Lifestyle

5 Arsye pse duhet ta vizitojmë Rugovën

Nëna natyrë di gjithmonë të na mahnitë dhe të na bëjë të dashurohemi përjetësisht me të. Sa prej nesh i drejtohemi natyrës për të gjetur qetësinë, përjetimin e eksperiencave të reja apo adrenalinës? Vendi ynë shquhet për bukuritë natyrore dhe rajoni i Rugovës është një nga këto atraksione, që duhet patjetër të vizitohet gjatë një 365 ditshi.

 

Nga Besa Gjoni

 Një përzierje e pazakontë e natyrës, historisë dhe aventurës. Shumë arsye për ta vizituar këtë pjesë të Kosovës Perëndimore, një destinacion në rritje dhe me potencial për tërheqjen e vizitorëve. E karakterizuar nga ujëvarat, liqenet glaciale, shpellat, majat e larta, tunelet etj. Pastaj lartësitë e njohura si Guri i Kuq, Qafa e Qyqes, Hajla, nga ku mund të soditen të gjitha mrekullitë e këtij regjioni. Një tjetër atraksion dhe pjesë e veçantë është edhe Via Ferrata apo rruga e hekurt, që është e vetmja e këtij lloji në Ballkan. Rugova është vendi që duhet vizituar jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës, për arsye të shumta; përvojë e paharrueshme, mikpritje e ngrohtë nga njerëzit e asaj zone, shpenzime minimale, ushqim i shijshëm natyral dhe shumëçka tjetër për të mos u humbur.

noli-2

Kemi shumë arsye për të shkuar në Rugovë. Këtë herë ne do të ju sjellim këtë numër vetëm  disa nga projektet e mbështetura financiarisht nga PPSE (Promoting Private Sector Employment) dhe Komuna e Pejës, të cilat ofrojnë një eksperiencë të pakrahasueshme, një aventurë plot adrenalinë dhe emocion, një mundësi e mirë për të provuar në një mënyrë tjetër natyrën. Ju gjithashtu duhet vetëm të planifikoni një fundjavë me miqtë, të afërmit dhe shoqërinë për t’u ngjitur në “çatinë” e Kosovës, në Gjeravicë, majën më të lartë në vend, 2.656 m lartësi mbidetare. Joshja për këtë rajon vjen edhe nga kuzhina, një shumëllojshmëri ushqimesh shtëpie, me receta të bëra nga gjyshet tona do të bëhen pjesë e udhëtimit tuaj me flatra.

Në Kosovën Perëndimore, ku natyra “bënë” ligjin

Jo rastësisht është përzgjedhur rajoni i Kosovës Perëndimore, ose Peja, Deçani dhe Juniku për të qenë në fokus të mbështetjes nga ana e projektit PPSE, që financohet nga Zyra Zvicerane në Kosovë dhe implementohet nga organizata Swisscontact, në bashkëpunim me Institutin Riinvest dhe firmën PEM Consult. Kjo zonë është konsideruar si rajon me potencial zhvillimi turistik, për arsye të ndryshme. Duke nisur nga karakteristikat e këtij rajoni që janë pasuria natyrore e kombinuar me atë kulturore. Nga aspekti natyror ky rajon identifikohet me vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna, ku përfshihen Burimi i Drinit të Bardhe (Radavc), Shpella e Radacit, Gryka e Rugovës, fshatrat e Rugovës, Bjeshkët e rajonit të Deçanit, Gjeravica etj. Ndërsa nga aspekti kulturor ky rajon identifikohet me Kullat madhështore, Manastirin e Deçanit (shek XIII), Patrikanën e Pejës (shek. XIII), Bayrakli Xhamia (shek. XV), Hamamin e Pejës, Hambarin e Haxhi Zekës, Muzeun Etnologjik, etj. “Projekti ynë synon të bashkëpunojë me kompani, të cilat mund të arrijnë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe nga ana tjetër të rrisin numrin e të punësuarve në sektorin e turizmit. Vetëm gjatë një periudhe 1.5 vjeçare të fazës së intervenimeve kemi arritur të mbështesim më shumë se 50 biznese të vogla dhe të mesme, që kanë në fokusin e tyre turizmin, rezultatet e para kanë ardhur, këto biznese së bashku kanë rritje të qarkullimit për më shumë se 100.000 mijë euro gjatë kësaj periudhe.”- shprehet Dren Zatriqi nga projekti PPSE.

