Gruaja

Bonu burrë ndrysho rregullat

A kemi në Kosovë burra feminist? Në shoqërinë ku edne burri shihet si vendimmarrësi kryesor, mbajtësi i familjes dhe ai që e thotë fjalën i fundit, evoluimi i barazisë gjinore është një çështje e cila duhet të trajtohet më shumë, të zhvillohen tryeza diskutimi dhe të krijohen grupe të caktuara që do të kenë për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për të drejtat e barabarta të burrave dhe grave. Klubi “Bonu burrë” është themeluar pikërisht për të edukuar dhe ngritur vetëdijen e shoqërisë e veçanërisht burrave në respektimin dhe përkrahjen e kësaj kauze. Një iniciativë që tenton të sjellë informacione dhe të krijojë qëndrime të caktuara në lidhje me barazinë gjinore dhe evitimin e konflikteve e paragjykimeve, që kanë jetuar bashkë me ne për një kohë të gjatë. Fatkeqësisht ende sot ekzistojnë stereotipa nga më të ndryshmet duke filluar nga familja, mjedisi social madje edhe tek instancat më të larta të shtetit. Kadri Gashi nga klubi “Bonu burrë” në këtë intervistë në Flatra, flet për problematikën, sfidat dhe përpjekjet për sensibilizimin e shoqërisë sonë në lidhje me të drejtat e grave dhe barazinë gjinore.  

 

Si lindi ideja për të themeluar klubin “Bonu burrë”?

Mungesa dhe nevoja e një programi të tillë në rajon dhe Kosovë, e cila do të kishte si fokus djemtë dhe burrat e rinj në parandalimin e dhunës ndërpersonale, dhunën me bazë gjinore dhe njëkohësisht promovimin e barazisë gjinore, bëri që ky projekt të realizohet në Kosovë dhe të ketë një mbështetje si nga institucionet vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare, organizata dhe donator të ndryshëm. Djemtë dhe burrat po përballen me sfida lidhur me konfliktin dhe dhunës në bazë të formave të burrërisë dhe maskilizmit e lidhur me idealet e nderit, dhe mbrojtësit, të gjitha duke u shfrytëzuar nga një ideologji ekstremiste shpesh e lidhur me një agjendë politike.

Cili është qëllimi kryesor dhe programi që ka ky klub?

Projekti Iniciativa e Burrave të Rinj (YMI) ka për qëllim të luftoj dhunën ndërpersonale dhe me bazë gjinore, si dhe përmirësimin e barazisë gjinore në rajon tek djemtë në shkolla të mesme teknike nga mosha 14-18. Projekti YMI gjithashtu ka për qëllim të ndërtoj njohuritë dhe qëndrimet në lidhje me barazinë gjinore dhe jetesën e shëndetshme tek të rinjtë dhe të rejat.

Si në shumë mjedise të tjera patriarkale, normat e ngurta rreth gjinisë dhe maskilitetit janë ende të përhapura në Ballkanin Perëndimor. Këto norma ndikojnë në qëndrimet, sjelljet dhe marrëdhëniet në mes të rinjve dhe te rejave, grave, familjeve dhe komuniteteve në përgjithësi.

52d7dc5e-5288-42a1-af5f-94e642c9aa69

Cilat janë disa nga stereotipet, që ju si klub keni spikatur në shoqërinë tonë sa i përket barazisë gjinore?

Stereotipet që ekzistojnë në komunitetin tonë, por gjithashtu në vendet tjera të rajonit nuk është se dallojnë edhe aq në mes vete. P.sh ne shpesh ballafaqohemi me sfidat që çështja e barazi gjinore është diçka që i takon vajzave edhe grave, dhe ne si klub na është dashur kohë që ta thyejmë këtë stereotip. Gjithashtu tjetra ka qenë që, emocionet tjera (përveç zemërimit) si dashuria, kujdesi, dhembshuria janë emocione qe “vetëm” vajzat apo gratë “duhet” ti shfaqin, dhe nëse një gjë e tille ndodh me djemtë dhe burrat atëherë kjo tregon dobësinë dhe cenon maskilitetin e tyre.

Nga një moshë e re, shumë të rinj janë mësuar se të jesh një “burrë i vërtetë” do të thotë të ofrosh mbrojtje për familjen dhe komunitetin dhe të kujdesesh për ta. Djemtë e rinj në shumicën e rasteve rriten në frymën e të qenët  agresiv dhe konkurrues. Shpesh, ata të cilët mund të veprojnë në kundërshtim me këto pritjet sociale – për shembull, të cilët tregojnë interes në obligimet, të lidhura tradicionalisht me gratë, të tilla si gatimi, pastrimi, apo të kujdesen për vëllezërit e motrat më të vegjël, apo të cilët lehtësisht shfaqin emocionet e tyre – mund të jetë tallur nga familjet apo shoqëria e tyre. Projekti ka për qëllim të promovoj këto vlera pozitive dhe obligime të cilat i takojnë si vajzave dhe grave njashtu djemve dhe burrave.

