Kulturë

Të pushtosh Austrinë … me balet

Fotografia: Ashley Taylor

 

Ëndrrat, edhe ato më të mëdha, mund të realizohen. Sukseset e balerinit shqiptar Eno Peçi e vërtetojnë këtë. Një karrierë në balet, e nisur qysh herët në fëmijërinë me përvojat e para mbi skenë për të vazhduar në teatrot botërore.  Eno Peçi prej kohësh tashmë jeton në Vjenë, në kryeqendrën e artit, kulturës, muzikës dhe baletit, ai tashmë është një nga artistët më të vlerësuar në baletin austriak. Ashtu si çdo fëmijë edhe ai pati ëndrrat e veta për të ardhmen, dashuria për vallëzimin ishte ndër më të mëdhatë, kështu që një ditë vendosi ta ndjekë atë.

“Më pëlqente shumë të kërceja kur isha i vogël dhe kështu që prindërit vendosën të më fusnin në një shkollë baleti në tiranë. Në fakt nuk e dija që në shkollat e baletit bëhej balet klasik dhe ku djemtë duhet të vishnin streçe apo geta, në fillim mu duk pak e çuditshme, por me kalimin e kohës filloi të më pëlqente shumë. Kështu që fillova shkollën e baletit në Tiranë ndërsa në vitin 1998 vendosa të vazhdoja më tej studimet në  shkollën e baletit në Vjenë ku edhe u diplomova.” – kështu nisi karriera e një prej emrave më të njohur të baletit, shqiptarit Eno Peçi. Ishte një arsye më shumë emocionale që e joshi në fillim balerinin për të marrë këtë vendim, prej disa vitesh atje jetonte edhe motra e tij, kështu që ai vendosi të jetë pranë saj dhe të provonte shkollën e baletit vjenez.

“Mund të them që ishte fati im që vendosa të vazhdoja shkollën e baletit në Vjenë, pikërisht në një nga kryeqendrat më të mëdha të botës së artit, muzikës operës, baletit etj”.

Pas përpjekjeve të shumta, ditë të lodhshme arriti të prekë suksesin, të ngjitet në skenën e madhe pikërisht falë përkushtimit në mesin e një konkurrence shumë të madhe, ashtu si mund ta kenë vetëm këto kryeqytete botërore, e megjithatë Eno Peçi ia doli mbanë.  E n dirsa përpiqesh të kuptosh botën e një balerini, ndjesitë që i falë baleti ai flet me gjuhën e trupit.

p6280126

“Për mendimin tim ndjesinë që të jep skena është diçka e veçantë. Të kërcesh në  skenë të jepet mundësia të ndjehesh i lirë saqë nganjëherë të  duket sikur zhdukesh në një botë tjetër. Ndërsa muzika është elementi më i rëndësishëm në balet për mua. Muzika është ajo që të frymëzon, ta ndjesh atë në cdo aspekt. Është shumë e rëndësishme që një balerin/e të ketë një farë muzikalitet, ndryshe kot që kërcen.”- shprehet balerini.

Një balerin i suksesshëm si Eno e di që i gjithë ky rrugëtim, suksese të panumërta arrihen falë sfidave që arrin t’i kapërcesh në jetë, sepse ashtu si çdo profesion, edhe ky ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.

“Baleti kërkon shumë përkushtim. Duhet punuar përditë. Duhet të kesh një disiplinë të fortë. Por së pari duhet ta duash si profesion sepse karriera e balerinit/es është shumë e shkurtër. Dhe disavantazhet janë që ke shumë pak kohë për jetën private.”- rrëfen Eno, duke shtuar se sfida më e madhe është që një artist/balerin duhet të zhvillohet vazhdimisht si nga ana teknike por më shumë nga ana  artistike dhe jo të kënaqet me pak, baleti është profesioni ose më mirë arti më i bukur që ekziston, por dhe më i vështiri.

Ndërsa ai nuk ndalet, në kërkim të sukseseve të reja, sfidave dhe plotësimit të pasionit të tij.

“Tani po përgatitemi për baletin “Don Quixote” me koreografi t2 Rudolf Nurejew, pastaj do të  përgatitemi për një mbrëmje baleti me 3 pjesë të ndryshme të koreografëve shumë të njohur si Hans Van Manen, Jiri Kylian dhe Alexander Ekmann. Dhe si mbyllje të sezonit kemi Galen e Rudolf Nurejew që tashmë e kemi traditë vit për vit. Dhe direkt pas Gales nisemi për Zvicër. Ndërsa kam 7 vjet që merrem me koreografinë. Në 1 korrik deri më 9 korrik ndodhem në Zvicër për “Festival of Origen“ . Është hera e katërt që marr pjesë në këtë festival. Këtë vit jam i ftuar përsëri të marr pjesë në festival me një koreografi të re që zgjat  rreth 1 orë. Koreografia do të interpretohet nga balerinët e “Wiener Staatsballett“ (Opera e Vjenës). Pjesa  quhet “JENSEITS“ dhe do të luhet 3 herë së bashku me pjesën e vitit që kaloi, e krijuar gjithashtu për “Festival of Origen“ e titulluar „EXIL“. Këto pjesë përmbajnë idenë dhe konceptin e temës EXODUS. Kështu që unë i jam përshtatur edhe temës që ndodhemi tani, me refugjatet që marshojnë drejt Evropës nga bombardimet e vendeve të tyre ose për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Ose për njerëzit që kanë  në dorë fatet e tyre (refugjateve)  dhe vendosin sipas politikes në favorin tyre. Kjo është  pak a shume përmbajtja e 2 pjesëve që do të luhen. Dhe në gusht fillojnë përgatitjet për koncertin e vitit te ri që  transmetohet çdo  vit më 1 Janar në rreth 80 shtete të botës. Për mua do të ishte hera e 12 që marr pjesë.  Do të luhet një pjesë valsi, e cila quhet “Zieher Walzer“ me koreografi te Renato Zanella. Dhe vitin që vjen, pra sezonin e ardhshëm do të rikrijoj një koreografi të re, e cila quhet “PETRUSCHKA” për Teatrin e Operës së Vjenës, e cila për herë të parë është krijuar nga koreografi i madh Michel Fokine  dhe e kërcyer nga balerini i famshëm rus Vaslav Ninjiskiy. Këtë pjesë unë do ta rikrijoj në një koreografi moderne dhe do të jetë e bazuar në një histori reale. Muzika do të jetë e kompozitorit rus të famshëm Igor Stravinsky. Libreto do të jetë nga unë dhe skenari plus kostumet do të bëhen nga Pavol Juras.”.

admin

Artikujt e tjetrë