Shëndet

E keqja ka emër

rene-magritte-la-grande-famille-1963

Nga Mulan

 

“Ashtu si djalli, edhe kanceri ka shumë emra” shkruan Khaled Hosseini. Sëmundje tinëzare, të shfaqet papritur dhe merr jetë pa dallim, duke lënë pas dhimbjen e tmerrin e humbjes, apo frikën e përhershme tek ata që e kanë tejkaluar, por nuk kanë siguri se a rishfaqet më dhe kur. Ndoshta kjo është dhe arsyeja pse nuk e përmendim fjalën “kancer”, por shpikim lloj-lloj eufemizmash si: “sëmundja e keqe”, “të keqtit”, “e paemra” e plot të tjerë.

Refuzimi për ta quajtur kancerin me emrin e vet është si një lloj refuzimi i asaj që po ndodh. Më kujtohet kur kolegia ime u diagnostikua me kancer, në moshë shumë të re, sapo ishte bërë nënë. E shmanga për një javë. Nuk doja të më lexonte në sy frikën nga sëmundja e saj dhe paaftësinë për të bërë diçka. Kur biseduam, bëra sikur nuk dija gjë dhe thjesht folëm për mënyra të shëndetshme të të ushqyerit dhe rëndësinë e shëtitjeve në ajër të pastër.

Kolegia tjetër shpërtheu në lot e ulërima kur dëgjoi për sëmundjen. E puthte dhe e përqafonte gruan që po përballej me tmerrin më të madh të jetës së saj. I ofroi ndihmë financiare (kanceri është një sëmundje kaq e shtrenjtë!), i dha këshilla çfarë të bëjë, si të jetojë, tek cilët mjekë të kontrollohet. Dhe vazhdonte qante më të madhe, në publik.

A ishte ky egoizëm i cekët nga ne të “pasëmurat”? Unë u fsheha pas rrotullave e fjalëve për të shmangur bisedën e sikletshme. Tjetra, me shfaqjen e dhimbjes, u bë qendra e vëmendjes dhe detyroi të sëmurën ta marrë me të mirë e ta qetësojë. Pra, e kthyem situatën nga vetja, nga trishtimi që “ne” po ndjenim. Nuk u ndalëm të mendojmë më mirë se çfarë ndjente ajo, kolegia jonë e sëmurë dhe t’ia përshtatnim reagimin tonë dhimbjes dhe frikës së saj.

Këtë sjellje e hasim shpesh. Në çastin kur kuptojnë se dikush ka kancer, vërshojnë këshillat qëllimmira, por të paverifikuara në aspekt mjekësor. Vërshojnë historitë e suksesit me ilaçe magjike nga mjekë popullorë, ose historitë morbide të vdekjes nga kanceri që kemi dëgjuar poshtë e lart. I injorojmë të sëmurët, i mbysim me emocionet tona dhe ndjehemi se “bëmë një gjest të mirë, bëmë sevap”.

Harrojmë se janë të sëmurët ata që kanë dhimbje, kanë frikë, kanë gjëra në jetë që mund t’ju ndalen në gjysëm, sepse vdekjen e kanë një hap më pranë. Ne të tjerët nuk kemi rol kryesor në dramën e tyre.

Ndër vite, njerëz të tjerë që njoh janë përballur me kancerin, apo kanë vdekur nga kanceri. E dimë se askush nuk është i sigurtë nga kjo sëmundje me shumë emra si djalli. Kam mësuar se ata që vuajnë nga kanceri kanë nevojë për mbështetje emocionale, kanë nevojë për ndihmë financiare, kanë nevojë t’i lëmë të qetë.

Por mbi të gjitha, të sëmurët nga kanceri kanë nevojë të trajtohen me dinjitet. Shumë shpesh, ata lihen të vetëm në duart e mjekëve dhe specialistëve, që edhe pse ofrojnë kujdesin e duhur, janë të huaj që po bëjnë detyrën e tyre. Ndonjëherë mund të jetë mjaft të ulemi me të sëmurin nga kanceri në një park, të mos flasim për asgjë, thjesht t’ia mbajmë dorën ngrohtë në duart tona. Ndonjëherë mund t’i shoqërojmë në spital kur kanë seancën e kimioterapisë, t’u mbajmë kokën kur vjellin dhe t’i pastrojmë. Sëmundja lodh të sëmurin, por edhe familjarët.

Sëmundja asnjëherë nuk duhet t’ia vjedhë dinjitetin të sëmurit, por as humanitetin e të pasëmurëve.

admin

Artikujt e tjetrë