A kemi burra feminist dhe çfarë nënkupton te ne kjo gjë?

Po ka në Kosovë, ndoshta jo aq sa duhet të ketë por të paktën ekziston një numër i tyre. Te jesh një feminist hiç më shumë ose me pak thjesht nënkupton të besosh në drejta dhe trajtim të barabarta te djemve dhe vajzave dhe burrave dhe te grave. Në çdo aspekt ose fushe të jetës, dhe të mos diskriminohen në bazë të gjinisë apo seksit.

A ka evoluar koncepti që kemi në për burrin, pozitën apo statusin e tij në shoqëri?

Nuk mund të themi se ka pasur një evoluim të madh, përderisa ende vërehet që kemi një shoqëri patriarkale ku burri shpesh shihet si vendimmarrësi, mbajtësi i familjes, ai që duhet të trashëgoj pasurinë e familjes dhe ai i cili e ka fjalën e fundit. Ne vetë, si iniciativë përballemi shpesh me sfida rreth asaj që ne promovojmë, rreth asaj ne çka besojmë që është me qenë një burrë i vërtet. Në fushatat tona përdorim mesazhe të ndryshme ngacmuese, si për shembull, Bonu burrë ndrysho rregullat, Bonu burrë dashurohu, Bonu burrë shpreh emocionet, Bonu burrë respekto të tjerët etj.

Cilat janë disa nga projektet tuaja, të cilat keni ndërmarr këto kohë?

Përveç programit, Iniciativa e Djemve të Rinj, vitin e kaluar (2015) kemi filluar kampanjën rreth Atësisë pozitive. Care International Balkans dhe rrjeti i organizatave partnere të Care në Ballkan i janë bashkangjitur fushatës globale për atësinë MenCare, që koordinohet nga Promundo dhe Sonke Gender Justice Netëork. MenCare është një fushatë globale për të promovuar përfshirjen e burrave si baballarë dhe kujdestarë të drejtë, përgjegjës dhe jo të dhunshëm. Fushata ofron këshilla cilësore për komunitetin dhe masmediat, asistencë teknike dhe trajnime, rekomandime rreth politikave dhe programeve si dhe të dhëna për përkrahje të OJQ-ve, organizatave për të drejtat e grave, qeverive dhe partnerëve të Kombeve të Bashkuara në përpjekjet e tyre për të përfshirë burrat dhe djemtë në përkujdesje. MenCare ka fushata aktive dhe aktivitete të vazhdueshme në afro 25 vende ne 5 kontinente për momentin.

Pse kjo fushatë?

Pothuaj katër në pesë burra në të gjithë botën do të bëhen prindër në një pikë të jetës së tyre. Dhe gati të gjithë burrat e botës kanë njëfarë raporti me fëmijët, qoftë si njerk, vëlla, xhaxha, gjysh, mësues, mentor, trajner, apo thjeshtë si shok. Një numër i madh dëshmish në rritje e sipër nga Global South dhe Global North konfirmojnë që përfshirja e burrave dhe baballarëve të përgjegjshëm në jetën e fëmijëve është pozitive për fëmijët, për gratë dhe për vetë burrat. Në nivel global, gratë dhe vajzat vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore të punëve të shtëpisë, edhe pse ato përfaqësojnë 40% të fuqisë së paguar punëtore. Pjesëmarrja e kufizuar e burrave në përkujdesje (përkujdesje për fëmijët dhe për persona të tjerë në familje) vazhdon të jetë pengesë kryesore e barazisë gjinore dhe e fuqizimit të grave, duke i mbajtur të ardhurat e grave më të ulëta sesa të burrave. MenCare është plotësues shumë  i nevojshëm i përpjekjeve globale dhe lokale për t’i përfshirë burrat dhe djemtë për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe fëmijëve. Është pjesë e vizionit global të Aleancës së Men Engage për të krijuar raporte të drejta dhe jo të dhunshme, dhe perspektivat e përkujdesjes si pjesë e të qenët burrë. Partnerët e MenCare përpiqen të luftojnë në bashkëpunim me organizatat e të drejtave të grave  dhe direkt me gratë dhe nënat, sikurse edhe me burrat  për të identifikuar dhe promovuar përkujdesje me përgjegjësi të përbashkët, jo të dhunshme dhe me norma të barabarta gjinore, si dhe lindje të sigurt.

admin

Artikujt e tjetrë