Intervista

Zhytja, sporti i adrenalinës dhe sfidave

 Nga Shpend Maliqi

Zhytja është sport, që praktikohet në mënyrë rekreative në të gjithë botën, por shumë të apasionuar pas tij, vendosin që ta shndërrojnë atë në profesion. Klubi “Prishtina” edhe gjatë këtj viti është cilësuar si mjaft i suksesshëm më aktivitetet e tij. Për ata që nuk kanë shumë informacione për këtë lloj sporti, zhytja apo siç është e njohur ndërkombëtarisht, “Scuba diving”, është noti nënujor ku zhytësit nëpërmjet cilindrit me oksigjen mund të qëndrojnë dhe të eksplorojnë botën nënujore për shumë orë. Ndërsa të qenët zhytës profesional ka avantazhet e veta për mundësi punësimi si instruktor për zhytësit e rinj, zhytës për turistët, zhytës i policisë, për qëllime shkencore,  ushtarake etj. Besart Kasumi, drejtues i klubit të zhytjes “Prishtina”, zbulon më shumë në këtë intervistë për Flatra.

Kur ka filluar të praktikohet sporti i zhytjes në Kosovë?

Ky sport praktikohet për shumë dekada me radhë nën drejtimin e babait tim Ismail Kasumi, i cili gjatë rrugëtimit të tij ka trajnuar me dhjetëra zhytës të rinj nga Kosova dhe mbarë ish-Jugosllavia. Ai po ashtu pas luftës në Kosovë, realizoi edhe trajnimet për të aftësuar zhytësit e parë të ish-TMK-së, si dhe shumë anëtarë  të tjerë, që merren edhe sot me zhytje. Mbi të gjitha themeloi klubin e parë të zhytjes në Kosovë, me emrin “Prishtina”.

Kur vendosët të ndiqni hapat e babait tuaj?

Meqenëse babai  ka qenë shumë aktiv në këtë sport, patjetër që më është dhënë mundësia të jem shumë afër aktivitetit të zhytjes, kolegëve të babait si dhe pajisjeve të zhytjes, të cilat kanë qenë “lodrat” e mia të preferuara, që në fëmijërinë time të hershme. Me zhytjen kam filluar  nga mosha 13 vjeçare, fillimisht duke mbajtur seanca trajnuese me babin.  Kështu pas dy viteve zhytjeje dhe përfundimit të të gjitha mësimeve bazë  teorike the praktike të nivelit të parë OWD (Open Water Diver), nga mosha 15 vjeçare kam filluar me zhytje  në ujërat e hapura. Por nuk jam i vetmi, që merrem me sportin e zhytjes, edhe motra ime Triera gjithashtu ka filluar këtë sport që në vitin 2003. Ajo është  zhytëse aktive dhe pjesë përbërëse e klubit të zhytjes Prishtina, e cila me shumë dashuri e përkushtim është duke u shkolluar në nivelet më profesionale të këtij sporti. Triera po ashtu është e vetmja femër e cila merr pjesë në aksionet më të vështira siç është kërkimi dhe  gjetja e kufomave në liqene e lumenj etj.

2

 Ç’farë i shtyn njerëzit ta praktikojnë këtë sport?

Sporti i zhytjes praktikohet  për shumë arsye, për disa njerëz janë bukuritë nënujore, për disa është kureshtja për të eksploruar një botë krejt ndryshe nga ajo, e cila e jetojmë në përditshmërinë tonë,  për disa është adrenalina dhe sfida.  Mund të them se ka aq shumë arsye  tjera sa çdo njeri, që i drejtohet këtij sporti mund të dallojë prej të tjerëve. Por, ajo që na bashkon të gjithëve është relaksimi dhe kënaqësia, që përjetojmë në një botë kaq të ndryshme nga ajo e jona.

Cilët njerëz dhe grupmosha mund të merren me sportin e zhytjes ?

