Kulturë

Shqip, përkrah yjeve të Brodway

Rrugëtim që nisi në teatrin “Sandër Prosti”, për të prekur skenat më të njohura botërore. Ergin Oda, artisti shqiptar/cosmopolitan në skenat musical të Nju Jorkut sjellë në Flatra prapaskenat dhe përjetimet e një artisti. 

Nga Sara Ereqi

Atëherë një 9 vjeçar i pasionuar me muzikën, që adhuronte skenën dhe në veçanti tingujt e muzikës.  Ergin Oda, që nga ajo kohë  ka kaluar shumë skena, performanca të panumërta dhe bashkëpunime të mrekullueshme. Sot e gjejmë në skenat njurokeze The Duplex, Carnegie Hall dhe Metropolitan Room. “Këto paraqitje i kanë dhënë karrierës sime flatrat për të guxuar tutje dhe natyrisht me shumë nostalgji e admirim i kujtoj dhe prezantimet e mia në skenat e Kosovës dhe Shqipërisë, që padyshim kanë një kuptim shumë të rëndësishëm për mua”.  Ergini risjellë edhe njëherë në kujtesën e tij  të gjitha përjetimet, sfidat, arritjet e sukseset, që kanë karakterizuar karrierën e tij artistike. Pas eksperiencës së suksesshme në Kosovë, ai niset drejt Parisit për të synuar botën e muzikalit dhe bashkëpunon me njerëz të rëndësishëm e me ndikim në botën e muzikalit frankofon. Viti 2010 -2011 pranohet në Konservatoriumin e Vjenës/Drejtimi Musical, në klasën e Prof. Annette Fischer.

Pas kësaj eksperience të mrekullueshme Ergini realizon këndimin “Bel Canto” në Kosovë me prof. Merita Junikun, për të vijuar aty ku është sot në SHBA si pjesë e projektit “Campo Doro”, i themeluar nga prof. Dorothy Stone. Por të arrish majat për një artist nganjëherë është vërtetë sfilitëse dhe kërkon shumë përkushtim. “Të ndërtosh karrierë, do të thotë të shpenzohesh i tëri, të harrosh veten, ke më pak kohë për familjen e shoqërinë ngaqë je i të gjithëve. Empatia dhe socializimi shndërrohen në një ujë me shije tjetër, pavarësisht situatave emocionuese,  ka vetëm një rrugë e që është puna dhe sakrifica. Ndërsa në Nju Jork të bësh jetë të zakonshme është sfiduese dhe kërkon shumë durim. Një territor i stërmbushur me njerëz nga e gjithë bota, sa vështirë është të vraposh në pistën e dendur me konkurrencë.”

Për tu përballur me paradokset e njujorkeze duhet të jesh ushtar i super trajnuar. Të cilësohesh artist në atë pjesë të botës ku takohen më të mirët është vërtetë e frikshme dhe e lodhshme. Edhe për Erginin ky rrugëtim ishte përplot sfida, por që njëkohësisht i ka dhënë shumë.  “Kam mësuar shumë, kam prekur të gjitha limitet dhe jo limitet,  që ndodhen brenda organizmit tim, prandaj dalja në sipërfaqe është kaq e bukur dhe e magjishme, sepse kupton se për ta parë shkëlqimin është dashur të rrezohesh e ngrihesh qindra herë. E rëndësishme është që në këtë vend nuk ndihesh i diskriminuar, i paragjykuar, nuk të mbyllen dyert vetëm pse do dikush, tregu është i ashpër por dhe mundësitë janë të mëdha, ndryshe çdo sistem ka të mirat dhe të metat e veta, njeriu vendos nën cilin qiell dëshiron të frymojë.

Personalisht i dashuroj sfidat dhe rreziqet, përkundër vështirësive kjo është jeta që kam zgjedhur, sepse jam pro ndërtimit të një karriere të shëndoshë, pa bërryla, pa nipër e mbesa, dajallarë e teze, politika të jashtme e të brendshme, siç ndodh fatkeqësisht në Kosovën tonë të pas luftës. Sfida më e madhe në karrierë është gjetja e territorit në të cilin përket, pastaj funksionimi është dukshëm më i lehtë. Këtu sfida më e madhe është gara, sepse konkurrenca është e tmerrshme, mund të shkëlqesh dhe të harrohesh brenda ditësh.”

img_2057-ergin-oda

                 

