Kulturë

Përtej sfidave të një aktoreje

Çdo shoqëri ka nevojë për art dhe për artistët, sepse përmes tyre është i mundur çdo ndryshim, artisti është kontakti më i mirë me vendet dhe kulturat e tyre. Aktorja Xhejlane Tërbunja në Flatra për kinemanë, artin dhe rrugëtimin e saj artistik.

Takimi i parë me skenën ishte në moshën 6 vjeçare, një përvojë që Xhejlane Tërbunja e kujton me shumë dashuri. Atëherë gjithçka ishte vetëm një dëshirë për të ndjerë atë emocionin që nuk përshkruhet, adrenalinën dhe aventurën që të falë vetëm skena.

Sot ajo është një nga aktoret tona më të dashura, që ka sjellë në skenë dhe televizion role të ndryshme, që na bëjnë ta duam edhe më shumë.

“Kur u pranova në Fakultetin e Arteve, për mua ishte gjithçka e re dhe aspak e njohur. Aq shpejt u dashurova me gjithçka dhe qysh në përfundim të vitit të parë e kuptova që aktrimi është diçka që dua ta bëj gjatë tërë jetës. Sigurisht që një rol shumë të madh në këtë drejtim ka luajtur edhe profesori im i aktrimit Luan Jaha, të cilin gjithmonë e falënderoj dhe kam respekt të veçantë për atë që ka bërë për të gjithë ne si studentë.”

Megjithë rolet e ndryshme që ka sjellë në skenën shqiptare, aktorja tregon se shfaqja e parë profesionale pas përfundimit të studimeve ka qenë “Punch and Judy” me regji të kanadezit Michale Divine, në vitin 2008 në qytetin e Prizrenit. Një shfaqje me tre personazhe që luanin në rrethana të ndryshme në 12 episode.

“Përveç Punch and Judy, e cila ishte një shfaqje jashtëzakonisht e bukur si një film vizatimor, ndër momentet më të bukura në skenë e konsideroj ditën kur në një provim në teatër kemi pasur periudhën kur punonim monologë nga veprat antike. Kam dalë në skenë më janë marrë mendtë dhe gati sa jam rrëzuar, pastaj e kam marrë veten por nuk më kujtohej asgjë nga teksti. Pas pak sekondash më është kujtuar fjalia e parë, megjithatë ato pak çaste ishin orë për mua.  Por të jesh në skenë gjithmonë është një përjetim i bukur, pavarësisht të gjithave. Ndërsa  shfaqja “Natën e mirë nënë” nga Marsha Norman, me regji të Drita Begollit dhe me partneren ose mësuesen më të mirë pas studimeve Drita Krasniqin, të cilën e çmoj për vlerën që ka si aktore, bagazhin intelektual dhe artistik. Kjo shfaqje më ka mbetur si një ndër shfaqjet, që e dua më së shumti, e cila m’i ka sjellë edhe dy çmime. Pastaj është “Shqiptari” një ko-produksion gjermano-shqiptar në regji të Johanes Nabber. Film i cili është prezantuar në shumë festivale të botës dhe ka fituar shumë çmime. Ka edhe projekte të tjera, që sigurisht janë të suksesshme, mirëpo këto janë disa që i veçoj më shumë.”

Çdo shoqëri ka nevojë për art dhe për artistët, sepse përmes tyre është i mundur çdo ndryshim. Artisti është kontakti më i mirë me vendet dhe kulturat e tyre. Roli i tyre është i domosdoshëm dhe i padiskutueshëm për vetëdijesimin dhe sjelljen e vlerave pozitive. Tërbunja mendon se aktori në kë të rast është secili nga shoqëria, secili nga çdo shtresë e saj, qoftë mjeku, i varfëri apo presidenti. Aktori është në lëkurën e secilit, duke e kuptuar secilin dhe duke u vënë në pozitën e secilit. Dhe për një grua aktore gjithçka është edhe më sfiduese, pasi ende ekzistojnë paragjykime të ndryshme në shoqërinë tonë.

“Puna jonë është e mundimshme ndonjëherë në rrethanat në të cilat punojmë. Puna jonë është e brishtë. Ne kur punojmë lidhemi ngushtë me njëri – tjetrin dhe jemi si një familje, ashtu ndihemi. Ne nuk mendojmë asnjëherë, që dikush mund të paragjykojë, sepse jemi të zënë duke bërë punën tonë dhe duke u munduar  të jemi në shërbimin e njerëzve, që kanë nevojë për artin. Mua personalisht nuk më ka rastis të jem pjesë e ndonjë paragjykimi, por që kam dëgjuar për të tilla paragjykime dhe duhet të ngrihet vetëdija e këtyre njerëzve. Besoj që ne do të punojmë edhe në këtë drejtim.”

xh04

Megjithë përpjekjet dhe punën e palodhshme dhe me realizimin e projekteve të ndryshme artistike, kushtet e punës në Kosovë lënë shumë për të dëshiruar. Aspekti teknik dhe material nuk ka ndryshuar aspak dhe kjo ndikon në nivelin dhe efikasitetin e projekteve dhe në këtë rast punës së aktorit. Në lidhje me këtë Tërbunja thotë se ka shumë aktorë të punësuar dhe të angazhuar me shfaqje, filma  projekte të tjera, por do të ishte i mirëseardhur edhe një vlerësim dhe respekt më i madh ndaj kontributit të artistëve, duke shpresuar se politika të harrojë për pak kohë rëndësinë e të qenët në politikë vetëm si figura. Ndërsa aktorja së fundi ka interpretuar në shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjve” të Carlo Goldon dhe regji të Kushtrim Bekteshit. Në filmin e regjisores së re More Raça, një projekt në të cilin flitet për rëndësinë e trashëgimisë sonë, pastaj e kemi parë në emisionin satirik “Vikendi”. Aktualisht është e angazhuar në dy projekte, në shkrimin për një dokumentar dhe në librin e saj të parë me poezi, që do ta botojë në fund të këtij viti. Gjithashtu pritet që së shpejti të jepet premiera e filmit “Teuta” produksion i Turqisë, me regji të Vela Derman dhe tekst të Enver Petrovcit, një projekt shumë i rëndësishëm,në të cilin do të interpretojë edhe aktorja Tërbunja.

admin

Artikujt e tjetrë