Gruaja

Rregulli numër një: Mos u dorëzoni

Forca e karakterit dhe përqendrimi te e ardhmja janë pjesë e kurës, sipas Dritës, e cila ka luftuar gjithmonë pavarësisht se është diagnostikuar.

Nga Besa Gjoni/Foto Elisa Nikolla 

Gjithë historia e saj me kancerin përshkohet nga një frymë luftarake, për të jetuar dhe për të shijuar çdo moment të jetës, ka triumfuar mbi çdo gjë, pa lënë ta gëlltit vetmia, pesimizmi, përkundrazi është një nga gratë e rralla me një humor të jashtëzakonshëm. Drita Mehmeti Kurtolli na lë takimin për intervistë në një vend të veçantë për të, më vonë do ta kuptonim pse…ishte restoranti i vëllait të saj, Arsimit. “Historia ime me kancerin, nuk fillon me mua, por me familjen time…së pari ka qenë sëmurë vëllai im, Arsimi, ka qenë një tronditje e madhe dhe kjo ishte përvoja ime e parë që më ballafaqonte me këtë sëmundje. Pas vëllait e ka pasur burri im dhe të them të drejtën, disi u bëra imune, lexoja si ta trajtonim, çfarë të hanin, mënyra e jetesës e gjithçka tjetër. Nuk më shkonte kurrë mendja se edhe unë do të përballesha një ditë me kancerin…isha aq e preokupuar me vëllain dhe burrin.” -e nisë rrëfimin, Drita, një grua rreth të 55-ve, nënë e tre fëmijëve. Në fakt gjithçka ndodhi krejt papritur, kur vajza  e saj e madhe, Edona, kishte një shqetësim dhe ajo shkoi thjeshtë ta shoqëronte për një kontroll, me atë rast u vizitua edhe ajo, ndërsa onkologia Emine Disha, do ta paralajmëronte se kishte një gjëndër në gji, të cilën duhet ta kontrollonte çdo 6 muaj. “Nuk i kushtova rëndësinë e duhur, por pas një kohe, një mikja ime, Adelina, më  kishte bërë takimin te një mjeke në Shkup, u “detyrova” në një farë mënyre të shkoja. Ekzaminimi zgjati pothuajse gjithë ditën. Mjekja më tha se “gjithçka që ke lëre anash sepse tani të duhet të merresh me veten”.  Isha vetëm, ndjeva për një moment një shtrëngim. Ato janë momente që sado mundem t’i përshkruaj nuk mundem…janë fjalë që të ndryshojnë, e vetmja pyetje që i bëra vetvetes ishte: “pse mua?” Por ndërkohë e kisha atë bindje dhe ndjenjë në vete se do ta kaloja edhe unë, si vëllai dhe burri im. Kthehem në Prishtinë dhe së bashku me bashkëshortin shkojmë edhe te dr.Elvisi, të cilin e çmoj shumë, edhe ai na dha të njëjtën diagnozë. Falë një mjeku  familjar, dr. Nderim Juniku, i cili ka qenë mjek i vëllait tim, më rekomandoi të shkoja në Heidelberg, megjithëse e kam pasur si pikë referimi sepse edhe burri im është shëruar atje.”