dreni

Suksesi dhe rezultatet pozitive të sektorit privat që zhvillon turizmin dhe produkte të ndryshme turistike, të cilat janë mbështetur nga projekti PPSE, janë të prekshme falë filozofisë dhe metodës që e karakterizon PPSE-në. Aplikimi i qasjes së “Zhvillimi i sistemit të tregjeve” ndikon që çdo intervenim që bëhet nga ana e projektit PPSE bëhet duke pasur në qendër të veprimit modelin e biznesit, pra përfshirja e akterëve bëhet në atë nivel që siguron vazhdimësi të punës edhe kur projekti të mos jetë më. Për dallim nga organizatat tjera, kjo metodologji ofron një siguri apo garanci për vazhdimësinë e aktiviteteve, pasi që intervenimet patjetër duhet të sjellin rezultate së pari, në punësim dhe, së dyti, rritje të të ardhurave. Kjo filozofi e ndjekur nga projekti PPSE garanton jetëgjatësinë e çdo mbështetje apo intervenimi që bëjmë ne te sektori privat, sepse vetëm kështu ata do të vazhdojnë më tej suksesshëm kur ky projekt nuk do të jetë më. Ne promovojmë biznesin apo OJQ dhe jo projektin apo vet Swisscontact-in, pikërisht për këto arsye.”- tregon z.Zatriqi.  Tashmë ka filluar të duket ndjeshëm mbështetja dhe ndërhyrja e projektit PPSE në atë zonë, duke filluar nga produkte të reja turistike, të cilat kanë sjellë një freski dhe joshje për ta vizituar më shpesh atë rajon. Qendra e skijimit në Bogë është një nga investimet kapitale, i cili këtë vit do të ofrojë kushte dhe një mundësi shumë të mirë për qytetarët që janë të pasionuar pas skijimit. Gjithashtu Shtegu i ecjes apo “Peaks of the Balkans”, Paragliding, Via-Ferrata “Ari”, Via-Ferrata “Mat”, Zip-Line, Bike Tours, ecje me topa bore (Snowshoes), ngjitja në shkëmbinjtë (Climbing), qasja për turistë në Shpellën e Radacit, etj.

shpella-radac

Të gjitha kombinohen natyrshëm me madhështinë e këtij rajoni. Ndërsa për herë të parë në Kosovën Perëndimore, mbështetur nga PPSE, i është dhënë rrugë themelimit të  Organizatës për Menaxhimin e Destinacionit “Kosova Perëndimore” e cila ka për qellim koordinimin e akterëve të turizmit te rajoni perëndimor (Pejë, Deçan dhe Junik) dhe promovimin e tyre. Deri më tani, kjo organizatë ka më shumë se 50 anëtarë të sektorit të turizmit të këtyre komunave ndërsa synon që deri në fund të këtij viti të ketë 100 anëtarë. Por cilat janë arritjet edhe sfidat në këtë sektor, një ndër kryesorët sa i takon zhvillimit ekonomik, por edhe uljes së papunësisë në këtë rajon?! “Në bazë të anketave vjetore me turistët, të cilat i kemi realizuar si PPSE, duhet të theksoj se njerëzit janë të informuar sa i takon bukurive natyrore dhe shërbimeve ofron rajoni i Rugovës, mirëpo sa i përket mundësive dhe aktiviteteve, të cilat do të duhej të zhvilloheshin  për ta bërë edhe më atraktive këtë vend, mbetet ende shumë sfiduese për ofruesit e këtyre shërbimeve apo  bizneseve që merren me turizëm, ndaj ka ende hapësirë për tu përmirësuar dhe zhvilluar më tej.”-  nënvizon Dren Zatriqi. Sipas tij, ky projekt është duke punuar intensivisht edhe në përmirësimin e të dhënave statistikore të turizmit në nivel nacional, ku së bashku me Agjencinë e Statistikave, Policinë Doganore të Kosovës dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kanë arritur marrëveshje për bashkëpunim në aspektin e mbledhjes të  të dhënave. Deri në fund të këtij viti do të kenë të dhëna statistikore të turizmit në bazë të standardeve të EUROSTAT-it. “Projekti PPSE-së është i përfshirë në mënyrë serioze dhe afatgjate në sektorin e turizmit, por vlen të potencohet se gjithashtu po mbështeten edhe sektorë të tjera, që janë plotësuese të njëra –tjetrës si përpunimin e ushqimit, qeverisjen e zhvillimit të sektorit privat, fuqizimin ekonomik të gruas, si dhe përfshirjen e minoriteteve, me një qëllim të vetëm krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e te ardhurave.”- përfundon Zatriqi.

Të investosh sot në zhvillimin e sektorit të turizmit do të thotë të ndërtosh një të ardhme të sigurt për rajonin dhe vendin në përgjithësi, jo vetëm për ta kthyer në një destinacion të preferuar të qytetarëve të Kosovës, por edhe më gjerë, në Ballkan. Duke i pasur të gjitha mundësitë natyrore duhet vetëm dora e njeriut për të ruajtur, mbrojtur dhe zhvilluar më tej.

