Opinion

Gratë në Kosovë vriten çdo ditë nga “gjuha”…

Nga Sibel Halimi

 Gjuha, duke qenë konstruksion kulturor, përmban në vete qenien e shoqërisë dhe parapërcakton se në cilin stad mëton ta shpijë individin. Pikërisht në këtë kontekst është e pamundur të mendohet për individin e konsoliduar qartë përtej metafizikës gjuhësore. Shoqëria kosovare me gjuhën dhe diskursin e saj vret çdo ditë gruan. Duke qenë kjo gjendje, atëherë nuk ekzistojnë politika parandaluese të vrasjeve të grave të marra seriozisht nga shteti. Kohëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur vrasje të shumta të grave e të cilat vijnë kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Kjo gjendje është e tillë, sepse vetë shteti është patriarkal. Dihet tashmë se dy gra, të cilat kanë kërkuar mbrojtjen e shtetit, tashmë janë të ndjera. Pra, shteti ka dështuar t`u ofrojë siguri, në fakt shteti është përgjegjës për humbjen e jetëve. Në këtë kontekst, Bob Jessop duke analizuar karakterin gjinor, shtetin e cilëson si patriark ose komitet për menaxhimin e çështjeve të përbashkëta të patriarkëve. Kësisoj çështja e jetës së gruas nuk është dhe nuk do të jetë edhe një kohë prioritet i shtetit, por falë ekzistimit të organizatave të grave, në çfarëdo niveli qofshin ato, mund të ndryshohet në proces karakteri maskilinist i shtetit të Kosovës.

Shoqëria kosovare po përballet me një problem që në fakt tejkalon qëndrimet që mund t`i kenë të dy gjinitë ndaj njëra tjetrës. Pikërisht, ngufatja e shoqërisë sonë nga politika folkloriste dhe etno- nacionaliste e përdorur për qëllime pushteti ka bërë të promovohen edhe vlerat patriarkale, gjë e cila ka rikthyer edhe gjininë në një stratifikim vertikal, duke e përdorur gruan në formën më të vrazhdë, pikërisht për kauzën të cilën edhe ajo në fakt do të duhej kundërshtuar.  Paradoksale, kur kryeministri i Kosovës deklarohet për gratë shërbehet me nocionin “kullotje”, një atribut i botës kafshërore.

Ne në fakt nuk po bëjmë aq sa duhet  për të ndryshuar këtë mentalitet, sepse edhe gratë duke i takuar këtij sistemi të vlerave nuk kanë arritur t`i shpëtojnë mendimin misogjinist dhe maskulinist ndaj vetë gjinisë së tyre. Prandaj, nevojitet më tepër angazhim me të rinjtë për t`i ofruar atyre së paku një mundësi për të menduar ndryshe. Kjo vështirë arrihet për një periudhë të shkurtër, sepse të dhënat e hulumtimeve të fundit janë në nivel shqetësues sa i përket prezencës së konservatorizmit te kjo shtresë e popullsisë.

 Mentaliteti

Shoqëria kosovare duke mos shprehur gatishmëri për t`u marrë më seriozisht me nevojat e grave dhe vajzave nuk ka arritur ta tejkaloi fazën e viktimizimit të saj. Me këtë stagnim, emancipimi dhe moderniteti mbeten projeksion imagjinar i shoqërisë.

Sipas Dennis Pattersonit, modernizmi është formë e të menduarit që identitetin e vet e merr nga shpirti i iluminizimit që nënkupton dominimin e shkencës. Në rastin e gjinisë, gruaja do të duhej ta tejkaloi origjinën e saj biologjike. Pikërisht për këtë, shoqëritë, ku përfshihet edhe shoqëria kosovare vazhdojnë të frymojnë me ideologjinë patriarkale dhe në të njëjtën kohë të mbeten peng i trupave të tyre si determinuese edhe të fatit të tyre. Përpjekja e lëvizjeve feministe ka shtyrë gratë që të mos e shohin veten dhe trupat e tyre si pronë e dikujt tjetër.

Por, çfarë do të duhej bërë që ta shohim gruan përtej të qenit viktimë? Nga një fytyrë e ngrysur, e shtypur, ne përballemi me një subjekt tjetër, të cilin nuk dimë si ta trajtojmë, sepse nuk jemi mësuar ta shohim ndryshe. Pozita e gruas si viktimë i ka ndihmuar shoqërisë për të uniformizuar atë në një të vetme, sepse duke i parë të tilla, kultura patriarkale i ka më të qarta dhe më të definuara pozitat karshi disiplinimit, kontrollit e pushtetit.

