Intervista

Dashuria nuk ka gjini

Një projekt muzikor i guximshëm, një ide e menduar gjatë dhe e realizuar me përkushtim të madh, autori Shkumbin Tafilaj shpjegon në Flatra “Panta Rei”. “Asnjë ndryshim i madh e me vlerë sociale nuk ka arritur të jetë në funksion të shoqërisë pa u nxitur nga arti”. Kur ndeshesh me projektin muzikor #pantarei, ndjenë dashurin për jetën ndjenë dashurin për artin.

Qeniet humane flasin me gjuhën e shpirtit, këtë gjuhë zgjodhi edhe Shkumbin Tafilaj ta transmetojë për audiencën. #pantarei, të kujton zërin e  kohës së vjetër të epokës që ndoshta edhe nuk i takon, por mes notash zbulon identitetin atë që është monumentale brenda këngës. Përtej kësaj, forcën e lirimit nga kafazi, kategoria që një grup i caktuar njerëzish ka dëshirën ta etiketojë. “Qasja drejt #pantarei, ishte e vërteta ndaj notave dhe lirikes, zgjodha t’i largohem teknikes vokale befasuese punova fuqishëm drejt rolit për t’i prekur të gjitha ngjyrat sepse ato ekzistojnë për njerëzit, preka të vërtetën, punova me mendje të hapur dhe mora nga ndjenja e zemrës dhe i dhashë zërit detyrën që t’i transmetoj emocionet, u dhashë deri në frymën e fundit për të sjell shpresë për ditët me diell, dimensionin e ri të jetës.”

 Si lindi projekti “PANTA REI” dhe pse ky titull?

Projekti muzikor “ PANTA REI “, kishte fatin e projekteve të mëdha muzikore, si çdo shprehje e posaçme artistike, që merr shkas nga arsye të fuqishme sociale, edhe “PANTA REI “ prodhoi nxitje profesionale dhe motivi ishte e vërteta e komunitetit LGBTI, në Kosovë dhe regjion.

“PANTA REI “, është tribut për komunitetin LGBTI në Kosovë dhe regjion, për ata/ato që nuk janë më mesë nesh e që nga jeta e vështirë dhe ngufatja që shoqëria i krijoi ata/ato na braktisën, për ata/ato që jetojnë sot me shumë vështirësi të drejtën e  tyre dhe për brezat e rinj,  për të ardhmen e atyre që do t’i takojnë orientimit seksual homo. Kompozitor i këngës është z.Florent Boshnjaku. Melodia e “ PANTA REI “, ishte infiniti për inspirimin drejt lirikes, që shprehë në frazat e para, gjendjen e një djali i cili ka orientimin seksual homo, në fraza shprehet rrëfimi përballë pasqyrës në agimin e një ditë të re. Për të vazhduar me pranimin e realitetit brenda vetes  se fati nuk mund të ndryshojë, është kodi identifikues i jetës. Në refren vendosëm pyetjen e pa kuptimit, me të cilat përballen komuniteti LGBTI dhe e përmbyllëm me mesazhin me pozitiv që kjo e vërtetë është krenari e jetës. U shërbeva me maksimën greke, të epokës para sokratjane, të filozofit Herakliti. Ishte titulli i duhur për të përmbledhur forcën e ndryshimit dhe largimin e mëdyshjeve për të pranuar këtë ndryshim në jetën e të tjerëve. Panta rei, “Askush kurrë nuk ka kaluar në të njëjtin lumë dy herë, sepse ky nuk është lumë i njëjtë dhe ai nuk është i njëjti njeri”.

“PANTA REI “,  kjo shprehje artistike e veçantë, e cila do të duhej të ishte shprehje e një dimensioni gjithëpërfshirës, si e tillë nevojitej të vizualizohej në mënyrë që të drejtat për transmetimin e  mesazhit, që ka për qëllim, ngritjen e ndërgjegjësimit në masë për STOP njëanshmërive e paragjykimeve për komunitetin LGBTI, në Kosovë dhe regjion, t’i takonin të gjithë transmetuesve publik.

Stafi i Business Development Institute në Prishtinë, zhvilluan projektin dhe ky proçes u  menaxhua  nga znj.Vlora Ismajli, projekti kaloi fazën e aplikimit në Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë. Kjo ambasadë mbështeti fazën e vizualizimit të projektit muzikor “ PANTA REI “, e cila e listoi në grupin e projekteve për mbështetjen e Demokracisë, Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe Zgjidhjeve të problemeve socio-politike.

I dhurova kohën e duhur,  “PANTA REI”, me qëllim që fuqia e saj të  trokas në ndërgjegjen e të gjithë atyre që luhaten në dyshimet për të qenë bekim i të drejtës së atyre që janë homoseksual.

Çfarë mund të na tregoni për bashkëpunimin me artistët në këtë projekt, duke pasur parasysh se kemi shumë pak projekte që trajtojnë të drejtat e komunitetit LGBT?  

