Gruaja

Lindita Rugova: Të kapërcesh frikën

img_8134

“Këto janë lotët e fundit që do të m’i shohësh, sepse unë nuk guxoj të mos luftoj për veten.” … e kaluara ishte tani një tjetër dimension, ndërsa e tashmja dhe e ardhmja duheshin të bashkoheshin në jetën e saj.

  Nga Besa Gjoni/Foto Elisa Nikolla 

Ishte një rrufe në qiellin e pastër … një verë e lumtur me gëzime, suksese dhe ambicie. Lindita Rugova, nënë e dy fëmijëve, prodekane, kishte vetëm 3 vjet që kishte doktoruar ndërsa ashtu si shumë gra, bënte “betejën” e saj me peshën pas lindjes së vajzës.Ishte viti 2011, diku rreth dhjetorit, në fakt ishte një periudhë kohore e bukur, punoja, kisha familjen, madje atë verë hoqa 10 kg, kisha fituar shumë peshë  nga lindja e vajzës dhe kur u ktheva nuk më njihnin, por unë nuk e lidhja asnjëherë me ngjarjet e më vonshme. Dikur nga gushti-shtatori fillova të ndjeja  një therje të vogël në sqetullën e majtë mendoja se ishte normale për femrat, asnjëherë nuk e mendova kancerin. Sepse, të them të drejtën, kur shihja emisione të tilla në Tv e ndërroja kanalin, nuk kisha fuqi ti shihja. E vetmja frikë që kam pasur ishte se mos sëmuresha nga zemra ose sheqeri, pasi i kemi në familje. Dikur nga dhjetori, burri im, Bardhi, do të shkonte për vizitë pune në Gjermani dhe mu lut të shkoja me të, por ishte një javë e ngarkuar me trajnime në fakultet dhe nuk shkova. Ishte ditë e enjte, rreth orës 17.00, kthehem në shtëpi, më kujtohet si sot… I kisha flokët gërshetë, kisha veshur një këmishë të kuqe dhe pantallona ngjyrë hiri. E ndjeva prapë atë therjen në sqetull, është një ndjenjë që femrat e kanë shpesh… Isha 36 vjeçe nuk prisja një gjë të tillë. Teksa po ndërrohesha më zuri dora një copëz, një masë në gjirin e majtë, mu duk sikur ishte një kokërr arre. Atë moment u shqetësova, thirra menjëherë dr.Emine Dishën, te ajo më shkoi mendja menjëherë, nuk ishte aty, thirra një doktor tjetër, ma la terminin pas dy javëve, edhe një doktor tjetër më tha të njëjtën gjë… Nuk mund të prisja kisha një ndjenjë të keqe…deri atë moment nuk kisha menduar asnjëherë se një ditë do të përballesha me kancerin. Më dukej vetja shumë e re, pastaj dy vjet më parë kisha mbaruar së dhëni gji vajzës. Thirra në spital në Shkup, edhe atje duhet të prisja, dhe falë një mike, ma lanë një takim për të enjten, më 15 dhjetor…”-  kujton Lindita ato ditë, që do të ishin ditëkthese në jetën e saj… Një rrëshqitje e ngadaltë drejt errësirës, pastaj një rënie e papritur në zbrazëti, ndjenja të papërshkrueshme, pikëpyetje kudo. “Ato ishin ditë të rënda pritjeje, shihja shumë ëndrra, çdo natë…në ëndrrat e mia shkoja në SHBA dhe shërohesha, gjithmonë e njëjta ëndërr…Ishte një javë e gjatë fillova të lexoja shumë…gjithçka çfarë që mund të mësoja për kancerin e gjirit, edhe pse kisha një dozë optimizmi  se nuk ishte kancer. Nuk i thashë askujt ato ditë vetëm bashkëshortit kur u kthye. U  nisëm atë ditë dhjetori, ishte një ditë me mjegull, ashtu të brengosur ngatërruam edhe rrugën për në Shkup dhe u nisëm drejt Prizrenit. Kishim stres…gjatë gjithë kohës mendoja për fëmijët, për