drita1

Ishte fundviti i 2013-së kur shkoi në Heidelberg për vizitën e saj të parë, ku ia bënë të gjitha ekzaminimet  dhe më pas ia përcaktuan operacionin pas Vitit të Ri. “U ktheva në Kosovë, bëmë fejesën e vajzës së dytë, Rinës, sapo isha diagnostikuar,  pritëm Vitin e Ri, në familje, me fëmijët e mi. Nuk e ka ditur askush, përveç burrit. Nuk kam pasur frikë, kam qenë e bindur që do ta kalonim edhe këtë. Nuk e di pse?! U operova në 10 janar 2014, në shkurt fillova me kimioterapinë e parë, më treguan gjithçka se çfarë do të më ndodhte, më thanë për dhimbjet, flokët. Pasi e mora kimioterapinë  e parë kam dalë me burrin në Heidelberg për të blerë paruke … i mora dy …përpiqesha t’i gjeja sa më origjinale. Mes batutave të burrit, i cili përpiqej të ma bënte sa më të lehtë atë moment, në fakt gjatë gjithë trajtimeve të mia me kimioterapi, plotë 8 muaj, ai ka qenë aty me mua, i falënderohem shumë, jo vetëm se ishte krahu im i djathtë në gjithë këtë betejë, por sepse është përpjekur shumë që të ma bënte ditën, momentin sa më të lehtë, më të bukur.  Ndërsa ndryshimet e para filluan… isha në Brezovicë me motrën time pas kimioterapisë së parë, për ajër dhe ta rimerrja veten, u lava e nisa të krihja flokët pashë se më mbetën në duar një tufë e madhe. U ndala, motra më pa dhe iu mbushën sytë me lot. Shkova në shtëpi, dy vajzat, Edona dhe Rina ishin aty bashkë me burrin, djali, Rroni, ishte me studime, u them se duhet të më presin flokët se filluan të më bien. Të tre më kanë ulur, filluan ashtu në një mënyrë sa qesharake…nuk di çfarë të them, mes të qeshurave e kaluam kështu atë moment, që për shumë gra e di që mund të ketë qenë i dhimbshëm.” – kujton ende mes të qeshurave që karakterizojnë Dritën, duke shtuar se vëllai mbetej udhërrëfyes i kimioterapive të saj, i cili sapo kishte kaluar në të gjithë ato peripeci. Ndërkohë vazhdonte ashtu me dhimbjen si hije edhe punën, madje prej atëherë e tutje filloi të vendoste një hendek të thellë mes saj dhe kancerit, për të braktisur çdo mendim dhe për të vazhduar jetën sikur asgjë nuk kishte ndodhur. “E dija që nëse nuk do të shkoja në punë, do të izolohesha, do të rrija vetëm, do ta kisha më të vështirë. Fatmirësisht edhe nga kolegët e punës kam pasur një mirëkuptim dhe mbështetje të madhe. Në fakt asnjëherë nuk e kam pasur problem tu tregoj të tjerëve se mund të shkosh në punë me kancer gjiri, në një dasmë, me paruke, të qeshësh, të hash dhe të jetosh normalisht. Megjithëse  kimioterapitë kanë qenë një rrugëtim shumë i vështirë, në fakt, do të doja ta përmendja një detaj, gjatë gjithë këtyre trajtimeve më ka shoqëruar aroma e një supe, e cila më ka munduar gjithmonë, edhe sot e kësaj dite nuk mundem ta duroj. E di që ndoshta nuk ka kuptim për shumë njerëz, por ka qenë aq e vështirë…Megjithatë asnjëherë nuk kam dashur të trajtohem si pacient, sidomos në shtëpi, asnjëherë nuk kam dashur këtë peshë ta ndjejnë edhe fëmijët, sigurisht pranë kam pasur burrin, sepse këto janë momente që nuk kalohen vetëm, ka pasur momente që më ka lëshuar fuqia dhe kam qarë si fëmijë. Sidomos  kur gjatë kësaj periudhe dyshuan se kanceri më ishte përhapur edhe në mushkri, ka qenë një histori krejt tjetër, më operuan për të parë dhe vërtetuan se ishte një dyshim. Por ka qenë ndoshta një nga momentet më të vështira të jetës sime…mendoja vetëm fëmijët…atëherë u lëkunda me të vërtetë se më dukej se kisha nënvlerësuar sëmundjen. Vetëm një mendim më vinte në kokë: nuk jam gati!”- rrëfen ajo, duke përsëritur se nuk ishte gati… E rrethuar gjithmonë nga njerëzit më të dashur, Rina, vajza e vogël, e cila i ka qëndruar afër, në të gjitha dhembjet e saj, Edona, vajza tjetër, gruaja e vëllait, Valbona, po ashtu motra e gatshme gjithmonë, mikeshat e dhe koleget.”Kështu ishin ato ditë që më dukeshin muaj, muaj që më dukeshin vite dhe ndonjëherë vitet, shekuj. Sytë e mi rrinin pezull mbi familjen time…më kujtohet një befasi e tyre, kur isha në Gjermani duke u trajtuar dhe në këtë kohë shkoj te djali në Itali, kur e hapa derën dhe pashë nipin, Matin që mu hodh në krahët e mi,  komplet familja ishte aty, atë moment zemra mu mbushë me dashuri dhe me një forcë të madhe.” – përfundon historinë e saj Drita…rruga e së cilës është gjithmonë e gjatë dhe e vështirë, por së bashku me familjen asgjë nuk i duket e pakalueshme!  Sipas saj, gjithçka ka të bëjë me vënien në pah të forcave, që gjithmonë i ke pasur të fshehura diku, e të cilat mbase nuk e keni ditur që i keni. Ka të bëjë me prirjen si person derisa refuzon të pajtohesh me stilin se kur dukesh mirë edhe ndjehesh mirë. Një grua e fortë që të mbjell farën e shpresës në ditët tuaja më të errëta.

admin

Artikujt e tjetrë