Kulturë

Artistët tanë ushqehen me art

Në situata kaq dinamike të realitetit tonë, krijuesit shpesh herë ndihen të shpërqendruar. Me gjithë idetë që nuk mungojnë, vështirësitë për të realizuar vepra të bukura janë gjithnjë të pranishme. Regjisorja Parta Kelmendi krahas punë në televizion ka në duar edhe një skenar, në të cilin është e angazhuar tash e dy vite. Dhe duke pasur parasysh se filmi është art që kushton, sigurimi i buxhetit të nevojshëm është një tjetër sfidë, që e përjetojnë të gjithë filmbërësit në Kosovë.

“Përpos sigurimit të mjeteve, realizimi i një filmi kërkon edhe kohë. Duhet të shkruhet skenari. Nëse dëshiron të punosh film të mirë duhet ta përpunosh atë për një kohë të gjatë. Pastaj, vjen faza e buxhetit dhe e fondeve. Nëse e siguron një pjesë të buxhetit, përafërsisht edhe mund të hedhësh hapat e parë drejt organizimit të punës. Pastaj vjen faza e sigurimit të vendeve të xhirimit, faza e provave, e xhirimit dhe në fund postproduksioni, ku përfshihet montazhi i fotografisë, zërit, efektet speciale… Pas gjithë kësaj, pjesa finale e distribuimit dhe e mundësive, që të konkurrojë nëpër festivale. Është proces shumë i gjatë. Kjo merr vite e vite punë. Ne në Kosovë nuk e kemi luksin të jetojmë nga ky profesion, pa kryer edhe punë të tjera për të mbijetuar. Dhe realisht është e natyrshme që të shpërqendrohemi e ndoshta, me raste, edhe pa dashje, ta shtyjmë ose ta vonojmë gjithë procesin e zhvillimit të punëve rreth realizimit të një filmi sepse duhet të sigurosh jetesën.”

Ndërkaq ajo është në fazën e kërkesës së këshillave nga skript doktorët, për parë sugjerimet e tyre se ku ka mungesa e ku ka përparësi, për të vazhduar më pas me procesin e zhvillimit të projektit të fundit. Një skenar me shumë personazhe, që kalon nëpër periudha të ndryshme kohore. Një projekt që kërkon shumë përkushtim deri në realizimin e tij përfundimtar.

Të trajtosh temat e ditëve të sotme mund të jetë një sfidë më vete, megjithatë regjisorja Kelmendi thotë se filmat më të suksesshëm botëror realizojnë tema shumë të thjeshta që kanë të bëjnë me raportet njerëzore dhe me sfidat e përditshme, që mund të kenë njerëzit në ditët e sotme.

“Nuk mendoj që është sfidë të trajtohen temat e ditëve të sotme. Problemi kryesor është te qasja dhe plasimi i një teme të caktuar për ta bërë atë që të zgjojë kureshtjen e shikuesit. Këtu fillimisht qëndron problemi bazë. Mendoj se ne duhet të punojmë më tepër në skenar dhe të konsultohemi me ekspertë botëror në lidhje me këtë. Konsideroj se pa marr parasysh sa mendojmë që dimë, megjithatë, ne si Kosovë, kemi punuar shumë pak filma. Ne jemi në një fazë kur ende po krijojmë kontakte me punues të filmave ndërkombëtarë, për të mësuar edhe më shumë. Fundi i fundit filmi është projekt shumë i madh, për ta bërë për vete dhe për këtë konsideroj, që nganjëherë autorët duhet të bëjnë edhe kompromise në të mirë të filmit, edhe nëse fillimisht nuk mendon ashtu. Ne, artistët, e kemi shumë të vështirë të bëjmë kompromise. Kur është në pyetje diçka që e krijojmë vet, na duket se dikush provon të na e prishë idenë ose nuk e kupton vizionin tonë. Me raste edhe mund të jetë ashtu, por, megjithatë, konsideroj se më mirë është të konsultohemi me ndonjë profesionist ndërkombëtarë, e pastaj, me kokë të ftohtë dhe duke provuar të jesh sa me objektiv, të shikosh se çka mund të ndryshosh e çka jo. Ne si Kosovë, realisht, synojmë që një film yni të ketë jehonë ndërkombëtare, e jo ta mbajmë të mbyllur e ta shikojmë brenda vendit. Filmi kosovar kurrë nuk mund t’i kthejë paratë e veta brenda Kosovës, e as jashtë saj, sepse jemi popull i vogël e nuk ka treg për të. Por ne si kineastë të rinj synojmë, që filmi ynë të ketë jetë sa më të gjatë nëpër festivale ndërkombëtare.”

Historitë e ndryshme të jetës, janë subjekti më i shpeshtë i regjisorëve të ndryshëm. Kjo është dëshmuar edhe në përzgjedhjen e filmave më të mirë në festivale botërore, pikërisht realizimet që kanë trajtuar një subjekt të tillë. Por se sa ndikon kjo në idetë dhe punën e regjisores Kelmendi është shumë e rëndësishme mënyra e qasjes së një teme dhe nga cili këndvështrim.

