Arte Pamore

Arti përmes kujtesës

91

I veçantë, jo vetëm për materialin që përdorë për të krijuar veprat e tij, por edhe për mesazhin, kujtimet, traditën, të shkuarën që sjellë te publiku. Artan Hajrullahu, artisti që nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë na sjellë të shkuarën në të tashmen. Kujtesa e tij autobiografike nuk siguron thjeshtë një lidhje në mes të kaluarës së largët dhe momenteve aktuale të vetëdijes, por ajo ndërton dhe interpreton, është një përgjigje konceptuale për marrëdhëniet mes kujtesës, përfaqësimit dhe mungesës, një reflektim mbi artin.   

 

Na flisni pak për veten tuaj dhe hapat e parë në botën e artit?

Në vitin 2004 kam mbaruar Fakultetin e Artit, dega Pikturë, një kohë kur e kam parë artin si një sfidë për mua, një hap i mirë  dhe i suksesshëm ka qenë kur kam filluar ta kuptoj artin se është më shumë se sa një profesion. Hapat e tjerë të rëndësishëm  kanë qenë çmimi Artistët e së Nesërmes, në vitin 2013, një program ndërkombëtar që nënkuptonte një rezidencë gjashtë javore në studio ndërkombëtare dhe program kuratorial  në Nju Jork. Më tej ekspozita personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2010,çmimi Artisti i Vitit për 2014-në në Gjilan edhe shumë projekte tjera  jashtë vendit, të cilat më kanë dhënë një shtytje për të ardhmen si artist  Aktualisht jam profesor në shkollën e mesme të artit pamor ‘Adem Kastrati’ në Gjilan, ku ligjëroj lëndën e Pikturës.

imgp0363

 

Si e përshkruani artin që bëni?

Thjeshtësia ,tregimet për të kaluarën, kohën kur çdo moment ishte interesante për mua dhe ajo ishte koha e fëmijërisë. Atë kohë që sot unë e përshkruaj dhe e krijoj me një vëmendje të veçantë dhe në mënyrë poetike dhe kronologjike përmes vizatimeve dhe pikturave, duke treguar historinë e fëmijërisë, thjeshtësinë e asaj kohë që sot të gjithëve na mungon.

Çfarë përpiqeni të përcillni tek të tjerët?

Dashurinë për vendin për të kaluarën, kohën, traditën të gjitha këto janë  një shqetësim për mua dhe mundohem të reflektoj tek të tjerët, punët e mia  artistike kanë të bëjnë me tema të jetës së përditshme dhe nostalgjisë. Vizatimet përshkruajnë skena të përditshme dhe kujtimet e fëmijërisë, ku lidhja ndërmjet njerëzve dhe objekteve shtëpiake tregojnë histori poetike, e gjithë kjo nostalgji mund të ngjallë ndjenjat e së kaluarës tek të tjerët.

Na tregoni pak për procesin e punës në një vepër arti?

Jo gjithë herë mund të jetë procesi i njëjtë në ndryshimin e historisë gjithmonë artisti mundohet ta gjejë një mundësi për realizimin e punëve të tij sa më unike të jenë ato si nga ideja po ashtu edhe teknika. Pako-letra është materiali më i preferuar për mua me të cilën punoj unë, sa më e vjetër të jenë letra aq më mirë përshtatet me idenë që unë dua të realizoj për atë arsye mundohem që materialet e letrës për punë ndonjëherë edhe t’i përpunoj ‘ricikloj’.

Sa është frymëzues ambient ynë (Kosova) për një artist si ju?

Frymëzimi rrjedh gjithmonë nga ky vend në mënyrë kronologjike, jam frymëzuar nga ky vend… nga e kaluara ime personale, fëmijëria, nga tradita, kulturat familjare, objektet e thjeshta të asaj kohe, njerëzit. Të gjitha këto kujtime mundohem t’i përshtatë me tregimin tim për të kaluarën që janë pjesë e krijimtarisë sime, në këtë vend mund të gjesh frymëzim.

Cilat janë detajet apo elementet, që e identifikojnë një vepër tuajën?

Trajtimi poetik  i tregimeve për të kaluarën, materialin  për realizimin e idesë, format e objekteve elementet shtëpiake  në veçanti jam munduar të trajtoj eksterierin , figurën e njeriut, portreti, ngjyra etj, të gjitha këto më bënë të ndihem mirë.

Cilin artist e vlerësoni më shumë dhe i cili në një mënyrë apo tjetër ka ndikuar në zhvillimin tuaj artistik?

Nganjëherë artisti e gjen frymëzimin tek një artist tjetër, por nuk do të thotë të kopjoj është e rëndësishme atë që t’i e kërkon të dish ta realizosh. Gjithmonë jam munduar të gjej diçka në tregimet e mia të fëmijërisë në këtë vend, i cili ka ndikuar në punën time krijuese, në këtë vend ku tregimet për të kaluarën që kam patur t’i realizoj në krijime të veprave të mia. Me pak fjalë ky vend ka qenë shumë ndikues për mua. Ndërsa sa i takon artistëve që vlerësoj shumë,  janë disa prej tyre që më pëlqejnë dhe që janë më të veçantë si Hieronymus Bosch, Henri Rousseau.

Cilën nga veprat tuaja e vlerësoni si më të veçantën dhe pse?  

Çdo vepër e ka një histori të veçantë për mua, gjë që kjo më lë një përshtypje se çdo njëra vepër është e veçantë për arsye se çdo njëra prej tyre rrëfen diçka për të shkuarën dhe çdo e shkuar ndonjëherë mund të jetë edhe e hidhur, por dhe  interesante. Të gjitha i vlerësoj njësoj … ndonjëherë mund të kem ndonjë preferencë të ndonjë vepre, si “Vajza duke i tharë  flokët afër stufës së druve”. Vajzat me flokë të gjata në të kaluarën pas larjes së flokëve i  afroheshin stufës së druve për t’i tharë flokët, këto kanë qenë momente interesante për mua, të cilat më kanë mbetur në mendje dhe sot unë mundohem që këto kujtime t’i zhvilloj në punët  e mia  artistike.

 

admin

Artikujt e tjetrë