Vizualizues të projektit muzikor “ PANTA REI “, janë produksionet: 2B CINEMA dhe MOMENTO FILM, Video art dhe Fotografia u bazuan në një histori nga: Lulzim Luigj Bejta, koncepti regjisorial dhe skenari u zhvillua nga Bardhyl Bejtullahu. I konceptuar si shprehje kontemporane artistike, koncepti regjisorial flet me gjuhën e trupit për ndjenjën e dashurisë brenda llojit të njëjtë. Me pjesëmarrje të veçantë të aktorëve të karrierës: Alban Ukaj, Neda Nikolic, Arta Selimi, Sarah Jusufi dhe Lumi Bekiri, balerinit:Alexander van Hemlok dhe fëmijëve: Drita Azemi dhe Drin Kelmendi, regjisoret shprehin një gjendje të jetës së dyfishtë dhe procesit të rritjes me të njëjtën forcë për të dashuruar. Në kostumografi dhe MUA dhuruan kontributin e  tyre disejnatorja Njomëza Luci dhe artistja e grimit Sellma Kasumoviq. Xhirimet u realizuan në Prishtinë me 15 orë xhirimi për ditë, për të marrë kënaqësi profesionale në inputet e dhëna nga aktoret e grupi punës, që çdo gjë të jetë në funksion të një produkti që në çdo sekondë të përcjellë mesazhin sensibilizues. Aktorët e karrierës i dhanë një potencial shprehës, kërkesës së materialit muzikor, punuan gjatë me materialin muzikor dhe në sheshin e xhirimit shprehen admirimin për krijimin, ndaj dhe rrjedhshëm dhuruan forcën depërtuese përmes lojës duke ndjerë peshën e secilës notë e fuqinë e secilës fjalë drejt mesazhit për të drejtën për të dashuruar.

 Muzika, por edhe të gjitha format e tjera artistike dhe kulturore janë duke ndjekur të njëjtën rrugë, pra të bëhen zëdhënëse të njëjtat çështje?

Fatkeqësisht jo shpesh në Kosovë. Në nivel ndërkombëtar, krijuesit referues njihen për ngritjen e kauzave sociale, shtyrjen e kufijve të perceptimit social dhe ngritjen e vetëdijes për të mirat e jetës.  Industria e muzikës në vendin tonë, po kalon në periudhë të vështirë, të rrallë janë krijues të cilët dhurojnë nga shpirti i tyre krijues vepra me dedikim të posaçëm social në të mirë të shoqërisë. Unë nuk dua të ndërhyj në zgjedhjet e tyre, performuesit qëndrojnë brenda kriterit bazë argëtimit të audiencës, por unë besoj që ata/ato, mund dhe duhet të japin më shumë nga arti i tyre. Nëgishta mund të numërohen artistët referues të industrisë së muzikës, të cilët i mbijetuan tundimit për t’u identifikuar me një kartëmonedhë monetare dhe dhuruan në pafundësi vepra të cilat do të jenë pikë referuese edhe për krijuesit në të ardhmen po ashtu edhe rolin edukues për shoqërinë, e cila mbetet e etur për të marrë më shumë nga arti.

Si mendoni se aktivistët e komunitetit LGBTI mund të fusin në diskutimin çështjen e këtij komuniteti në Kosovë dhe cila është mënyra më e mirë për të ndihmuar shoqërinë që ta pranojnë komunitetin LGBTI?

Avokimi, nuk i takon vetëm aktivistëve të komunitetit LGBTI, na takon të gjithëve, artistëve, sportisteve, politikbërësve, mediave të shkruara dhe vizive dhe padyshim institucioneve të cilat promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Pranimi i së vërtetës, është rruga drejt jetës së lumtur. Familja celula e shoqërisë, ka përgjegjësinë e para të përkrahë zgjedhjet e komunitetit LGBTI, pastaj shoqëria është ajo e cila do t’i promovoi këto të drejta, të cilat janë të afishuara diku në konventat, ligjet e kushtetutën e vendit tonë. Mekanizmat janë të ndryshëm, ato mund të jenë represiv, të dhunshëm, por kjo nuk i ngjanë formës për t’a trajtuar një çështje e cila në themelin e saj ka DASHURIN dhe të drejtën për të dashuruar. Komuniteti LGBTI – homoseksualiteti,  konsiderohet i turpshëm dhe temë-tabu, në Kosove dhe regjion, fatkeqësisht është mentaliteti i disa njerëzve të vegjël, të cilët edhe pse ka kaluar kohë e mjaftueshme nga hapja e dyerve drejt botës nuk kanë arritur dot të hapin mendjet. Shpesh diçka shumë pozitive mund të të shfaqet përpara syve por në qoftë se mendja nuk është në gjendje që ta kuptojë këtë gjë nuk do të jesh në gjendje të zhvillohesh si qenie humane. Ndoshta do të duhen disa vite më shumë për të mbikaluar mentalitetin e “qytezës së vogël”, por koha të braktisen shpejt.  Dhe kjo vret thellë në shoqëri. Andaj projekti muzikor, #pantarei, është shprehje artistike e cila ofron një mundësi të re për t’a kuptuar komunitetin LGBTI, në Kosovë dhe për ta respektuar zgjedhjen e tyre. Dashuria mbetet Dashuri, dhe forma se si shprehet ajo duhet te kuptohet si vlerë e shtuar. Mos të harrojmë pjesëtarët e këtij komuniteti, nuk janë jashtëtokësorë, por ata/ato gjenden në familjet tona, shoqërinë tonë dhe shtetin tonë. Janë pjesë e jona. Na takon ne, të zgjedhim a dëshirojmë të ulemi në ulësen e cila na jep të drejtën e pa kuptim që t’i gjykojmë të tjerët për zgjedhjet e tyre dhe kjo zonë komode e të qënit ndryshe të na shërbejë për t’u identifikuar si superior me kualitete të tjera maskiliste e feministe, apo te qëndrojmë përkrah komunitetit LGBTI duke respektuar zgjedhjen e tyre. Projekti muzikor “ PANTA REI “, ka përcjell forcën inkurajuese që të gjithë ne të jemi të bashkuar për të shprehë përkrahjen në çdo moment për komunitetin LGBTI në vendin tonë.

admin

Artikujt e tjetrë