Shëndet

Autizmi flet është koha të dëgjojmë

shutterstock_62824108

Autizmi është një çregullim neurologjik, e cila identitetin e vet si diagnozë e mori pas Luftës së Dytë Botërore. Përpara kjo sindromë klasifikohej në kategori të çregullimeve të ndryshme. Lidhur me etiologjinë apo shkaktarët e kësaj sindrome ende nuk ka të dhëna përfundimtare. Çdo ditë ka hipoteza të reja mbi këtë çështje të cilat po e hedhin poshtë njëra-tjetrën.

Një pjesë e madhe pajtohet me atë, se shkaktarë janë predispozitat gjenetike të kombinuara me faktorët ambiental. Mirëpo edhe kjo hipotezë ende nuk është vërtetuar. Mbesim me shpresë se kjo enigmë do të zbulohet një ditë të afërt pasi viteve të fundit shkenca po punon me të madhe në këtë drejtim.

Simptomat e qarta bëhet të dukshme tek në fëmijëri të hershme rreth moshës 2 vjeçe. Në disa vende të zhvilluara kjo sindromë po arrihet të vërehet më herët që nga mjekët pediatër, të cilët e përcjellin me kujdes zhvillimin motorik e kognitiv të fëmijës duke u nisur që nga reflekset tek foshnjat e posalindura pastaj gugatjet ose belbëzimet me tinguj ose rrokje e që rëndom shfaqen rreth muajit të 4-6. Të ecurit që duhet të arrihet më së voni deri në moshën 1 vjeç e gjysmë, interesimin e fëmijës për aktivitete e sidomos bëhet edhe më e dukshme rreth moshës 2 vjeçe kur pritet të thonë fjalë ndoshta edhe të paqarta, por e rëndësishme se ata fillojnë të thonë diçka. Simptomat në këtë kohë e më tutje fillojnë të bëhen më të qarta, të cilat arrijnë t’i identifikojnë edhe prindërit si; mungesë e kontaktit me sy. Sjellje steriotipike (përsëritëse), me gjymtyrë trup ose kokë. Bëhen obsesiv (fiksime) në disa gjësende. Indiferent ndaj njerëzve. Mos zhvillimi i gjuhës, i cili mund të jetë shumë i varfër ose fare nuk zhvillohet, mirëpo nuk duhet harruar se ata  mund edhe të flasin por kjo e folur mund jetë e folur me echolali (përsëritë fjalët e të tjerëve) shpesh herë jashtë kontekstit të ngjarjes.

Meqenëse ASD është spektër i gjerë, bën që fëmijët të jenë shumë ndryshe nga njëri- tjetri edhe pse ata mund të jenë në të njëjtën moshë. Kjo varet shumë nga ajo se sa janë fëmijët e dëmtuar. Shpesh herë ata kanë probleme me gjumë. Vuajnë nga hiperaktiviteti me ç’ rast privohen nga koncentrimi i dobët. Mungesa e komunikimit (fëmijët joverbal që nuk flasin fare), ose komunikimi i dobët i bën ata të jenë agresiv duke bërtitur, tërhequr tjetrin në mënyrë të papërshtatshme ose duke përplasur për shkak se nevojat e tyre nuk dinë t’ i shprehin.

Fëmijët me autizëm më së miri mund t’i ndihmojmë me ndërhyrje të hershme. Sot flitet për llojshmëri të terapive. Kam lexuar për terapi diete, terapi oksigjeni etj, por duke mos dashur që asnjërën ta nënvlerësoj terapia e sjelljes ka rezultuar ndër terapitë më të suksesshme për autikët, sipas hulumtimeve shkencore. Në shoqatën “Autizmi Flet” në Prishtinë ku unë punoj përdorim këtë terapi,  specifikisht terapinë ABA  (Applied Behavior Analysis) analiza e sjelljes së aplikuar e cila parim bazë e ka Situatën-Sjelljen-Pasojën me anë të të cilave arrihet të modifikohen sjelljet e papërshtatshme ose të menaxhohen sjelljet. Terapia ABA është terapi edukimi e cila nuk nënkupton mrekullira por ndihmon që përmes aftësive që ka fëmija të plotësohen mangësitë egzistuese që ka fëmija. Krahas ABA punojmë me kurrikulumin ose planprogramin arsimor ABLLS (Assessment of basic language and learning skills) në shqip Vlerësimi i aftësive bazë të gjuhës dhe të të nxënit, e cila na orienton në mënyrë të organizuar për mësimdhënie – mësimnxënie për terapist – fëmijë. Ky kurrikulum njëherit është edhe manual vlerësimi me anë të të të cilit bëjmë vlerësimin individual të fëmijës. Ablls përfshinë në mënyrë të detajizuar fushat bazë të zhvillimit kognitiv të fëmijës duke filluar me detyrat nga më të thjeshtat pastaj duke u vështirësuar në mënyrë përshkallëzuese. Korrikulumi përfshinë fushat si; performancën vizuale, Imitimin motorik, Imitimin verbal, emërtimin, gjuhën e kuptuar, mirëmbajtjen personale, matematikën, sintaksën etj.

Për shkak të mungesë së kushteve ekonomike, profesionale dhe mbështetjeve qeveritare vërtetë është për tu trembur. Derisa vendet e zhvilluara ende janë në studim e sipër dhe tregojnë shqetësime mund ta paramendoni si mund të përjetohet nga familjarët e një fëmije autik. Pastaj, në shoqërinë tonë nuk kemi ende njohuri të mjaftueshme rreth këtij çregullimi, gjë që na bën të pasigurt të ballafaqohen me persona autik. Kjo dukuri e vështirëson edhe më tepër situatën e këtyre familjeve duke mbetur edhe pa ndihmën e shoqërisë. Ndërhyrjet me terapi ABA bëhen individuale që do të thotë një fëmijë një terapist e kjo është më e kushtueshme se sa kopshtet e fëmijëve ku një edukatore ka 6 e më shumë fëmijë. Fëmija autik kërkon më shumë përkushtim, energji, durim dhe kohë, e sot ju mund ta merrni me mend për prindërit e rinj, të cilët janë të ngulfatur me dinamikë të çorganizuar sa mund ta kenë luks.

admin

Artikujt e tjetrë