Kulturë

Harmonia në tingujt e flautit

Ndonjëherë të shkëlqesh duhet të gjesh forcën për të fluturuar larg. Larg nga shtëpia, familja, miqtë, dhe pastaj gjithçka varet nga pasioni që ke. Nina Shala është një nga artistet që ka ecur në këtë rrugëtim, ku dëshira për të mësuar, për të dhënë gjithmonë më të mirën, drejt limiteve të muzikës, e ka bërë sot një nga emrat e njohur të kulturës sonë .

Nina Shala është flautistja që sjellim në Flatra, nëpërmjet dëftimit të saj të mbushur me suksese e plot momente të bukura.  Ajo ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur vendosi të merrte pjesë në “William Bennet’s Summer School “ në Angli, një ide dhe iniciativë e babit të saj dhe një përvojë e bukur që ndikoi në vendimin final të Ninës që të studiojë muzikën. Në vitin 2002 pas përfundimit të shkollës së mesme me mbështetjen e vazhdueshme morale dhe materiale të prindërve të saj, ajo fillon të studiojë në “Trinity College of Music “ në Londër, me flautistët  Lynda Coffin dhe Ëissam Boustany. Pas dy vitesh transferohet në Milano për të përfunduar studimet për Interpretim në Flaut pranë Konservatoriumit ‘Giuseppe Verdi”me profesori Diego Collino. Arsimimi dhe edukimi i artistes nuk përfundon këtu, pasi ajo vendos të vazhdojë studimet Master në Konseravtoriumin e Muzikës në Brescia. Gjatë tërë këtyre viteve në Itali, Nina ka marrë përvojën adekuate dhe studime cilësore e profesionale duke u angazhuar edhe në orët private me profesorin Enzo Caroli, i cili ka ndikuar pozitivisht në rritjen e saj profesionale. Ndërsa sukseset e saj në skena të ndryshme të festivaleve të njohura të muzikës nuk kanë të ndalur dhe krahas kësaj ka ushtruar edhe profesionin e mësimdhënëses për Flaut në shkollën e muzikës “Prina” në Milano. Kjo përvojë kaq e ngjeshur dhe me mjaftë suksese e sjellë Ninën pas 10 vitesh në vendlindje. Aktualisht jeton në Prishtinë dhe punon si mësimdhënëse e flautit.

“Sikur çdo fëmijë në fillim kisha dëshirë të luaja në piano, mirëpo për t’u regjistruar në  piano duhej të isha 6 vjeçe, e unë atëherë isha 10. Nana ishte ajo që më dërgoi në një koncert ku luhej flaut dhe aty tingulli i flautit më pëlqeu shumë dhe duke parë dëshirën dhe entuziazmin tim për këtë instrument, prindërit vendosën të më regjistrojnë në shkollën e muzikës. Tash janë bërë 20 vite, që  flauti është pjesë e pandashme e jetës time.”-tregon Nina derisa nënvizon faktin se ky instrument me gjithë evoluimin e tij është njëri nga të parët që e ka përdorur njerëzimi. “ Ngjyra e tingullit  të flautit i  ëmbël dhe melodik,  të kaplon me qetësinë dhe ëmbëlsinë e tij dhe për këtë arsye e bënë me të veçantë për mua këtë instrument.”

Në anën tjetër janë sfidat dhe vështirësitë që e karakterizojnë çdo profesion, e veçanërisht për artistët të cilët jetojnë në Kosovë. “Ne përgjithësi sfida më e madhe për një artist pas përfundimit të studimeve është të qenët aktiv në skenë, sepse obligimet e shumta e bëjnë shumë të vështirë menaxhimin e kohës. Zakonisht instrumentistët pas diplomimit punojnë si mësues, punë e cila kërkon shumë përkushtim dhe njëkohësisht për të qenë aktiv edhe në skenë, patjetër që duhet të sakrifikohet një pjesë e mirë e kohës. Fatkeqësisht në Kosovë, statusi i një muzikanti profesional nuk garanton një nivel të kënaqshëm të jetës sociale dhe ekonomike. Por nuk mungojnë edhe përvojat pozitive dhe një nga më të mirat për mua në këto vitet e fundit është koncerti, që u mbajt në Prishtinë në kuadër të javës Frankofone, me Orkestrën Kamertale të Kosovës dhe me dirigjenten Nathalie Marin. Ka qenë një koncert, që më ka dhënë shumë emocione. Bashkëpunimi me dirigjenten Nathalie  Marin dhe me shumë kolegë e miq, që kanë performuar atë natë  ishte ndjesi e veçantë. Kam qene shumë e emocionuar, ndoshta për faktin që pas shumë vitesh po performoja si soliste në Prishtinë.”

Në një vend si Kosova ku muzika klasike  vlerësohet dhe dëgjohet shumë pak, shpesh herë është e vështirë të gjesh frymëzimin e duhur. Nina tregon se megjithatë puna me fëmijë, entuziazmi  dhe dëshira e tyre për të luajtur me flaut, e bëjnë të ndjehet mirë. Takimet me muzikantë të ndryshëm, udhëtimet, përvojat, të gjitha këto dhurojnë emocione, të cilat i frymëzojnë artistët.

“Duke qenë e ekspozuar vazhdimisht në muzikë klasike,  gjatë fëmijërisë dhe viteve të studimit në Angli dhe Itali, udhëtimet, pjesëmarrja nëpër koncerte me muzikantë  të vendeve të ndryshme të botës, master kurset me profesorë me famë botërore dhe orët e gjata të ushtrimeve me flaut. Pastaj qëndrimi në një qytet si Milano ku ndodhet La Scala,  një nga teatrot e operës më të famshme në botë, përcjellja e ngjarjeve të ndryshme muzikore, të gjitha këto kanë ndikuar pozitivisht tek unë dhe në formimin tim artistik.” E ndërsa aktualisht jep orë mësimi për flaut në Shkollën e Muzikës “Tefta Tashko”, në Mitrovicë, Nina Ka hapur edhe një shkollë private të muzikës “Okarina”, ku bashkë me disa kolegë të saj mbajnë kurse të muzikës. Dhe paralelisht është duke planifikuar që të mbajë koncerte në vende të ndryshme në Kosovë e rajon.

admin

Artikujt e tjetrë