoqëror, sepse janë trajtuar tema të cilat i shqetësojnë me të vërtetë, kjo ishte në kuadër të një fushate për artin dhe kulturën. “ – shprehet Fjolla.

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë