Shëndeti

Dhuna nuk është gjithmonë e dukshme

Megjithëse është një nga format më të përhapura të dhunës ndaj gruas në vendin tonë, dhuna psikologjike nuk perceptohet si e tillë. Në një intervistë për Flatrën, psikologia Kaltrina Kelmendi, flet për simptomat dhe pasojat e dhunës psikologjike.

 

Nuk dëgjojmë shpesh  për dhunë psikologjike, dhe kur dëgjojmë gjithmonë në kuptimin e dhunës ndaj grave: Pse?

Dhuna psikologjike është një ndër format e dhunës ndaj gruas, për të cilën shumë pak flitet dhe shumë pak raportohet. Ajo zakonisht përfshin sjellje si ofendim, përulje, frikësim, kërcënim, izolim, kontroll të lëvizjes dhe forma të tjera, të cilat lëndojnë emocionalisht personin. Studimet e shumta cilësore me gratë dhe vajzat, në lidhja me përjetimet e dhunës tregojnë  se ato e cilësojnë dhunën psikologjike si me të dëmshme dhe më shkatërruese për mirëqenien e tyre në krahasim me dhunën fizike. Madje studimet tjera në lidhje me pasojat e dhunës psikologjike tregojnë se dhuna në përgjithësi si ajo fizike dhe seksuale, por edhe dhuna psikologjike mund të shkaktojë pasoja të rënda për mirëqenien psikologjike të personit, duke përfshire: depresion, ulje të vetëbesimit, stres post-traumatik, dhe mendime e sjellje vetëvrasëse. Një prej arsyeve mund të jetë fakti se zakonisht pasojat e dhunës psikike nuk janë aq të dukshme dhe personat që e përjetojnë këtë lloje dhune e kanë të vështire t’a dokumentojnë. Por gjithashtu, konteksti kulturor si dhe toleranca e lartë ndaj këtyre sjelljeve të dhunshme i bën njerëzit të hezitojnë të flasin dhe të raportojnë këto sjellje, që konsiderohen si të pranueshme dhe madje nuk  cilësohen si dhunë.  Kompleksiteti dhe vështirësia e definimit dhe matjes së dhunës psikologjike është vërejtur edhe në studimin që është bërë nga WHO (2005) në 10 shtete të ndryshme, duke e argumentuar se në  kontekste të ndryshme kulturore definimin i dhunës psikologjike mund të jetë i ndryshëm.

Cila është baza e dhunës psikologjike?

Meqë dhuna si fenomen është mjaft kompleks, arsyet e shfaqjes së janë shumta. Teoritë e ndryshme psikologjike  tregojnë se nuk ekziston vetëm një faktor për shfaqjen e dhunës, por dhuna shfaqet si rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve të vendosur në nivele të ndryshme të njësive ekologjike duke përfshirë ata individual, të lidhjes/familjes ( relationships), komunitetit dhe shoqërisë. Në nivelin individual zakonisht përfshihetn faktorët që ndërlidhen me karakteristikat individuale të individit si gjinia, edukimi, statusi socio-ekonomik. por edhe disa karakteristika psikologjike si tiparet e personalitetit, gjendja e përgjithshme e shëndetit mendor të individit, aftësitë vetë-rregulluese në lidhje me reagimet emocionale, socializmi me dhunën dhe qëndrimet tolerante ndaj dhunës. Në nivelin e lidhjes: zakonisht përfshihen dinamikat familjare apo ato të lidhjes duke përfshire aftësitë komunikuese, aftësitë e zgjidhjes së konflikteve, tendenca për të dominuar mbi partnerin, xhelozia, stresi në lidhje apo familje (relationship distres) dhe kënaqësia në lidhje (relationship satisfaction). Në nivelin e komunitetit dhe shoqërisë zakonisht përfshihen faktorët që kanë bëjnë me gjendjen e përgjithshme në komunitet  si normat rigjide gjinore, pabarazia gjinore, toleranca shoqërore ndaj dhunës ndaj gruas, normat patriarkale, varfëria, papunësia etj.

Ka simptoma që shërbejnë si një thirrje apo alarm, kur një person duhet të fillojë të pyes veten në lidhje me marrëdhënien e tij me partnerin?

Ashtu siç e përmenda edhe më herët dhuna psikologjike zakonisht shumë vështirë dallohet për shkak se nuk definohet si e tillë,por disa prej simptomave të saj mund të jenë:

  • Kërcënimi se partneri do të ju lëndojë juve apo dikë që e keni përzemër
  • Ju thërret me emra të ndryshëm ofendues, apo ju thotë se ju nuk vleni aspak dhe askush nuk do të ju donte juve
  • Izolimi prej rrethit, duke përfshirë familjen, shoqërinë
  • Kontrollimi dhe monitorimi i sjelljeve dhe lëvizjes suaj
  • Përulja apo nënçmimi në publik
  • Fajësimi për çfarëdo që nuk shkon si duhet
  • Kritika për çdo gjë
  • Kërcënimi se do të ju marrë fëmijët

Sa i përket statistikave apo njohurive që keni për shoqërinë tonë, sa e pranishme është dhuna psikologjike tek ne?

Në vendin tonë janë bërë disa studime, të cilat tregojnë për prezencën e dhunës psikologjike qoftë në fëmijë qoftë në lidhje. Studimet e popullatës të bëra nga Rrjeti i Grupeve të Grave në vitin 2008 dhe 2016 tregojnë se rreth 31% e pjesëmarrësve kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë (duke përfshire dhunën fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike). Madje në këtë studimet raportohet se rreth 63% e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë psikologjike gjatë jetës së tyre.

Një studim tjetër i bërë në lidhje me dhunën në çifte me 700 studentë te universitetit të Prishtinës tregon se rreth 60% e vajzave kanë përjetuar dhunë psikologjike në vitin e fundit, prej saj format më të shpeshta kanë qenë: partneri më ka bërtitur, më ka quajtur me emra ofendues, më ka nënçmuar dhe ofenduar dhe më ka bërë të ndjehem keq. Kurse në pjesën kualitative të këtij studimi disa prej arsyeve të dhunës psikologjike janë tendenca për te dominuar dhe treguar fuqi mbi partnerin, ndryshimi i roleve gjinore, fuqizimi i pozitës së femrës në shoqërinë tone si dhe ndjenja e inferioritet që e përjetojnë meshkujt si rezultat i fuqizimit të pozitës së gruas në vendin tonë.

 Cilat janë arsyet pse gratë nuk rebelohen apo nuk e kundërshtojnë dhunën?

Arsyeja e mos rebelimit ndaj dhunës psikologjike, ka të bëjë me faktin se shumica e individëve nuk e perceptojnë atë si dhunë, si dhe ekziston një tolerancë e lartë për këtë lloj të dhunës dhe mungesë e vetëdijes në lidhje me definimin e saj. Shpesh herë dhuna psikologjike konsiderohet si jo aq e dëmshme sikurse konsiderohet dhuna fizike.

 

admin

Artikujt e tjetrë