Intervista

Kosova, vendi i tregimeve të shumta

Në “Labirinthin” e Flatrës sjellim Ministrin e Diasporës, Valon Murati për personalitetet më të mëdha të të gjitha kohërave, për shoqërinë shqiptare dhe identifikimin e vlerave, për Kosovën si dashurinë më të madhe, multikulturalizmin dhe tolerancën, për Umberto Eco, Zhan Valzhani e Ali Podrimja…

  Intervistoi: Bruna Merko

 

Pasqyra, nuk është simbol vetëm i narcizmit, pse duhet t’i shërbejë ajo shoqërisë shqiptare?

Shoqëria shqiptare është duke kaluar në një tranzicio,n i cili e ka goditur thellë çdo strukturë të saj, duke krijuar një pështjellim të tillë vlerash, sa është bërë vështirë të dallohet e mira nga e keqja, e drejta nga padrejtësia, barazia shoqërore nga lakmia personale. Kriza morale është evidente ngado, ashtu siç është evidente edhe përpjekja e njerëzve që kanë arritur të mbajnë baraspeshën dhe të mbesin të pastër për të dalë nga kjo situatë. Andaj na duhet një pasqyrë, e cila kur ta shohim veten si shoqëri, do të arrinim të identifikojmë këtë lëmsh vlerash, dhe të shohim se shumica janë njerëzit e drejtë, por të cilat mjegullimi i lëmshit nuk po na i lë t’i shohim. Pas kësaj, besoj do ta kishim më lehtë të ecim para, dhe të fillojmë t’i besojmë më shumë njëri-tjetrit dhe t’i shmangim rrugës ata që na shiten të drejtë e të mirë, sepse pasqyra do t’i kishte shpërfaqur ashtu siç janë në të vërtetë.

Cili personalitet përbënë epokë më vete dhe pse?

Çdo herë është e vështirë të përmenden emra, sepse njeriu kur përmend emra nuk ndjehet rehat. Gjithnjë frikësohem se kam gabuar me përzgjedhjen. Por instinktivisht, zakonisht mendja më shkon tek një njeri; Leonardo da Vinçi. Ai simbolizon në mënyrën më të plotë jo vetëm Rilindjen Evropiane, por edhe fillimin e një epoke të re zhvillimi të njerëzimit. Poet, filozof, piktor, matematikan, astronom, arkitekt, inxhinier, botanist, anatomist, historian e në të gjitha këto fusha një zbulues i madh, një njeri i parakohshëm, i cili i dha shumë jo veç epokës së vetë, por vazhdon t’i japë çdo epoke pasuese deri në ditët e sotme. Dhe kur ta mendojmë, gjithë ky gjenialitet i shpërfaqur në aq shumë fusha, nga një njeri që nuk ka pasur ndonjë shkollim formal.

Multikulturalizmi dhe toleranca deri në çfarë mase mund të realizohen në shoqërinë tonë?

Çdo shoqëri është multi-kulturale dhe si rrjedhim në vete duhet të krijojë mekanizma të tolerancës për të akomoduar kulturat e ndryshme. Shoqëria shqiptare, është e veçantë sepse ka operuar brenda një kombi, i cili është krijuar duke tejkaluar barrierat fetare, apo më mirë thënë duke i përfshirë fetë e ndryshme brenda projektit të komb-krijimit, proces ky që tek popuj të tjerë ka rezultuar ose me konflikte të brendshme ose me krijimin e disa kombeve. Kjo ka bërë që toleranca për fetë e ndryshme brenda shoqërisë sonë të jetë një vlerë me karakter universal. Gjithsesi, shpesh herë toleranca në raport me etnitë e tjera ka qenë e kushtëzuar edhe nga raportet politike me ta, në rastin shqiptar këto raporte më të ndjeshmet kanë qenë me dy fqinjët tanë serbët dhe grekët. Në anën tjetër, ajo që mendoj se ne duhet të vazhdojmë të punojmë brenda shoqërisë sonë, është raporti me komunitetet më të brishta e që janë Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët. Në këtë drejtim kam përshtypjen që si shoqëri kemi nevojë ende të punojmë që ta japim provimin e tolerancës. Dhe në këtë drejtim nuk po flas aq shumë për anën ligjore e institucionale sa për mentalitetin shoqëror.

Cilin personazh/autor të letërsisë do të donit ta kishit ngjallur dhe pse?

Zhan Valzhanin dhe krijuesin e tij Viktor Hygoin. Me të dy do të doja të ulesha, të pija një kafe dhe të bisedoja për atë si e shohin botën e sotme. Do t’i pyetja nëse u duket se është më e drejtë apo jo sesa bota e tyre? Do t’i pyesja se mos shtypja dhe padrejtësia është e njëjta por vetëm është bërë më e sofistikuar? Do t’i pyesja se çka mendojnë për teknologjinë informative dhe ndryshimin e mënyrës së jetës të shkaktuar nga ajo? Me Hygoin do të bisedoja shumë edhe për zhvillimet politike globale, por edhe për letërsinë. Do ta pyesja edhe nëse e ka lexuar ligjëratën e Umberto Ecos, “Hugo, Helas – The Poetics of Excess” (“Fatkeqësisht, Hygoja – Poetika e Teprimit”, të inspiruar nga Adre Zhidi, i cili kur e kanë pyetur se cili është poeti më i madh francez është përgjigjur: “Hygoja, fatkeqësisht” dhe a pajtohet me analizën që ai ua bën veprave kryesore të tij si “Të mjerët”, “Viti 93”, “Katedralja e Parisit” dhe “Njeriu që qesh”. Ndërsa me Zhan Valzhanin do ta përfundoja bisedën me një debat mbi raportin e varfërisë me krimin dhe mënyrën sesi e mendon ai se duhet luftuar të dyja në kontekstin e sotëm.

Trashëgimia më e bukur shqiptare?

Në planin politik mendoj se janë lufta e Skënderbeut dhe sakrifica e Adem Jasharit me familje. Kjo e fundit duke qenë një sakrificë për lirinë kolektive mbart me vete vlerën universale të lirisë njerëzore. Rilindja Kombëtare me tërë baticat dhe zbaticat e saj është një trashëgimi e vlefshme, gjithashtu. Në planin e letërsisë Ismail Kadare, por edhe Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Arapi e Ali Podrimja. Nga muzika që nuk do të harrohet asnjëherë mendoj do të jenë Vaçe Zela e Nexhmije Pagarusha. Në planin e trashëgimisë kulturore në muzikë këngët epike (kreshnike) të veriut dhe polifonia e jugut. Nga qytetet do të përmendja Beratin, Gjirokastrën, Prizrenin dhe Shkodrën. Por në fund mendoj se trashëgimia më e bukur e deritanishme kanë qenë njerëzit tanë dhe dashuria e tyre me lirinë.

Nëse të them “Kosovë” çfarë ju vjen në mendje?

Kosova më asocion me vuajtjet e gjata të popullit shqiptar. Në njëqind vjet robëri nën Serbi, të gjithë ne kemi shumë tregime të tregojmë. Por njëkohësisht Kosova më asocion me sakrificën, luftën e pareshtur të një populli për lirinë. Një luftë e paprerë, para një shteti shumëfish më të fuqishëm. Një popull që asnjëherë nuk u dorëzua. U burgos, u vra, u arsimua, luftoi, por asnjëherë nuk u ndal deri në fitimin e lirisë. Por Kosova më asocion edhe me dashurinë, sepse aty i kam njerëzit më të dashur, familjen time, shokët, njerëzit me të cilët kam ndarë të mirën dhe të keqen në jetë.

admin

Artikujt e tjetrë