 Sfidat e muzikës klasike dhe artit në Kosovë

Ergin Oda është rritur me artistë të njohur, nga të cilët edhe ka pasur ndikimin në karrierën dhe formimin profesional. Emra si Pavarotti, Domingo,  Dmitri Hvorostovsky, Tito Gobbi, Sherril Milnes, Dietrich Fischer-Dieskau, Gilbert Becaud, Jacques Brel, Garou, Pascal Obispo, Josh Groban, Andrea Bocelli, Frank Sinatra, Joe Franklin, etj., kanë qenë gjithmonë të pranishëm në jetën e tij. Ndërsa sot duket se gjërat kanë ndryshuar, e në veçanti kur flasim për promovimin e artistëve dhe mënyrat sesi ata takohen me publikun. Sot kemi rrjetet sociale, që e bëjnë të mundur çdo ditë një gjë të tillë. Artistët dhe puna e tyre është më e qasshme se asnjëherë tjetër.

Megjithë të mirat dhe të këqijat e kësaj mënyre të promovimit të prurjeve në art, Ergini mendon se jo gjithmonë teknologjia është platforma më e mirë për të bërë art apo për të promovuar punën e artistit. “Jam pro dhe kundër kësaj mënyre jetese. Rrjetet sociale i kane vetmuar njerëzit. Ata janë më fallco dhe më të ftohtë në raport me jetën reale, që ndodh jashtë teknologjisë, kjo është një sëmundje, që pasojat do ia shohim më vonë. Por njëkohësisht jam pro, sepse nuk ka rëndësi ku ndodhesh, ngase arrin të lidhesh me njerëzit që do dhe të interesojnë. Personalisht promovoj punën time përmes rrjeteve sociale, ngaqë jeta në Nju Jork është shumë dinamik dhe nuk arrij t’i përgjigjem çdo gazete dhe mediumi. Mendoj se  facebook, twitter, instagram etj., më kanë lehtësuar komunikimin me njerëzit që e duan punën time.”

Ashtu si të gjitha sferat e artit, tek ne muzikës klasike nuk i është rezervuar ndonjë hapësirë e veçantë, pavarësisht vlerave që ka. Mungesa e sallës është një nga problemet, që pengon zhvillimin e artistëve për të bërë ashtu si duhet punën e tyre. Pastaj kemi mungesën e Orkestrës Simfonike, ku do të ekzekutoheshin veprat në mënyrë të duhur. Shumë prej vokalistëve përfundojnë Universitetin dhe nuk arrijnë asnjëherë të prekin skenën. “Periudha e pas-luftës ka qenë në sinkron me të gjitha problemet që përballet shteti ynë tash e sa vite. Nuk është se në aspekte të tjera qëndrojmë më mirë, ne jemi shumë keq në shumë drejtime. Muzika klasike në Kosovë ka pasur fillet e sa të shëndosha,  por rrugës e ka gabuar drejtimin dhe tani është si mos më keq. Fakti që Fakulteti i Arteve/Departamenti i Muzikës, drejtohet nga njerëz të pa denjë, rezultati është ky që kemi. Institucionet e Artit drejtohen nga njerëz që për synim kanë interesat e tyre personale, janë absolutisht të paaftë për të drejtuar institucionet që u janë besuar. Dhe fakti që shumë prej nesh, përfshirë  këtu edhe veten time, që jemi duke vepruar në diasporë, tregon mjaftueshëm për kushtet në të cilat ndodhet skena e muzikës klasike në vend. Çfarë duhet ndryshuar?! Shkollat e mesme të muzikës duhen pajisur me staf më cilësor, Fakulteti i Arteve / Dega e Muzikës, duhet ta ndryshojë tërësisht politikën  e funksionimit, Filarmonia dhe Opera e Kosovës, duhet udhëhequr nga njerëz, që nuk anojnë dhe nuk janë të ndikuar nga politika, ndryshe nuk ka hapësirë të flitet për muzikë të mirëfilltë në rrethanat në të cilat ndodhet arti sot në Kosovë.”

Megjithë horizontin e veprimtarisë së tij artistike, Ergini duket se nuk ka kohë për të pushuar.  Aktualisht është i angazhuar në shfaqjen “My name is cosmopolitan”, premiera e së cilës është dhënë me 20 tetor të këtij viti, në njërën prej hapësirave më të njohura musical/cabaret në Nju Jork/Metropolitan rom, skenë në të cilën kanë performuar Joe Franklin, Bjork, Liza Minelli, Dorothy Bishop etj. Gjithashtu  është hera e parë  që performohet shqip në një skenë ku kanë shkelur yje të Brodway-t, një hap për ta vlerësuar dhe frymëzim për artistët, që punojnë çdo ditë  për të sjellë vlera dhe art të mirëfilltë.

admin

Artikujt e tjetrë