“Histori të dhembshme ka në gjithë botën. Më së afërmi e kemi pas Bosnjën, që ka pasur histori të dhembshme, pothuajse të ngjashme me ne ose edhe më keq. E kemi Shqipërinë, e cila, fatkeqësisht, nuk po merret me rastet e përjetimeve të njerëzve të thjeshtë gjatë periudhës së diktaturës. Nëse flasim për tema shumë interesante, të cilat do ta zgjonin kureshtjen ndërkombëtare, mendoj se Shqipëria është më e pasura në rajon. Shqipëria ka qenë vend shumë i izoluar dhe do të ishte me interes për të gjithë, që të mësonin e të shihnin se çka ka ndodhur atje. Mendoj se nga gjithë Ballkani, më së shumti kureshtje do të zgjonin temat, që kanë të bëjnë me Shqipërinë në periudhën e diktaturës. Por, si duket, kinastët nga Shqipëria ende nuk janë në gjendje emocionale, të ballafaqohen me tema që kanë të bëjnë direkt me të kaluarën e tyre. Më shumë zgjedhin të merren me tema, që s’kanë të bëjnë me atë kohë ose kalojnë sipërfaqësisht nëpër to. E kjo është e dhembshme, sepse vërtetë do të qëndronin shumë më mirë nëpër festivale, edhe nëse filmi nuk do të ishte i punuar shumë mirë. Kur e pata biseduar këtë temë me disa miq nga Shqipëria, njëri prej tyre më pati thënë se ne nuk duam të merret vesh se çka ka ndodhur në Shqipëri.  Unë mendoj ndryshe. Unë konsideroj se bota duhet të ndjehet fajtore për atë, që ka ndodhur aty dhe kjo bëhet pikërisht duke ia treguar asaj të vërtetën. Por, me kohë, gjeneratat e reja ndoshta do të kenë guximin të flasin edhe për dhembjen e paraardhësve të tyre. “, – shprehet regjisorja Kelmendi, e cila gjithashtu mendon se kohët e fundit, filmat nga Kosova kanë filluar që përmes një qasjeje më ndryshe të temave tashmë të trajtuara prej të tjerëve në rajon, të kenë sukses të madh ndërkombëtarë.

“Të them të vërtetën, ne punojmë filma shumë të mirë, duke marr parasysh se me çfarë kushtesh dhe buxheti të ultë punojmë. Po flas edhe për filmat që nuk kanë bërë jehonë ndërkombëtare. Por, vazhdoj të mendoj se problemin kryesor e kemi me skenar. Ne i shkruajmë shumë shpejt skenarët dhe nuk marrim mendime nga profesionistë ndërkombëtarë të kësaj fushe. Po insistoj të them profesionistët ndërkombëtarë, sepse unë konsideroj se filmi kosovar nuk ka jetë brenda Kosovës. Ai duhet të bëhet, për të pasur shikueshmëri në festivalet jashtë Kosovës. Në idetë e mia realisht nuk ndikojnë filmat e vendit dhe provoj mos të ndikojnë as filmat e huaj. Gjatë kohës kur po shkruaja skenarin, me të cilin po merrem, nuk doja të shikoja filma që mund të jenë të ngjashëm me tema tē tilla, edhe pse, nga miqtë, kisha sugjerime se cilët filma t’i shikoja. Nuk dua që me dashje ose pa dashje të ndikohem. Jam plotësisht e vetëdijshme, që ne nuk na ka mbetur të zbulojmë diçka të re në këtë fushë, sepse gati të gjitha tashmë janë të zbuluara. Mirëpo konsideroj se është më mirë të provoj të paraqes qasjen time, pa u ndikuar direkt nga ndonjë film tjetër.”

Dhe duke pasur parasysh kompleksitetin e natyrës së kinematografisë në përgjithësi, bashkëpunimi apo komunikimi i regjisorit/es me aktorin/en është një tjetër cështje  e rëndësishme për suksesin e projektit. Regjisorja mendon se ne kemi aktore dhe aktorë shumë të mirë, e disa prej të cilëve ia edhe miq të mirë. Secili ka natyrë të ndryshme nga tjetri, kështu që edhe qasja duhet të jetë e tillë.

“Në punë gjithmonë ka mospajtime, por unë konsideroj se ne, kur të mblidhemi për të realizuar ndonjë projekt, jemi shumë të mirë me njëri tjetrin, sepse të gjithë e dimë se po krijojmë diçka. E asgjë e bukur nuk mund te krijohet pa vështirësi. Është e vërtetë se regjisori duhet të bëjë një menaxhim shumë të mirë me emocionet e aktorëve gjatë punës. Nuk e kam fjalën për rolin, por për natyrën e tyre të ndjeshme, që kërkon me secilin të merresh ndryshe, dhe të bisedosh ndryshe, dhe t’i drejtohesh ndryshe… nëse do që projekti të ketë sukses. Por, unë konsideroj që aktorët tanë janë shumë profesional dhe të përgjegjshëm. Sigurisht që mundet të ketë edhe ndonjë përjashtim të vogël.”

