Intervista

Ku ka dhunë nuk mund të ketë dashuri

Jo të gjitha llojet e dhunës të lënë shenja, disa prej tyre të shkatërrojnë shpirtin ngadalë. Jemi duke folur për dhunën psikologjike, nga e cila shpesh biem viktima pa dashje. Viktimat e dhunës psikologjike janë të paralizuara, të hutuara, ndjejnë dhimbje, vuajtje emocionale …. dhe gjëja më e tmerrshme është se kjo dhunë shkaktohet nga dikush që e doni dhe të cilin e besoni. Natyra Agani, psikologe, në këtë intervistë flet për dhunën psikologjike që ushtrohet në shumicën e rasteve ndaj grave, pasojat dhe disa nga mënyrat se si duhet të parandalohet dhuna psikologjike.

Dhuna psikologjike nuk lë shenja fizike, por a është po aq e rrezikshme sa ajo fizike?

Dallimi mes dhunës fizike dhe psikologjike, qëndron në faktin se e para lë shenja të dukshme për identifikim nga të tjerët (p. sh., hematomë apo gërvishtje), ndërkaq dhunën psikologjike nuk mund ta identifikojmë përmes shenja të dukshme. Dhuna psikologjike ka një gamë të gjerë të manifestimit simptomatologjik kryesisht përmes ankthit, problemeve në gjumë dhe koncentrim, marrëdhënie ndërpersonale, dhe trauma. E gjithë kjo gjendje është përjetim subjektiv i individit dhe si rrjedhojë nuk mund të identifikohet nga të tjerët, përveç rasteve kur individi shpreh gatishmërinë për të diskutuar për këtë çështje me profesionistët e shëndetit mendor.

 Çfarë është dhuna psikologjike në thelb?

Dhuna psikologjike është një formë e abuzimit, por e cila ka karakter emocional. Në të shumtën e rasteve ushtrohet përmes komunikimit verbal të cilat kanë karakter ofendues, nënçmues, poshtërues, dhe denigrues për integritetin e individit. Si rrjedhojë, dhuna psikologjike shpesh vjen në kombinim me dhunën fizike, e cila edhe më tutje rëndon simptomatologjinë e individit dhe njëkohësisht vështirëson zhvillimin dhe funksionimin normal të individit.

foto-1

Çfarë mund të bëjmë si shoqëri për të dekurajuar dhunën? Ka nga ata që thonë se është e pashmangshme. A mund të ndryshojë?

Ekzistojnë disa forma të cilat dekurajojnë praktikimin e dhunës në një shoqëri, por është dokumentuar shkencëtarisht se programet e intervenimit në komunitet kanë treguar rezultate të qëndrueshme për periudha kohore më të gjata. Një formë e saj, janë programet vetëdijësuese me nxënësit e shkollave fillore, ku përmes ligjëratave interaktive transmetohen informata lidhur me dhunën në përgjithësi dhe me pasojat afat-shkurtra dhe afatgjata për zhvillimin e individit i cili është subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike. Këto programe parandalimi prezantohen në mënyrë sistematike të cilat shoqërojnë zhvillimin fizik, emocional, dhe social të të rinjve. Në anën tjetër, roli i kulturës është determinues në fuqizimin e qëndrimeve kundrejt dhunës psikologjike. Shprehjet si “ai që të lëndon, të do” vetëm sa legjitimojnë praktikat abuzive në një shoqëri. Andaj, eliminimi i këtyre praktikave abuzuese mund të bëhet vetëm përmes edukimit të gjeneratave të reja, mbi respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe integritetin dhe dinjitetin e tyre.

admin

Artikujt e tjetrë