nënën time të sëmurë. Nuk mendoja për vete në asnjë moment… besomë, vetëm për vajzën 3 vjeçare Gresën dhe djalin, Gurin, 11 vjeç. Fillova me ekzaminimet, së pari me eko, mjekja më qetësoi “mos ki merak, se ndonjëherë nuk dalin gjërat ashtu si mendojmë”. Unë i ndiqja sytë e saj…sapo e pa në eko i ndërroi çehrja e fytyrës, e kuptova. I thashë:  Ah po i shikoj edhe unë ja ku janë…ma ktheu se: nuk është një, por tre dhe dy prej tyre që kanë shpërthyer si vullkan po më shqetësojnë. Më pa dhe më tha: shpirti im, uroj që kjo që po shoh të mos jetë e saktë, se është malinje. Ai ishte momenti që fillova të shqetësohem. Nuk e dija çfarë më priste…bëra dhe mamografinë, më pas rezonancën magnetike. Hyra, më vendosën në vesh muzikë, më kujtohet si tani ishte, “Guns and Roses dhe Pink Floyd, Ishte i vetmi moment që kam qarë me zë, pafund…100 pyetje ja bëja vetes, pse unë, çfarë kam bërë, pse në këtë moshë,… Aty brenda rezonances magnetike  kam thënë se nuk ka Zot…Më shkonte mendja tek gjërat që nuk do ti përjetoja dot…mbarimin e shkollës së djalit, kush do të ma rriste vajzën…Kur dola nga rezonanca ishte afër një infermiere, Sashka, iu drejtova (pa më pyetur ajo asgjë) dhe i thashë: këto janë lotët e fundit që do të m’i shohësh, sepse unë nuk guxoj të mos luftoj për veten.” – mes lotëve Lindita rrëfen atë ditë të gjatë.  E kaluara ishte tani në një dimension tjetër, ndërsa e tashmja dhe e ardhmja duheshin të bashkoheshin në jetën e saj. “Doktoresha na i kumtoi lajmin,  na rekomandoi të shkonim te kirurgu dhe të caktonim ditën e operimit. Shkuam te kirurgu, pashë që ishte njoftuar me rastin tim menjëherë, u zgjatë, më puthi dorën dhe mu drejtua: Zonjë ju do të vallëzoni në dasmën e fëmijëve tuaj! Ishin këto fjalë që në ato momente më dhanë shumë forcë. Fitova besimin e tij.”- thotë ajo, duke shtuar se kur u kthye në shtëpi, momenti më i vështirë të takonte nënën, t’ia shite sytë dhe ta gënjente, për një dhembje që nuk do ta duronte dot. Ishte data 15 kur u diagnostikua zyrtarisht ndërsa më 20 dhjetor, për ditëlindjen e së ëmës, do të operohej, e megjithatë ato pesë ditë vazhdonte të punonte shumë, nuk kishte guxim të qëndronte në shtëpi, me fëmijët, nuk duronte dot, shkonte në fakultet,  merrej me çdo gjë mjaftonte të mos shkonte në shtëpi përballë fëmijëve të saj.  “Operacioni shkoi shumë mirë, ma hoqën gjirin, qëndrova 4 ditë dhe më pas u kthyem, ishte gati fundvit dhe ndaluam me burrin, tu blinim dhuratat fëmijëve. I telefonova rrugës në kthim nënës,  i tregova se kisha bërë një ndërhyrje të vogël, me rrena të bardha që të mos kuptonte asgjë. Atë ditë përfundoi një betejë, sepse luftën e vërtetë e kisha përpara.”- shprehet Lindita. Nga ai moment filloi një jetë e re për të … një jetë, e cila në një farë mënyre bënte llogaritë me të shkuarën dhe në të njëjtën kohë  nisi përditshmërinë, por sigurisht me një sy, madje të frikësuar, për të ardhmen … “Filloi një fazë tjetër, pas 7 javësh bëra kimioterapinë e parë, nuk kam ndjerë asgjë, ishte shumë e lehtë, sepse nuk e dija që do të bëhej gjithnjë e më e vështirë. Një betejë tjetër kishte nisur, dobësim i trupit, dhimbje e eshtrave, humbje e forcës….”