Intervista

Në mënyrën e Besës

Besa Neziri Rugova sjellë brishtësinë dhe feminilitetin me krijimet dhe stilin e saj, e intriguar nga e kaluara dhe vitet e arta të modës. Eeleganca është diçka që qëndron tek veshja. Ajo është më shumë një simfoni e bukurisë së brendshme, modestisë e inteligjencës, qëndrimit, ecjes plot hirësi, buzëqeshjes dhe mirësjelljes. Të gjitha këto e kompozojnë elegancën.  

E ndikuar nga prindërit e saj, babai piktor në atelienë e të cilit ajo kalonte shumicën e kohës derisa ishte ende e vogël. Nëna, një grua me shije të veçantë në veshje e stil, e cila e njihte shumë mirë qepjen dhe çdo teknikë të punës së dorës. Besa Neziri Rugova është kreatorja që të lë shije ëmbëlsie, në çdo veshje në çdo kreacion që sjellë. Para se të trajnohej për dizajn të modës në Parson Scool of Designe në Nju Jork, ajo kishte përfunduar studimet për Arte të Bukura në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ndërsa sot ajo vazhdon të krijojë me përkushtim çdo gjë që është feminine, e brishtë, delikate dhe romantike. Elemente këto që i hasim në çdo krijim të saj. Ndërsa Kontrasti dhe ekuilibri midis ashpërsisë dhe butësisë, maskulinitetit dhe feminilitetit, janë pjesa tjetër që e bëjnë më të prekshme punën e saj.

img_3184

“Veshjet e mia identifikohen me detaje të papritura, me finesa delikate…. Vëmendje të veçantë i kushtoj detajeve të krijuara me dorë, teknika të ndryshme të thurjes e qepjes dhe elementeve dekorative. Ndërsa vitet e 30ta, është periudha që më intrigon më shumë, një kthim i feminilitetit dhe pedanterisë në veshje….Fantazia e Schiaparellit dhe “bias-cut” e Vionnet..E po ashtu vitet e 50-ta, “new look” i Diorit, i cili karakterizohet me  theksim të  belit në xhaketa dhe fund të plotë, me elemente femërore e plot elegancë.”

Megjithatë procesi i krijimit ka një pikënisje, një shkëndijë apo një lloj frymëzimi. Besa tregon se është pikërisht arti dhe të gjitha zhanret e tij si filmi, piktura që e frymëzojnë dhe i japin ide për të krijuar diçka të bukur, duke mos lënë anash as udhëtimet, që janë të rëndësishme për çdo krijues. “Teknika dhe mjeshtëria e lashtë mbrapa veshjeve nacionale, si dhe estetika e detajet në to….I kam observuar dhe studiuar tash e sa vite,…..më kanë intriguar qysh kur isha valltare në Ansamblin e Universitetit të Prishtinës kur edhe i vishja. Më fascinon kombinimi mes estetikës dhe funksionalitetit e komoditetit në to dhe vazhdimisht përdor elemente të tyre  në veshjet e mia. Ndërsa eleganca është diçka që qëndron tek veshja. Ajo është më shumë një simfoni e sjelljes së rafinuar dhe sofistikuar, bukurisë së brendshme, modestisë e inteligjencës, qëndrimit, ecjes plot hirësi, buzëqeshjes dhe mirësjelljes. Të gjitha këto e kompozojnë elegancën. Në veshje, elegancën e karakterizojnë thjeshtësia e sofistikimi.”

Besa Neziri Rugova është vazhdimisht duke punuar dhe krijuar, duke kërkuar frymëzim e duke zbuluar teknika të reja të konstruktimit të veshjeve. Aktualisht është në përgatitje të një koleksioni të ri dhe njëkohësisht duke u rikthyer tek disa projekte që i ka nisur më herët, e të cilat kanë mbetur të papërfunduara. Gjithmonë në kërkim të së bukurës dhe sofistikimit.

 

 

admin

Artikujt e tjetrë