Lifestyle

Për gratë e guximshme

“Mushrooms”, është koleksioni i fundit i kreatores Bora Kokëdhima, nga brendi i saj i njohur  Savage. Veshje sensuale për gra të guximshme dhe me klas. Emërtuar nga multifunksionaliteti i kërpudhave, njëkohësisht shëruese dhe helmuese, ushqyese dhe droguese. Një diversitet që pasqyrohet në tërësi në koleksionin e saj dhe që sfidon mentalitetin me forcën e pranimit të secilës formë, ngjyrë, krijesë… Bora Kokëdhima në Flatra për elegancën, potencën, imponimin, ngjyrat dhe gjithçka tjetër që e karakterizon punën e saj dhe atë si artiste.

Intervistoi: Besa Gjoni / Foto: Endrit Mërtiri

 

Çfarë e “ngacmoi” interesimin tuaj për modën?

 Kam filluar eksperimentet e para mbi kukullat, pastaj shoqet , veten, motrat e në fund, mamin, që në fëmijëri. Nëse Besa (Kokëdhima) këndonte me orë të tëra në dush, unë e dëgjoja e vizatoja, por kur shoh pas, në fakt skicoja instinktivisht. Figurat e rrëmujshme, ishin gjithmonë femra me pëlhura përmbi. Në moshën 16 vjeçare fillova kurs rrobaqepësie dhe lajmi nuk u prit shkëlqyer nga babai, që me të drejtë e shihte pasionin tim si një lule në Sahara. Herën e parë, u shkëputa e mërzitur nga mospërfillja e ëndrrës sime. Pasi përfundova në Vjenë për studimet e larta (them përfundova se vërtetë e zgjodha krejt rastësisht), gjeta mundësinë dhe hapësirën për të shijuar masivisht ekspozita pikture, opera, arte grafike e çdo forme të mundshme emocioni. Ndërkohë studioja media, duke qenë se në pronësi, familja asokohe kishte rreth 9 të tilla. Falë familjes sime kam pasur shansin e jashtëzakonshëm të kem një shkollim me kushte optimale për të shijuar edhe bukuritë kulturore të Evropës. Në verë qëndroja me javë në Shqipëri. U ngatërrova rastësisht me “Albania Fashion Week, dhe e mora me seriozisht se vet pronarët këtë markë.

E interpretova organizimin e këtij eventi, si mundësi për tu lidhur fort pas modës. Sinqerisht, nuk e kisha idenë çfarë më priste dhe sa me dinamikë nga seç e mendoja. Verën e parë në Tiranë e përballova me buxhete të vjedhura, staf të vockël po me zemër të madhe dhe asokohe kisha udhëtime të shpeshta në Kosovë, duke kërkuar pjesëmarrjen e shtëpive të modës, kryesisht të fashion designers. Pastaj në Vjenë u pajisa me librat e duhur për të mësuar autodidakt skicimin, e për të gjetur një urë drejt themelimit të brendit tim, “Savage”(egërsira), si egërsira e vogël që kam qenë gjithë jetën. Një ditë në Vjenë nëna ime Brixhid ( muza e Savage shumë shpesh), zbuloi blloqet e mia të skicave dhe më tha tekstualisht: ”Ti duhet të mos merresh me media, jeta jote është moda. ” Ka qenë ajo që më ka shtyrë e mbështetur pa reshtur këto 2 vite.  I jam mirënjohëse të gjithë anëtarëve të familjes sime, për secilën mbështetje (dhe janë shumë), por nëna ime besoi marrëzisht në talentin tim dhe unë sot nuk kam më frikë. E di që ia dal, falë saj!

Na flisni pak për koleksionin tuaj të fundit, cilat janë tendencat që sjellë ai?

