Lifestyle

Frymëzuar nga natyra

Elena Lushaku, një artiste shumë kurioze, e cila kërkon çdo gjë, sepse ajo e di se frymëzimi minimal mund të frymëzojë një xhevahir.

 

Elena Lushaku është vajza ukrainase që prej disa vitesh e ka bërë Kosovën shtëpinë e saj. Ndërsa tashmë ka krijuar një mini punishte për të realizuar pasionin e saj të madh, dizajnimin e bizhuterive të ndryshme, shumë të veçanta me materiale të ndryshme. “Jam nga Ukraina, por tani jetoj dhe jam shtetase e Kosovës, e martuar dhe kam një djalë 3 vjeç. Me profesion jam dizajnere grafiku, e diplomuar në Ukrainë, në fakultetin e dizajnit, ku  punoj në këtë drejtim në një kompani, në Prishtinë. Gjithashtu kam kryer shkollën e artit për katër vjet, ku kam pasur rastin të mësoj punime dore me materiale të shumta si balta, gips dhe vizatime me materiale të ndryshme.”- nisë rrëfimin e saj për Flatrën, Elena.  Mjafton të futen në faqen e saj në Facebook Elena Lushaku Accessories për të kuptuar më mirë artin që realizon ajo nëpërmjet materialeve të ndryshme, por veçanërisht me një lloj plasteline polymer clay. “Materiali që unë përdorë për punimet është një lloj plasteline Polymer Clay,  me këtë material mundësitë janë të pafundme që të marrin çdo formë dhe ngjyrë, mund të prodhohen jo vetëm bizhuteri, por edhe gjëra dekorative me forma delikate.”- tregon Elena.

4426e118af28a32692dc80260ebf69dd

Të gjitha punimet e dorës janë shumë të vlefshme, duke pasur parasysh sesa shumë mund dhe vullnet kërkojnë, që nga ana tjetër kreativiteti dhe imagjinata tu japin formë ideve. Për Elenën, e cila prej vitesh realizon bizhuteri të ndryshme, shumë unike, të cilat jo vetëm që zbukurojnë veshjen tuaj apo ju në përgjithësi, por i japin edhe elegancë, pasioni për të krijuar art edhe në stoli mbetet i përhershëm. Por si është procesi i realizimit të këtyre aksesorëve?!

“I tërë procesi i realizimit të aksesorëve që unë punoj është punim dore, fillimisht bëhen format e dizajneve të dëshiruara si p.sh lule, toptha, kafshë apo personazhe vizatimore etj, piqen në furrë për 30 minuta, në temperaturë mesatare pastaj qëndrojnë në temperaturë dhome ku pas trajtimit të ngrohjes forcohet materiali.”

Elena është gjithmonë në kërkim të dizajnimit të stolive sa më origjinale, të cilat jo vetëm përdoren për aksesorë, por flasin edhe për personalitetin e atyre që i mbartin ato. Ndaj ajo procesin e frymëzimit për të krijuar e sheh si një moment shumë të rëndësishëm për të realizuar pikërisht atë që duhet. “Frymëzimin e gjej tek natyra me shumëllojshmërinë e ngjyrave dhe formave që ajo të ofron. Ku në secilin punim timin shihen qartë imazhet e natyrës, që kam marr inspirimin për secilin aksesor. Gjithashtu më frymëzojnë edhe klientet e mia të përditshme me idetë e tyre për të krijuar aksesorë me dizajne të ndryshme duke u përshtatur me stilin tyre.”

12798902_1668896403389968_7315694211221725027_n

Por çfarë i bënë të veçanta bizhuteritë që realizon Elena? “Stolitë punime dore me materiale të lira dhe të thjeshta  janë një lloj origjinaliteti për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve dhe janë bërë shumë popullore kohët e fundit  me kërkesa tepër të mëdha. Në qoftë se ju doni të merrni bizhuteri vërtetë ekskluzive me një çmim të arsyeshëm, nuk ka gjasa për të gjetur diçka më të mirë se Polymer Clay Accessories.” – thotë Elena. Në fakt është një lloj i veçantë i të bërit art, megjithatë ashtu si të gjitha aspektet e tjera të artit në vendin tonë mbetet një sfidë e madhe për të gjithë ata që duan të krijojnë. “Dëshira për t’u bërë një  artiste me një stil dhe krijimtari të veçantë ka qenë një nga synimet e mia. Kudo në shtete të huaja edhe në Ukrainë aty ku jam rritur, puna e dorës vlerësohet jashtëzakonisht shumë dhe është shumë fitim prurës, edhe këtu në Kosovë po vlerësohet shumë, madje kam shumë inkurajime për të punuar dhe ka shumë artistë të tjerë që punojnë punë dore të llojeve të ndryshme, të cilat i vlerësoj shumë, por nuk  paguhen kënaqshëm.”

Ndërsa dashuria për detajet, elementet e imta në stolitë e ndryshme që realizon Elena nuk mungojnë, në këto punime mund të shohim sesi bashkëjeton bashkëkohorja me estetikën, klasikja me modernen, të cilat gjenerojnë kontraste të papritura. Ngjyrat dhe format që ajo u jep stolive ndikojnë në harmoninë tonë fizike, emocionale dhe mendore. Një artiste shumë kurioze, e cila kërkon çdo gjë, sepse ajo e di se frymëzimi minimal mund të frymëzojë një xhevahir.Ndërsa ka ambicie që në të ardhmen të mund të realizojë dëshirën për të hapur një shkollë arti apo kurs privat, ku të gjithë ata të rinj, të cilët kanë dëshirë dhe talent për të krijuar vepra  arti të  kenë mundësinë që  të njohin punime të reja dhe origjinale.

admin

Artikujt e tjetrë