Pothuajse kushdo, duke filluar që nga fëmijët e moshës  tetë vjeçare të cilët mund të fillojnë të zhyten me programet, që ligjërohen në ujëra jo të thella. Nga mosha 10 deri 15 vjeçare fëmijët mund të certifikohen si zhytës “Junior” në ujëra të mbyllura (në pishina), ndërsa nga mosha 15 vjeçare çdokush mund të çertifikohet  si zhytës në ujëra të hapura.

7

Cilat janë kriteret  shëndetësore për ata që duan të fillojnë me zhytjen?

Kriteri kryesor është gjendja e mirë shëndetësore, si nga ana fizike ashtu edhe nga ajo mendore.  Ne gjithashtu kemi një pyetësor mjekësor ku anëtarët e rinjë duhet të përgjigjen kur  regjistrohen për  ndonjë kurs dhe gjithashtu para çdo zhytjeje nëse dikush nuk ndihet mirë duhet që fillimisht të konsultohet me mjekun.

Cilat janë vendet më të preferuara për tu zhytur në ujërat e territorit shqiptar?

Kemi fatin, që trojet shqiptare janë parajsë për sportin tonë, ne kemi mundësi të zhytemi në ujërat e detit Adriatik dhe Jon, në liqene dhe lumenj të ndryshëm, në ujëra të freskëta të burimeve e grumbullimeve natyrale. Po ashtu kemi mundësi të rralla të zhytemi edhe në labirintet e ujërave të shpellave.  Si vende më të preferuara patjetër se është deti, e në veçanti jugu i Shqipërisë, ku mund të zhvillojmë lloje të ndryshme të zhytjes, por pa i anashkaluar edhe zhytjet ne vende tjera të siç janë liqenet si Batllava, Badovci, Radoniqi, Ujmani etj., pastaj janë liqenet natyrale të bjeshkëve tona kristal të pastra, burimi i ujit në gropën e minierës së boksitit në Volliak dhe si dezert për trojet shqiptare zhytja tek Syri i Kaltër në Sarandë.  Sa i përket zhytjes në shpella mund të them se është lloji më i rrezikshëm i këtij sporti dhe kërkon  profesionalizëm të lartë.  Ne kemi shumë shpella me bukuri jashtëzakonisht të mëdha dhe me sasi të akumuluara të ujit, por që ende 90% të tyre janë të pa eksploruara.

A është e vështirë për tu mësuar zhytja në ujë?

Zhytja në ujë me pajisjet moderne është shumë e sigurt dhe e lehtë për tu mësuar. Të gjitha njohuritë bazë të këtij sporti si nga ana teorike ashtu edhe nga ajo praktike, mund të mësohen nga tri deri në shtatë ditë.

Në cilën periudhë të vitit është i përshtatshëm kursi për zhytje?

Kënaqësia më e madhe është nëse mbahet  gjatë ditëve të nxehta verore,  por mund të realizohet  çdo kohë pasi që pjesa e parë e kursit dhe teoria mund të kryhen në ambiente të mbyllura, ndërkaq pjesën praktike në ujera të hapura na mundësojnë  veshjet speciale të zhytjes të cilat mund të jenë me trashësi të madhe si për shembull veshjet e lagura 7.5 mm , veshje  gjysmë të thara si dhe veshje të  thara në të cilat nuk depërton uji dhe mbahet temperatura e lartë në trup.

Para disa muajsh keni arritur marrëveshje me klubin e zhytjes Oazi Blu nga Vlora. Cilat janë frytet e këtij bashkëpunimi?

Po, kjo ishte një ëndërr e kamotshme e babait tim dhe e  jona për të bashkëpunuar me zhytësit nga Shqipëria, të cilën e realizuam duke arritur marrëveshje për trajnimin e kuadrove të reja që e përzgjedhin zhytjen si sportin e tyre. Ne vlerësuam se bashkimi i përvojave dhe organizimi i trajnimit të përbashkët do të jetë më frytdhënës në aspektin e profesionalizmit si dhe në atë të çertifikimit të zhytësve. Tani çdo anëtar i ri  në “Klubin e Zhytjes Prishtina” mund të licencohet me patentë internacionale për zhytje.

admin

Artikujt e tjetrë