 “Mushrooms,  (kërpudhat) është një koleksion seksi, argëtues dhe sensual, për një femër seksi, argëtuese  e sensuale…E quajta kërpudha, sepse është shumë interesante në kuptimin e multifunksionalitetit. Ato mund të jenë shëruese  aq sa mund të jenë helmuese, droguese, ushqyese, etj. Janë shumë diverse edhe në forma e ngjyra. Diversiteti ishte mesazhi që përcolla me këtë koleksion. Për ta përforcuar këtë mesazh zgjodha që hapjen e sfilatës ta bënte Alkida. Ajo është një grafic – designer, që vuan nga nanizmi. Alkida është një vajzë me shumë botë, jeton jashtë kuadratit, është e brishtë dhe e dashur dhe shumë shpesh i ka munguar respekti nga shoqëria jonë pak mentalitare, për shkak të sindromës që mbart. Doja ta sfidoja këtë mentalitet me forcën e pranimit të secilës formë, ngjyrë, krijesë! Ne jemi të gjithë të barabartë, por jo njësoj dhe kjo na bënë edhe më të bukur.  Nëse i referohemi dy koleksioneve të mia paraardhëse, “Bipolar” dhe “Atittude”, ku kam shpalosur një stil trasgresiv, elegant, potent dhe imponues.  Në këtë të fundit  doja të sfidoja veten në kryesisht në ngjyra. E kam shumë të thjeshtë të prodhoj çdo lloj ngjyre, por dashuroj thellë në vete ngjyrat e errëta, ngjyrat pa ngjyrë. Kjo verë, ka ardhur e butë, e brishtë e ëmbël, në jetën time private dhe këtë e pasqyron koleksioni im pranverë/ verë ’16-’17. Më ka bërë për vete gama ëndërrimtare e pastelit dhe besoj se nuk jam e vetmja, është tendenca botërore këtë sezon.  Ky koleksion vishet nga zonja e zonjusha guximtare drejt së resë dhe me ëndrra të shkruara në ballë. Format janë nga më të çuditshmet… Dominon prerja kove si në mëngë ashtu në funde e fustane, verefi i plotë ose jo, mëngë ovale të stërmëdha si të gjata, të shkurtra, disa veshje të punuara me dorë në gozhdë, (lidhje në gozhdë: metodë tradicionale shqiptare), metodën e azhurit (metodë tradicionale e punuar në Shqipëri për vite me radhë për zbukurim kryesisht të çarçafëve të pajës), e risjellë në mënyrë moderne nga Savage në fustan, të zbatuar mbi materialin e linos, mëndafshit dhe georgette, materiale këto të përdorura në këtë koleksion. Kam  performuar në mënyrë elegante tyl dhe transparencë në përqindje jo banalizuese.

Si ka evoluar puna juaj deri sot kur keni krijuar një brend tashmë të njohur për të gjithë?

 Përveç sfidave ne risi, kreativitet dhe prodhim, themelimi i një brendi është i shquar për sfida menaxheriale. Kur  je e re në moshë dhe profesion, sado mundësi apo talent të kesh, gjen pak profesionistë që dëshirojnë të punojnë me ty. Kam luftuar pa fund për të krijuar një staf profesional në një vend ku nuk ka universitete apo shkolla të mirëfillta mode. Sfidat e mia me stafet prodhuese dhe administrative, vazhdojnë, por tashmë pikat e forta të Savage i njoh.  Kam qenë gjithmonë e dhënë pas kushteve optimale të punës, andaj çdo të ardhur e kam investuar në teknologji. Kam bërë të sigurt që workshop Savage të ketë standarde të larta dhe kushte profesionale pune. E mbyll ciklin e gjatë të ndërtimit të punëtorive në muajin gusht. Ndërsa në shtator  një pjesë e prodhimit po bëhet në Itali. Arsyeja është nevoja jonë për të shtuar kapacitetin prodhues.  Ndryshe nga çdo koleg në Shqipëri dhe Kosovë, kam vendosur standardin botëror të 2 koleksioneve në vit, pranverë/verë dhe vjeshtë/dimër.  I kam prezantuar  këto të fundit të shoqëruara me evente madhështore. Gjithmonë Savage ka prezantuar cat walk dhe gjithmonë kemi zbatuar fotoshoot profesional në funksion të veshjeve. Kam investuar shume për prezantimin dinjitoz të koleksioneve të mia. Nuk kam dashur ta gjej veten ne studio televizive duke folur për tendencat e sezonit. Kjo nuk është puna e një fashion designer!  Kam prezantuar koleksionin e fundit edhe në ueb faqe savage.al dhe shume shpejt do ju ofrojmë dashamirësve tanë  mundësinë të blejnë Savage edhe online. E dalloj që krijesa ime po rritet në interesimin intensiv të klientelës,  por jo vetëm.

Cilat janë disa nga veshjet, që nuk i preferoni dhe gjithnjë përpiqeni t’i mbani larg dollapit tuaj personal?

Jo vetëm përpiqem, po i mbaj… Unë nuk preferoj kategorinë “cheap, në përgjithësi. Më shqetëson seksifikimi i tepruar që has vazhdimisht ne Ballkan sa që më bezdis ekstremi tjetër. Mendoj se duhet të ketë një balancë shumë të kujdesshme midis femërore , seksi, klasike.  Në gardërobën time nuk ka streçe gome apo llastiku, nuk ka bluza apo fustane me gurë dhe nuk ka enkilid dhe ekolekurë. Këto besoj se janë fobitë e mia. Sektori im i preferuar, është ai i  këpucëve. I adhuroj të gjitha format, llojet, ngjyrat, firmat. Mund të them se blerja e këpucëve është terapia ime e preferuar.

admin

Artikujt e tjetrë