Kulturë

Copëza të lashta në epokën digjitale

“Albanian Vintage Photograpy”, një platformë digjitale me fotografi të vjetra, na dëftojnë të kaluarën e të parëve tanë nga një këndvështrim tjetër.

Mithat Haxhiislami, i njohur si Miki është një personazh shumë i veçantë. Ai prej kohësh nuk jeton në Kosovë. Është udhëheqësi kompanisë së tij Intermedico Japan Co., Ltd, e specializuar kryesisht në prodhimin dhe shitjen e produkteve inovative për kujdes shëndetësor dhe atyre kozmetike.  “Me përkeqësimin e situatës në Kosovë, në fund të vitit 1989, u largova nga Kosova, për tu vendosur  në Kroaci, Zvicër, Holandë dhe pastaj ndalova në Londër nga viti 1990 deri më 2003. Bashkëshorten time Kasumin, një vajzë të mrekullueshme japoneze, pata fatin ta takoj në Londër në vitin 1995, me të cilën u martova dhe së bashku kemi një fëmijë, çunin e shkëlqyer me emrin Len, tani 17 vjeçar.  Në janar të vitit 2003 u drejtova për në lindjen e largët, vendlindjen e zonjës sime, kryeqytetit japonez, Tokios, ku edhe tani jetoj dhe punoj.”

4-dukagjinase-e-ngarkuar-me-shporte-1870-foto-pjeter-marubi

Miki kalon shumë kohë edhe në Kosovë, pasi ka shumë miq e me të cilët ndanë edhe në pasion të përbashkët. Në vitin 2011 miku i tij Merkur Beqiri i dha një ide, të cilën ai bashkë me dy miqtë e tjetër Mergim Harxhi e Jeta Nushi  dhe me ndihmën e disa njerëzve të tjerë arritën të krijojnë një faqe në rrjetin social Facebook. Sot kjo platformë sociale me emrin “Albanian Vintage Photograpy”, ka mijëra ndjekës dhe çdo ditë poston fotografi shumë të vjetra të periudhave të ndryshme të popullit shqiptar. “Dua t’i falënderoj të gjithë,  ata që janë aktiv me postimet e tyre ashtu edhe ata që bëjnë komente dhe na përcjellin rregullisht në këtë faqe në FB.  Personalisht ia dedikoj çdo ditë 20-30 minuta postimeve të mia ne Albanian Vintage Photography, megjithatë për shkak të ngarkesave të mëdha të punës dhe udhëtimeve të shumta që i kam, ndodhë nganjëhere mos të postoj më ditë të tëra. Mirëpo, fal numrit të madh të anëtarëve aktiv, kjo nuk po ndikon fare që faqja të ngec pas me postime.”

7-shqiptar-nga-janina-1873-burim-kostumet-popullore-te-pernadorise-osmane-stamboll

Ky pasion i Mikit ka lindur që në fëmijërinë e tij, i ndikuar nga historia, arti e muzika, megjithatë një ndikim më të theksuar e ka shkrimtari, përkthyesi dhe specialisti i studimeve shqiptare, Robert Elsie. Një tjetër aspekt është edhe fakti që ai jeton Japoni një vend në të cilin e kaluara, tradita dhe ati mësohen dhe çmohen pafundësisht.  Për më tepër pasioni im u rritë edhe më shumë nga vendosja ime në Japoni, ku e kaluara, tradita dhe arti mësohet, respektohet, çmohet dhe mbrohet pafundsisht.

E kaluara e shqiptarëve në fakt është një sferë e rëndësishme të cilën fatkeqësisht e njohim shumë pak dhe çdo informacion qoftë një ngjarje apo një fotografi, janë  shumë të rëndësishme. Megjithatë për Mikin gjetja e këtyre fotografive është një tregim më vete, i cili karakterizohet me shumë vështirësi.  “Fotografitë i gjej përmes motorëve të kërkimit siç janë Google dhe Yahoo, arkivave të ndryshme në internet të gazetave britanike, austro-hungareze, gjermane, italiane, turke, etj., (ca prejt tyre me parapagesë), librave të ndryshëm, si dhe përmes miqve të shumtë të cilët shpesh më ofrojnë foto nga arkivat e tyre familjare. Në sajë të teknologjisë informative dhe vullnetit të mirë gjetja e fotografive të vjetra dhe informatave të shumta që nderlidhen me trojet shqiptare nuk është më edhe aq e vështirë. Siç thotë edhe fraza e vjetër angleze “where there’s a will, there’s a way” që do thotë: Aty ku ka vullnet, ka edhe mënyrë. Dhe unë ju siguroj se vullneti tek unë si dhe tek shumë anëtarë të kësaj faqe nuk mungon fare, dhe kjo më bën të ndjehem tepër i ngazëllyer kur kujtoj se sa shumë foto të bukura dhe informata të vlefshme do postohen në këtë faqe gjatë ditëve, javëve, muajve, viteve dhe dekadave në vijim.”

hax-1

Ndërsa periudha që e intrigon më shumë është ajo para ardhjes së regjimit komunist në Shqipëri, i cili shkatërroi pothuajse gjithçka të vjetër e që nuk ishte në një linjë me ideologjinë e tyre të errët. Miki ka shumë fotografi të vjetra në formë digjitale nga viti 1870. “Deri vonë kam menduar se fotoja e Hamz Kazazit e realizuar në Shkodër nga i madhi Pjetër Marubi në vitin 1858, është fotoja me e vjetër që ekziston nga trojet shqiptare. Mirëpo pas shumë hulumtimeve të bëra gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm në Shqipëri, u vërtetua se personi në foto nuk është Hamz Kazazi si dhe ajo nuk është e vitit 1858, por në të paraqitet konsulli italian Alessandro De Rege di Donato në veshje tradicionale shqiptare, i cili shërbeu në Shkodër nga 20 shkurt 1881 deri më 18 shkurt 1886 dhe fotoja është e vitit 1885. Sidoqoftë, kjo foto mbetet një thesar i madh për fotografinë e vjetër shqiptare.”

Forma digjitale e ruajtjes së këtyre fotografive deri më tani mbetet adresa e vetme në të cilën mund të kemi qasje të gjithë për të parë fotografi të viteve të kaluara. Një kënd i veçantë në të cilin mund të ndodh që të gjejmë edhe ndonjë pasardhës për të cilin dimë shumë pak, të njohim më mirë historinë dhe mënyrën sesi kanë jetuar ata.

admin

Artikujt e tjetrë