Tregimi mbi shtypjen, i referohet një kërkese për ndjesi të shoqërisë që është në afërsi me shtypësit dhe përjetimet e rrëfyera. Prandaj, prezantimi i jetës së grave në rolin e ‘viktimës’ është përpjekja fillestare për të prekur nervin e shoqërisë. Përndryshe në rrethana të tjera, vështirë është të shtiresh si e barabartë, sepse trashëgimia e mendësisë dhe diskursit karshi identitet të gruas zor ndërrohet aq shpejtë.

Edhe sektori i shoqërisë civile të grave që angazhohet për mbrojtje e gruas viktimë  në disa raste është treguar patriarkal karshi trajtimit të nevojave që i kanë gratë dhe vajzat. Duke mos tentuar për ta njohur subjektin grua e që reflekton edhe shoqërinë, kjo kategori nuk pati njohuri se si të merret me kauzalitetin dhe kësisoj gjatë gjithë kohës ia testoi zërin grave apo ua kërkoi heshtjen.

Identifikimi i nevojave të grave bëhet fushëveprimi qendror i mendimit feminist duke përcjell me kërkesa aktive përmbushjen e të drejtave dhe nevojave të grave dhe vajzave. Sikurse edhe çdo zhvillim, gratë dhe burrat në Kosovë kanë kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit në kontekstin e rritjes së vetëdijes/ndërgjegjësimit, por në përgjithësi si gratë dhe burrat nuk kanë arritur të çlirohen nga sistemi i fuqishëm i vlerave patriarkale. Pa dallim, të dy gjinitë vazhdojnë t`i shërbejnë qoftë edhe duke u konformuar vlerës, e cila mban shoqërinë brenda roleve të ndara gjinore të tipizuara me karakteristika biologjike. Duke e pasur parasysh këtë kontekst historik të zhvillimit, edhe feminizmi në Kosovë nuk i ka shpëtuar këndvështrimit të sistemit patriarkal kundrejt grave si viktima duke ndihmuar në krijimin e një kulture popullore falocentrike.

Bell Hooks thotë se pa u përballur me seksizimin e tyre të brendshëm, gratë të cilat ngrehnin flamurin feminist shpesh e tradhtuan kauzën nëpërmjet sjelljeve të tyre me gratë e tjera. Pikërisht, për këtë çështje, Hooks mendon se seksizmi që kanë gratë brenda vetes duhet luftuar, nëse nuk arrihet, atëherë çdo përpjekje e grave për emancipim mbetet minore dhe përbën një kërcënim të rrezikshëm.

“Para se gratë të ndryshonin patriarkinë, duhej ta ndryshonin veten tonë; ne duhet të ndërgjegjësohemi!”, thotë Hooks.

Një studim i kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe UNICEF-i tregon se mbi 42 për qind e grave dhe vajzave të pyetura nëse kanë qëndrim pranues ndaj dhunës në familje në rrethana të caktuara, kanë thënë “Po”. Disiplinimi dhe legjitimimi i dhunës në familje vazhdon të shihet pjesë e organizimit të familjes kosovare. Prandaj, trajtimi i dhunës, apo problemeve të tjera të grave nuk mjaftojnë për ta ndërruar qasjen maskiliniste të këtyre grave dhe vajzave për veten e tyre.

Rrjedhimisht, krijimi i vetëdijes karshi konceptit të “barazisë” është në një fazë zhvillimi që mëton të mbetet përpjekje një dimensionale. Duke mos e trajtuar si gjithëpërfshirës,  seksizimi dhe në përgjithësi patriarkaliteti do të bëhen pengesat kryesore të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.

Jo vetëm përgjatë rishikimit të historisë dalin në pah kufizimet e ndryshme shtypëse që ishin aspekt i përvojës historike të grave.

Rritja e ndërgjegjësimit për seksizmin brenda vetes tek gratë vuri në pah edhe më rëndësinë e të mësuarit mbi patriarkinë si një sistem dominues i brendësuar deri në nivelin e institucionalizuar.

Në këtë kontekst, Gerde Lerner shkruan se me trajtimin e grave si viktima të shtypjes, ato vihen në kornizën konceptuale mashkullore: të shtypura, të viktimizuara me standarde dhe vlera të vëna nga burrat. Sipas Lerner, historia e vërtetë e grave është histori e një funksionimi të vazhdueshëm në botën mashkullore në mënyrën e tyre.

admin

Artikujt e tjetrë