Shëndet

Bluzat e bardha, shpresë dhe përkushtim

img_8335

Punojnë me orë të zgjatura, marrin vendime të vështira, stresohen, gjithmonë në kontakt me vuajtjet dhe shpresat e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Dafina Ademi rrëfen anën tjetër të luftës që bëhet me kancerin.

 Nga Besa Gjoni/Foto Elisa Nikolla 

Misioni i tyre së pari është njerëzor, pastaj mjekësor. Dafina Ademi, një nga onkologet e gjeneratës së parë të Institutit të Onkologjisë në Kosovë na sjellë një panoramë jo vetëm të sëmundjes së kancerit të gjirit, por edhe të punës e përkushtimit që kanë si staf mjekësor. Bluzat e bardha simbolizojnë shpresën në sytë e pacienteve të sëmura me kancer, këtë dr.Dafina e di që në momentin kur e zgjodhi këtë profesion, sfidat, lodhjen, emocionet që i duhet shpesh t’i fshehë nga pacientët. “Është ndoshta nga ato momente kur sytë e tyre drejtohen nga ty ndërsa të duhet tu japësh lajmin më të keq të jetës së tyre. Ndaj gjatë këtyre pesë viteve që punoj si onkologe, puna me pacientë nuk bëhet rutinë sa i përket anës shpirtërore, nuk e di në është në pyetje aspekti gjinor, apo që jemi vet nëna, kemi fëmijë në shtëpi, njerëzia brenda nesh… nuk e di bëhen të gjitha bashkë dhe çdo rast na prekë shumë.”- tregon dr. Dafina Ademi.

Kanceri i gjirit prek femra në mbarë botën dhe Kosova, nuk bën përjashtim, betejat për t’i mbijetuar, përpjekjet e vazhdueshme, si nga ana e stafit mjekësorë ashtu edhe nga ana e pacientëve, duket shpesh si një luftë pa mbarim. Një në tetë femra në botë diagnostikohen me kancer gjiri, por çfarë është dhe cilat janë simptomat?!  “Kanceri i gjirit zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit, disa prej këtyre qelizave bëhen anormale dhe fillojnë të rriten, grumbullohen e formojnë një tumor, i cili shtyp dhe përhapet jashtë kontrollit dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohen, këto qeliza anormale mund të përhapen dhe të dëmtojnë apo shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth, por edhe në pjesë tjera të trupit, nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose nëpërmjet sistemit limfatik. Sa i përket simptomat apo shenjat e kancerit të gjirit ato janë të ndryshme, si: një nyjëz apo një kokërr e fortë gjatë prekjes, në gji apo nën sqetull, irritim apo dëmtim i lëkurës së gjirit; futja brenda e majës së gjirit, ndryshimet në lëkurë, bëhet më rozë, futja e lëkurës në formë gropa, të gjitha këto mund të jenë shenja të kancerit të gjirit, por nga ana tjetër, jo çdo masë në gji mund të jetë kancer, kjo nuk është e vërtetë, se kemi masa beninje që nuk paraqesin ndonjë problem. Më pas duhet të merren masat për ekzaminim të tyre, së pari me ultrazë, më pas mamografia, nëse ato janë të dyshimta atëherë dërgohet për biopsi, nëse kjo e fundit e nxjerr që është qelizë kanceroze invazive atëherë i drejtohet kirurgjisë dhe më pas kimioterapisë në varësi të stadit të sëmundjes, sepse në rastet më të rënda njëherë pacienti futet në kimioterapi pastaj dërgohet në kirurgji. Ekziston një protokoll i kimioterapisë, që duhet të ndiqet e nëse është e nevojshme edhe radioterapi.”- shpjegon onkologia Ademi.