Adrenalinë dhe aventurë në mal

noli-4

Tashmë nuk keni pse të mendoni një shëtitje tradicionale në Rugovë, harrojini vetëm ecjen në mal apo piknikun, kur të merrni vendimin se duhet të bëni diçka jashtë përditshmërisë suaj, ju duhet energji dhe adrenalinë atëherë shkoni në Rugovë, ku ju presin disa produkte turistike shumë të veçanta. Zip Line është fluturimi që ju duhet pas një periudhe kohe të gjatë dhe stresuese që mund të keni pasur, por pse jo, një aventurë e re, për të parë nga lart bukuritë natyrore të grykës së Rugovës. Zip Line më i gjati në rajon do tu rrëmbejë në lartësitë rugoviane. Nol Krasniqi, kryetar i NGO Marimangat, ideator për disa produkte të rralla, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajon, gjithmonë e më shumë po u ofron më shumë mundësi argëtimi turistëve që ia mësyjnë Kosovës Perëndimore. “Zip Trip Marimangat ta mundëson përvojën më të afërt me fluturimin. Në një distancë prej 640 metrave përjetohet shpejtësia deri në 55 km në orë duke i rënë kanionit të Rugovës për së gjati. Gjatë këtij fluturimi mund të shihen pamje mahnitëse të Grykës së Rugovës sikur fluturoni mbi një dron dhe struktura e gurëve ofron një hapje të pamjeve gjatë kohës së fluturimit që do të jetë deri në 1,5 minuta. Zip Line në shumë vende quhen kalime tiroliene pasi këto struktura janë përdorur në zonën malore të Tirollit në gjermanisht apo Trentos në italisht. Si edhe shumë gjëra të tjera që janë zbuluar për nevojë, edhe Zip Linë është kthyer në atraksion turistik. Projekti është iniciuar nga Marimangat e Pejës dhe është përkrahur nga Swisscontact dhe komuna e Pejës. Tash që ka fituar punën presim që ky atraksion së pari ta rrisë numrin e vizitorëve kosovarë dhe të huaj në Pejë dhe njëkohësisht ta zgjasë qëndrimin e atyre që tashmë kanë vendosur të vinë. Kjo do të ndihmojë turizmin në qytet. Për këtë Zip Line janë përdorur materiale të prodhuara në SHBA dhe Evropën perëndimore. Kabllo që është përdorur është 16 milimetra dhe është i prodhuar në Gjermani, si dhe është kabllo më i fortë i përdorur për Zip Linë në Ballkan. Kosova mund të mburret se ka Zip Line më të gjatë në rajon.”- thekson Noli. Për më tepër NGO Marimanga paralelisht ndërmerr edhe veprime që janë për tu vlerësuar, vetëm pak kohë më parë në bashkëpunim me OJQ të tjera pastruan nga plehrat Grykën e Rugovës me një gjatësi rreth 5 kilometra, së bashku me 30 vullnetarë, të cilët kanë fluturuar falas në Zip Line. Guida nuk mbaron këtu nëse ju i drejtoheni Marimangave, përkundrazi sapo ka filluar dita të bëhet edhe më interesante.

noli-1Via Ferrata gjithashtu është një gjë që është përdorur më së pari në Trento, apo Tyrol. Këto struktura metalike në shkëmb fillimisht janë përdorur për qëllime ushtarake. Mirëpo, më zhvillimin e teknologjisë dhe avionëve funksioni i tyre ka dalë jashtë përdorimit, kështu që njerëzit kanë filluar ti përdorin për turizëm. “Via Ferrata Ari, e para e ndërtuar në Kosovë dhe në rajon është ndërtuar në një proces dy vjeçar me ndihmën e inxhinierëve italianë nga krahina autonome e Trentos. Kjo krahinë gjithashtu ka kontribuar shumë në zhvillimin e turizmit në Pejë. Pra, Via Ferrata është strukturë që i mundëson publikut të gjerë të përjetojë ngjitjen pa pasur asnjë superfuqi. Është atraksion që nën mbikëqyrjen e guidës mund ta bëjë secili person në gjendje të mirë shëndetësore fizike. Në Via Ferratat në Pejë personi më i ri që është ngjitur është 10 vjeç ndërsa më i vjetri është 75 vjeç. Vitin e kaluar është ndërtuar Via Ferrata e dytë dhe e tretë në Kosovë. E dyta është afër Via Ferratës Ari dhe quhet Mat Via Ferrata, ndërsa e treta është në Zubin Potok në bjeshkën Berim. Via Ferratat tashmë i kanë vizituar rreth 1000 persona nga e tërë bota.”- shprehet Nol Krasniqi, duke shtuar se Hiking Trails apo shenjëzimet e pesë shtigjeve për ecje dhe ngjitje, të gjitha të financuara nga PPSE sipas standardeve ndërkombëtare përbëjnë një arsye më tepër për ta vizuar këtë vend. Kjo zonë është kthyer në një destinacion të preferuar, por çfarë duhet të bëhet më shumë për të tërhequr edhe më shumë turistë?! “Ne konsiderojmë se duhet të bëhet edhe një Via Ferrata dhe ndoshta të bëhet edhe një tobogan malor, që do të kërkonte një investim pak më të madh. Gjithashtu ka nevojë për edukim të guidave dhe diversifikim të mëtutjeshëm të shërbimeve, mund të shtohet, kanioning, kajaking, mbledhje e kërpudhave, gastronomi malore, parqe edukative dhe gjithsesi se ka njerëz që kane edhe më shumë ide. Pas kësaj duhet të bëhet shumë promovim në tërë botën që të shtojmë vizitat, gjatë tërë vitit që të mos mbesim vetëm në sezon të verës.”- përfundon Nol Krasniqi.