- thotë ajo. Ju mund të pyesni veten se si ia ka dalë Lindita gjatë gjithë atyre viteve trajtimeve, nuk do ta besoni, por kurrë nuk e humbi buzëqeshjen, forcën dhe kurajën. Një forcë që nuk e di se ku e gjejnë gra të tilla, por mendoj se zhvillohet edhe më shumë në këtë situata të vështira. E në këto kimioterapi, ajo ishte si degët e holla të pemës, që përthyhen, por nuk thyhen kurrë.  “Gjatë kësaj kohe bëja analiza të vazhdueshme, sidomos për ndikimin herceptinës te unë, sepse është një proteinë artificiale, që kur futet në trup ta dobëson zemrën, sepse pas kimioterapisë së tretë fillova të kisha tension te larte te gjakut, aritmie e zemrës, vjellje, marramendje. Më kujtohet momenti kur i rruajta flokët komplet, shkova në shtëpi iu afrova vajzës dhe ajo u frikësua pak,  nuk më deshi…ishte shumë e rëndë, doja ta mësoja me këtë gjendje të re në shtëpinë tonë, por ishte shumë e vogël, nuk kuptonte, sa herë shihte ndonjë shoqe timen i thoshte: do jesh ti mami im se ajo nuk ka flokë.”- tregon Lindita. Kështu vazhdoi 6 ciklet e kimios, pastaj menjëherë filloi herceptinën, e cila zgjati 12 muaj. Ishte pikërisht estrogjeni dhe progesteroni që e ushqenin kancerin te ajo, e pas gjithë këtyre trajtime analizat i treguan se mëlçia ishte ndikuar nga këto ilaçe. Kështu filloi një tjetër efekt anësor shumë i rrezikshëm. “Frika dhe ankthi filluan të shfaqeshin sërish te unë, kështu i drejtohem një hepatologe në Beograd, e cila  pas një sërë analizash më rekomandoi të hiqja vezoret, sepse kështu nuk do të kisha estrogjen dhe si rrjedhojë nuk do të më duhej të merrja atë ilaçin tjetër, Zoladexin. Vjet bëra edhe këtë ndërhyrje. Të kesh kancer, nuk është asgjë operacioni, më e vështirë ka qenë pikërisht kjo periudhë pasoperative dhe efektet anësore të ilaçeve. Është njëjtë si t’i ngjitesh një mali të madh dhe të pjerrët me guxim, besim te të afërmit dhe mjekët. Frika të shoqëron, por njeriu thjesht duhet të mësohet me të dhe ta mposhtë sa here që ngre krye.”- përfundon Lindita.

Atyre si Lindita, që iu desh të rruanin flokët dhe që u panë në pasqyrë me kokën tullace. Atyre si ajo që luftojnë çdo ditë mes kimioterapisë, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe kontrolleve. Atyre si ajo, që nuk dorëzohen kurrë. Atyre u them se jeni gra të forta, të guximshme.

admin

Artikujt e tjetrë

  • Burbuqe Gashi

    duke e lexuar aq shume u thellova sa qe u ktheva 12 vite mbrapa kur me 29 vjeq i perjetova te gjitha keto, therrjet dhimbjet prekja e nje gjandrre sa arra diagnostifikimi lajmi i keq operacioni kimioterapia qethja e flokeve vjellja pritja e rezultatit patologjik e te gjitha vuajtjet tjera po i falenderohem Zotit familjes dhe shoqeris qe me kan qendru pran ne cdo moment e femijet i kam pas vullnetin me te madh per jete, prandaj te gjitha atyre qe kan perjetu dhe ato qe po perjetojn tash ju them te jen te forta pozitive me shum optimizem dhe shum vullnet se ne jemi me te forta se ajo semundje e poshter…Suksese zonjat e mia te dashura 🌹