Arte Pamore

Jeta ime në fotografi

Një intervistë ekskluzive me fotografen braziliane, Anna Theodora për revistën Flatra, për rrugëtimin e saj drejt botës së fotografisë …gjithmonë e vëmendshme për të kapur çastet e bukura të jetës.

 Intervistoi: Shpend Maliqi

 Në ditët kur interneti e ka shndërruar botën në “fshat global” arrita të realizojë intervistën me një nga fotografet e mia të preferuara, Anna Theodora. Shumë larg Kosovës, në Londrina, Brazil, Anna rrëfen “sekretet” e fotografive të saj, stilin unik dhe qëllimet e saj. Në fakt kur filloj të bisedoj me të (natyrisht në Facebook) është kaq e gatshme dhe spontante në përgjigjet e saj. “Një fotografi e paharrueshme? Sigurisht se impakti që shkakton tek shikuesi. Mund të jetë çdo gjë, një fragment i çastit, një  vështrim, drita, kompozimi. Një rast i tillë është edhe një fotografi e Kurt Cobain duke  vështruar i mërzitur drejt fotografit, e cila më tërheq jashtë mase”….

 ana6

 

Na trego diçka rreth vetes tënde, si  filluat dhe çfarë domethënie ka fotografia për ju?

Gjithmonë e kam dashur fotografinë, por  lidhja profesionale me të ka rrjedhur krejt rastësisht. Në vitin 2005 vizitova Londrën dhe realizova disa fotografi “turistike” gjatë qëndrimit tim atje, pasi i publikova në rrjetet sociale ato u pëlqyen jashtë mase dhe kështu  fotografia u shndërrua në hobi. Pas një kohe fotografitë e mia kaluan kufijtë e rrethit tim duke marrë famën ndërkombëtare dhe që nga aty iu dedikova plotësisht profesionit si fotografe. Sot fotografoj për të kapur çaste të bukura të jetës dhe për të krijuar diçka të re, këto janë dy “motorët” e mi dhe mbi të gjitha ky lloj i artit më definon si person dhe është gjithçka për mua.

 Në cilin lloj zhanri të fotografisë lundroni dhe ku buron frymëzimi për punën tuaj?

 Më së shpeshti realizoj fotografi në fushën e modës, por nuk mungojnë edhe fotografi që realizoj gjatë udhëtimeve sa herë që më  jepet rasti. Të gjithë ata që më përcjellin në blogun tim e vërejnë që jam e pasionuar dhe frekuentuese e rregullt e muzeumeve  pasi ato përbejnë inspirim të veçantë për mua, pa anashkaluar muzikën dhe punën e artistëve të tjerë.

 Si e përjetoni transformimin nga një fotografe në artiste dhe cilat janë dallimet në fotografitë tuaja?

 Pyetje mjaft interesante. Në fushën e modës  duhet të bësh atë çfarë klientët kërkojnë nga ana juaj, rrallë herë të jepet liria të bësh atë çka dëshiron ti, madje edhe në rastet kur të çmojnë dhe besojnë në aftësitë tuaja, sërish mbetesh brenda kornizave. Në anën tjetër kur i realizoj projektet e mia,  kam të gjitha mundësitë për të shprehur anën time artistike dhe nuk ka asnjë limit në imagjinatë.

ana-3

 

Çfarë  rregullash ndiqni nga ideja deri tek realizimi i fotografisë?

 Rregullat që ndjek nuk janë dhe aq rigoroze, mundohem të nxjerr më të mirën nga ana ime dhe të ndjej kënaqësi gjatë realizimit të tyre. Jam gjithmonë në kërkim të gjërave të reja duke iu kushtuar vëmendje Dritës dhe Kompozimit. Rëndësi të madhe kanë  Përmbajtja dhe Forma, e mbi të gjitha ajo çka dëshiroj dhe kërkoj nga një foto.

Si mendoni, cili është dallimi në mes të bukures dhe vulgares?

 Mund të them se vulgarja konsumohet dhe hidhet shumë shpejt si mbeturinë, ndërsa e bukura është diçka që gjithsecili e do dhe do ta mbante përjetë.

 Çfarë  e bën një fotografi të paharrueshme sipas këndvështrimit tuaj?

 Sigurisht se impakti që shkakton tek shikuesi. Mund të jetë çdo gjë, një fragment i çastit, një  vështrim, drita, kompozimi. Një rast i tillë është edhe një fotografi e Kurt Cobain duke  vështruar i mërzitur drejt fotografit, e cila më tërheq jashtë mase.

Sa i rëndësishëm është photoshop-i dhe programet tjera të editimit për formën finale të fotografive tuaja?

Programet e editimit janë të domosdoshme e sidomos tek fotografitë e modës ku dhe jam më shumë e përqendruar. Ato i aplikoj më shumë tek efektet për rregullimin e lëkurës së modeleve dhe për ngjyrat e fotografisë, ndërsa  në aspektet tjera preferoj që ti marr masat para dhe gjatë realizimit të tyre. Nuk mendoj se është diçka e keqe nëse shtohen elemente nga foto të tjera që të zbukurohet dhe perfeksionohet forma finale e fotografisë, por preferoj që ato të duken sa më të natyrshme dhe reale. Gjithashtu mendoj se kjo formë i jep kuptim më të mirë asaj dhe e përmbushë mesazhin e artistit tek shikuesi, gjithnjë  me dëshirën që të ndjejnë diçka të jashtëzakonshme kur i shikojnë fotografitë e mia.

Cila është sfida juaj më e madhe si fotografe?

Në profesionin tim ka aq shumë sfida sa lista e tyre do të ishte shumë e gjatë. Në botë ka shumë fotografë të mirë dhe duhet punë dhe vullnet i madh për të sfiduar konkurrencën, kështu që për momentin sfida dhe synimet e mia janë  që të pozicionohem sa më lartë në industrinë e modës.

A keni ndonjë fotografi ose set fotografik më të preferuar në portfolion tuaj?

Sigurisht se ka fotografi që i dua më shumë se të tjerat, por është e pamundur që të veçoj ndonjërën prej tyre. Përgjithësisht jam e lidhur ngushtë me to sepse më zgjojnë kujtime, momente dhe ndjesi të veçanta në  udhëtimin tim si fotografe. Në projektet e mia mundohem të shtoj një koncept, një mesazh dhe një mendim më të thellë që të njëjtat të zbulohen nga shikuesit. Titullimi i tyre luan rol të veçantë në këtë kontekst, pasi forcon më shumë mesazhin dhe botëkuptimin tim si artiste.

 

 

 

admin

Artikujt e tjetrë