Secili jep kontributin e vet në shoqëri me ide, punë dhe përkushtim në mbrojtjen e pasurive natyrore, zhvillimin e shoqërisë në të cilën jeton dhe zhvillimin ekonomik  dhe social të Kosovës. Dhe këto janë vetëm disa nga idetë e implementuara suksesshëm me synimin që në të ardhmen këto projekte të shtrihen gjithandej vendit.

Mes historisë dhe trashëgimisë kulturore

mentori

Të rrëmbejnë historitë dhe legjendat që thuren rreth Kosovës Perëndimore, secili prej nesh që është i pasionuar pas zbulimeve të reja, që kërkon të mësoj gjëra të reja, larg monotonisë këtu mund t’i gjejë të gjitha. Kullat karakteristike, zonat arkeologjike si dhe ato historike. Tani një tjetër atraksion turistik me standarde ndërkombëtare i është shtuar listës që duhet të vizitoni kur të shkoni në ato anë. Bëhet fjalët për Shpellën e Radacit, e cila tani është e ndriçuar, korridoret dhe shtigjet janë rregulluar. “Shpella e Radacit gjendet në  afërsi të burimit të Drinit, në fshatin me të një njëjtin emër Radac prej nga e ka marrë edhe emrin kjo shpellë. Është e njohur prej shekujsh për historinë që mbartë me vete, një shpellë që ka qenë e banuar në kohet e hershme. Shpella ndahet në dy hyrje, të njohura si hyrja e ftohtë dhe hyrja e nxehet. Hyrja e ftohtë me hapësirat e saj brenda është rregulluar dhe adaptuar për vizitorë edh pse me një korridor jo aq të gjatë, por atraktiv. Ndërsa hyrja e nxehet pasi ka elemente arkeologjike sipas arkeologëve nuk është prekur dhe as adaptuar për vizitorë.”- shprehet Mentor Bojku, kryetari i Shoqatës Aragonit, në Pejë.

Dy hyrjet e kësaj shpelle, njëra e ftohtë dhe tjera e nxehtë, e bëjnë këtë vend edhe më magjik, shumë unik dhe tërheqës për këdo që është i pasionuar pas arkeologjisë dhe historisë. Mbi të gjitha Shpella e Radacit tashmë është përshtatur dhe rregulluar për tu vizituar nga turistët.

shpella

“Shpella e Radacit është adaptuar për vizitorë pas një projekti të parashtruar nga Shoqata e Speleologve Aragonit nga Peja, e cila është shoqata e vetmja e kësaj lëmie. Mbështetja është gjetur në Komunën e Pejës dhe Qeverinë Zvicerane përmes Swisscontact me programin PPSE, të cilët në masë të madhe kanë ndihmuar dhe përkrahur projektin në fjalë, të cilat kanë përfshirë rregullimit shtigjeve nëpër korridoret e brendshme, ndriçimin etj.”- tregon z.Bojku. Mbështetja dhe investimi në këtë shpellë i ka dhënë rezultatet e para, këtë verë shumë turistë kureshtar kanë vizituar këtë vend. “Pas rregullimit dhe adaptimit për vizitorë shpella gjatë sezonit të verës është vizituar nga një numër i konsiderueshëm i vizitorëve vendas dhe nga ata mysafirë të huaj në rajonin e Pejës. Shpella edhe pse jo shumë e madhe për nga kapaciteti ka ndikuar pozitivisht në shtimin e atraksioneve në rajonin e Pejës. Shpresojmë që edhe në të ardhmen ky atraksion do të jetë pjesë e atraksioneve tjera në qytetin tonë.”- përfundon kryetari i shoqatës Aragonit, Mentor Bojku.

Shpella e Radacit mbetet një nga destinacionet dhe arsyet kryesore për të vizituar këtë sezon, për të njohur të shkuarën historike, mënyrën sesi kanë jetuar dhe fuqinë e natyrës.

admin

Artikujt e tjetrë