Letërsi

Në botën e Mira Meksit

0001-mira-35

Teuta, si figurë shumë komplekse historike është intriguese për një shkrimtar, por, mbi të gjitha, nevoja që letërsia ta trajtojë ashtu siç ajo është në të vërtetë: shenjë identitare e kombit tonë. Një intervistë shumë emocionuese dhe e veçantë me shkrimtaren Mira Meksi, e cila na hapë “portat” për një univers tjetër letrar.

Nga Besa Gjoni / Fotografia: Felix

 “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, si erdhi tek ju le të themi frymëzimi për të realizuar një vepër në të cilën shpaloset historia?

Ideja fillestare ka lindur nga një lloj kërshërie e fëmijërisë sime për mbretëreshën Teutë. Me kalimin e viteve, tërheqja për të shkruar për të erdhi dhe u rrit nga një sërë faktorësh që lidheshin me kultivimin tim, pjekurinë letrare, hulumtimet e bëra për Ilirinë, si edhe nga dëshira për të hedhur sado pak dritë mbi një periudhë, e cila është ende  e keqndriçuar nga historia si shkencë, me dëshirën për t’u sjellë si historiane brenda mjeshtërisë sime të shkrimtarit. T’i shtojmë të gjitha këtyre faktin se Teuta, si figurë shumë komplekse historike, është shumë intriguese për një shkrimtar, por, mbi të gjitha, nevoja që letërsia ta trajtojë ashtu siç ajo është në të vërtet: shenjë identitare e kombit tonë. Ishte pra, ç’ka shpalosa këtu, motivimi dhe frymëzimi im për të shkruar një roman të këtillë historik, kaq të vështirë.

Letërsia apo veprat letrare shpeshherë janë cilësuar si vepra të shkruara nga gratë apo burrat, cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Pa dyshim që ideologjitë, paragjykimet e shoqërisë njerëzore i bëjnë ndarje të tilla. Në përgjithësi të nisur nga koncepte diskriminuese për autoret femra. Po e përsëris se letërsia, shkrimësia, është një produkt shpirtëror dhe shpirti njerëzor nuk mund të ketë gjini.

0001-mira-6

 Romanet tuaja kryesisht kanë gratë si protagoniste, pse kjo zgjedhje?

Këtë pyetje ma kanë bërë shpesh. Përkime të tilla nuk mendoj se kanë ndonjë arsye të dukshme, sepse shkrimësia nuk bën ndarje të tilla. Vjen te shkrimtari një ide fillestare, e cila është guri i parë i asaj që do të ndërtohet. Vjen në formë imazhi, ideje, arome, personazhi. Vjen nga kujtimet, ëndrrat, përjetimet e çdo dite, nga rrëfimet e të tjerëve. Po t’i marrim me radhë personazhet kryesore të romaneve të mi, sidomos dy romaneve historike, Frosina e Janinës dhe sidomos Teuta e Ilirisë, janë, jo vetëm shumë të spikatura për epokën ku kanë jetuar, por edhe shumë ushqyese për shkrimësinë, tërheqëse dhe plot intrigë, aq sa çdo shkrimtar do të ndihej me fat të shkruante për to. Nga ana tjetër, ndoshta, botën shpirtërore të femrës e njoh më mirë dhe vetiu shkoj në këtë drejtim, lidhjen shkrimtar-personazh e kam më të lehtë me personazhet femra.

Sa kohë ju duhet për të shkruar një libër?

Është e ndryshme për çdo libër, por më duhet shumë kohë. “Frosina e Janinës” doli në dritë pas gjashtë vjetësh punë, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” më mori pothuaj tetë vjet. Romanet që më kanë marrë më pak kohë janë e “Kuqja e demave” dhe “ Porfida”, nga tre vjet kohë secili.

 Cilat janë sfidat më të mëdha që i keni hasur gjatë karrierës tuaj?

Romani historik. Dhe sidomos romani mbi Ilirinë dhe mbretëreshën Teutë. Jo vetëm për faktin se materialet historike janë të pakta, siç thashë është një periudhë e pandriçuar siç duhet nga historia, jo vetëm se bëhet fjalë për 2300 vjet para, jo vetëm se i duhej përshtatur sidomos gjuha, se duhej përshtatur edhe psikologjia e personazheve me kohën e ngjarjeve dhe jo atë të rrëfimit, se duhej gjetur një raport i drejtë midis historikes së shkruar dhe kujtesës së gjallë, por edhe se qëllimi dhe sfida ime si shkrimtare ishte ta merrja lexuesin e sotëm dhe ta çoja në Ilirinë e shek të III para Krishtit, dhe jo ta sillja Ilirinë në ditët e sotme, siç ndodh rëndom me romanin historik.

 Dhe cili është ambienti më i përshtatshëm apo i duhur gjatë procesit të të shkruarit?

Më duhet qetësi, laptopi im dhe shumë kafe. Kudoqoftë.

Shkrimtari dhe kompromiset. Ju ndodh të ndjeheni të obliguar ndaj lexuesit?

Lexuesi im është rritur shumë dhe përgjegjësia ime ndaj këtij lexuesi po ashtu. Shkruaj shumë ngadalë.

Eksperienca, observimi dhe imagjinata janë disa nga elementet që karakterizojnë punën e shkrimtarit, si qëndron kjo në rastin tuaj?  

Të gjitha këto që ju përmendët janë elemente që përbëjnë poçarinë time ku gatuhet balta e shkrimësisë. Dhe ca më tepër përjetimet dhe kujtimet e fëmijërisë, por edhe ato që nuk kanë lidhje me realitetin objektiv dhe që më vijnë nga realitete paralele me elementë fantastikë që ushqejnë krijimtarinë time.

Aktualisht çfarë keni në tryezën tuaj të punës?

I jam rikthyer pasionit tim të hershëm, tregimit. Tregimit fantastik. Shpresoj që në Panairin e Librit në nëntor në Tiranë të jem e pranishme me një përmbledhje tregimesh.

admin

Artikujt e tjetrë