Ndërsa për gjendjen e kinematografisë dhe teatrit në Kosovë, përfshirë këtu edhe regjinë, Kelmendi thotë se ne qëndrojmë shumë mirë në këtë aspekt, sepse duhet pasur parasysh edhe kushtet e vështira në të cilat punojnë.

“Po ta merrnim regjisorin më të mirë në botë dhe t’i themi që ta punojë një film me një buxhet çfarë punohen filmat kosovarë, me siguri asnjëri nuk do të provonte fare. Ne, megjithatë, solidarizohemi me njëri – tjetrin, kur duam të krijojmë diçka të bukur. I gjithë ekipi jeton nga honoraret, të cilat i fitojnë nga këto projekte, dhe në të shumtën e rasteve, as nuk brengosen, nëse ato janë të vogla dhe as muajin nuk mund ta kalojnë me ato honorare të mjera. Artistet tanë më shumë ushqehen me art se sa me të hollat që i fitojnë nga arti. Por, një gjë nuk më pëlqen në komunitetin tonë artistik, janë të ndarë në grupe të caktuara dhe i shkaktojnë dëme të panevojshme njëri – tjetrit, sidomos në raste banale siç ndodhë shpesh, për punë inatesh. Sikur t’i mblidhnim e t’i bashkonim forcat, e mos ta shantazhonim njëri – tjetrin, së paku në çështje të vogla e për inate koti, do të ishim shumë më mirë e shume më larg. Por, fatkeqësisht, natyra e njeriut është e tillë: m shumë flasin egot se sa dashuria për artin.”

Paragjykimet gjinore në industrinë e filmit

Gratë dhe regjia, një binom që deri vonë është parë si një profesion i burrave, ndërsa sot duket sikur kanë ndryshuar gjërta. Por pavarëisht këtij mendimi, shoqëria jonë ende vuan nga paragjykimet duke ndikuar kështu në një mënyrë apo tjetër edhe në zhvillimin e jetës artistike në vend. Kelemndi tregon se skenarin me të cilin po punon ka të bëjë pikërisht me një vazjë të rritur, e cila për tu shkolluar duhet të kundërshtojë familjen e vet patriarkale.

“Unë konsideroj që diskriminimin, më shumë e bëjmë ne gratë. Ne i shajmë gratë e tjera, për të fituar kredit te burrat, që pastaj, përmes tyre, të fitojmë siguri dhe status në shoqëri. Ne i rrisim djemtë dhe vajzat e i mësojmë sesi duhet të sillen në shoqëri. Mendoj se ka ndodhë kështu sepse për gruan ka qenë e vetmja mënyrë për të siguruar një jetë më të mirë, e ndoshta edhe nuk kanë ditur ndryshe. Fatmirësisht, unë kam lindur në një familje, ku nuk ka pasur diskriminim gjinor. Nëna ime është një grua e fuqishme, e cila ka qenë shembull për mua, por edhe për vëllain tim. E mos të flas për babin, i cili, ndoshta, nga shumë pseudo burra, me raste, ka mundur të konsiderohej si burracak meqë e ka “lënë gruan të punojë e të përparojë”. Unë konsideroj që burrat e vërtetë janë burrat si babai im, të cilët nuk kanë frikë nga suksesi i gruas së tyre. Përkundrazi, e përkrahin dhe e ndihmojnë. Burrat e vërtetë nuk ishte dashtë të frikësoheshin nga gratë e suksesshme, ndërsa burrat shqiptarë, fatkeqësisht, tregojnë “burrni” duke e shtypur gruan. Natyrisht gjithmonë ka përjashtime. Dua të them se unë nuk jam ndier asnjëherë drejtpërdrejtë e diskriminuar, sepse në raport me punën nuk e konsideroj veten grua, por profesioniste. Dhe, nëse në një profesion sillesh si profesioniste, e jo si grua, mendoj se burrat që provojnë të të diskriminojnë, nuk do të kenë sukses. Megjithatë, diskriminimi gjinor është global. Tash së voni edhe në Hollywood po bëhet fushatë e madhe në lidhje me pagat e aktoreve, të cilat janë shumë më të vogla se ato të kolegëve të tyre burra. Diskriminimi është evident, por konsideroj se është edhe në kokat tona. Nganjëherë ne gratë e kemi më të lehtë të jemi të “diskriminuara”, për të mos mbajtur përgjegjësi mbi jetën tonë dhe të mos luftojmë e të merremi me problemet e “mëdha”, me sfidat në punë e biznes dhe kështu ua lëmë burrave. Nuk mendoj që është gabim, ka raste kur është zgjedhje. Por, së paku në aspektin e thyerjes së paragjykimeve dhe të këtyre lloj diskriminimeve, me ndryshimet e fundit globale, kjo botë po bëhet më e mirë.”

admin

Artikujt e tjetrë