Fatmirësisht tashmë kemi një adresë, ku të drejtohemi në raste shqetësimi apo shenjash për këtë sëmundje, Instituti Onkologjik ofron jo vetëm profesionalizëm dhe një staf të mrekullueshëm mjekësor, por edhe gjitha terapitë dhe kurat falas. “Gjenerata e parë e institutit të onkologjisë së Prishtinës “Është një institut i përgatitur në aspektin profesional, teknik edhe me barna, sidomos për kancerin e gjirit. Është bërë shumë në këtë drejtim i kemi te gjitha barnat dhe terapitë e duhura, si herceptina, e cila është një trajtim shumë i kushtueshëm, të cilën kemi arritur ta sigurojmë nga Ministria e Shëndetësisë. Si dhe të gjitha shërbimet e kimioterapisë, konsultat profesionale, shërbimet e radioterapisë, shërbimet hormonale, të gjitha këto shërbime janë falas për pacientet që vijën në institut. Kemi vetëm 5 vjet që është themeluar si institut e mund të them me bindje të plotë se kemi një staf shuam të përkushtuar dhe profesional. Instituti i Onkologjisë është një derë ku duhet të adresohen të gjithë ata që janë të sëmurë me kancer gjiri nga Kosova, madje vlen të cek se kemi pasur raste edhe nga rajoni që kanë ardhur te ne për tu trajtuar.”- thotë dr.Dafina, duke shtuar se është një staf i përkryer i mjekëve dhe infermierëve që buzëqeshin pa ndërprerë, që e bëjnë punën me dashuri dhe shumë përkushtim. 

Numri i pacienteve me kancer gjiri është mesatarisht 250 raste  të reja në vit dhe krahasuar me rajonin duhet të theksohet se është një numër më i vogël, kjo falë moshës së re të popullatës që kemi si shtet. Për këto gra është një rrugë e gjatë e mundimshme, shpesh herë jo shumë të informuara për atë që i pret. Kimioterapia ka shumë efekte anësore dhe mjekët iu duhet të përballen me pyetjet, frikën dhe dhembjen e tyre. “Është detyrë e mjekut që këto femra duhet të njoftohen sepse atyre u hiqet një pjesë e trupit të tyre, pikërisht gjiri, pjesë me të cilën shpesh herë femra mburret, kjo është pjesa më e ndjeshme te ato. Dhe do të duhet që secili mjek ta njoftoj dhe ta përgatis pacienten se çfarë e pret kur është me këtë sëmundje. Konkretisht kur vijnë te ne, është stadi i rënies së flokëve, dhe puna jonë e parë është para se të futet në kimioterapi u shpjegojmë se çfarë e pret. Për këtë arsye ne shpesh bëjmë edhe psikologun që ato ta presin sa më mirë. Dihet që efekti i kimioterapisë, për fat të keq nuk bën dallim mes qelizës së shëndosh dhe qelizës së sëmurë dhe i sulmon të dyja njësoj.”- thekson onkologia.  

Kanceri i gjirit është një sëmundje e rëndë nëse zbulohet vonë, prandaj secili duhet të japë kontributin e vet për vetëdijesimin dhe informimin rreth kësaj sëmundje. Për të gjetur brenda vetes forcat që shpesh herë mendojnë se nuk i kanë, të fshehura diku dhe të ecin përpara.  “Ka shumë hapësirë për të folur rreth kësaj sëmundje, shkaqet, pasojat dhe efektet që ka kanceri i gjirit, sepse atakon anën emocionale, shpirtërore, financiare, sociale dhe të familjes në përgjithësi. Kam parë raste pafund gjatë këtyre pesë viteve, dhe çdo paciente është  histori më vete, personalitet dhe ngjarje më vete. Përpiqem të kthehem mbrapa dhe të rikujtoj kam aq shumë kujtime sa nuk më duket se kam 5 vjet në këtë profesion. Kalojmë shumë kohë me to, ndoshta ngaqë jemi femra, nëna dhe lidhemi edhe më shumë për tu shprehur dhe biseduar. Në fakt ne trajtojmë moshat e rritura, jo fëmijët, por kur na vjen ndonjë paciente dhe ajo është vetëm 14 vjeçare, për mua është ende fëmijë, vetëm 14 vjeçare, janë raste prekëse moshat e reja, na i thyejnë zemrën komplet si staf.”- tregon ajo. Kanceri i gjirit është i zakonshëm në mesin e grave në mbarë botën, edhe pse pjesa më e madhe është e vetëdijshme për seriozitetin e kësaj sëmundjeje, shumë gra vazhdojnë të harrojnë zbulimi i hershëm është kura më e mirë. Për këtë arsye edhe dr.Dafina Ademi bën thirrje për sensibilizim të grave, për rëndësinë e shëndetit të tyre, konsultimet e nevojshme mjekësore. Por në këtë betejë të vazhdueshëm, mirënjohja, respekti dhe dashuria u takon mjekëve, të cilët nuk rreshtin asnjëherë së qëni pjesë së përditshmërisë së një gruaje të sëmurë me kancer gjiri.  

admin

Artikujt e tjetrë