Intervista

Zëri i operës botërore

dsc_9528-kopie

Rruga e artit asnjëherë nuk duhet të qëndrojë në vend, arti i vërtetë është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të së resë, të shpirtit binjak, të lumturisë shpirtërore. Këtë ka bërë edhe një nga artistet e mirëfillta të skenës shqiptare Elbenita Kajtazi, sopranoja, që po pushton skenat në një rrëfim për Flatrën.

Sa jeni kompletuar si artiste gjatë këtyre viteve?

Arti dhe muzika, sikurse edhe fusha të tjera që ofrojnë mundësi të përhershme zhvillimi, janë fusha ku hulumtimi dhe kërshëria profesionale nuk duhet të mungojnë asnjëherë.  Prej dy vitesh jetoj dhe punoj në Gjermani dhe mund të them me plot gojën që kjo kohë më ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme, më ka hapur dritare të reja dhe mbi të gjitha më ka ndihmuar të njoh e provoj veten më shume në çdo aspekt.  Personalisht e shikoj artin tim, si një përshkrim dhe prezantim të zemrës sime, të çdo qelize të shpirtit tim, sa herë unë mundem të këndoj apo të jem në skenë.  Mundohem gjithmonë të thith dhe të përjetoj çdo moment të çmuar të artit tim me shumë pasion, i gëzohem çdo note apo fraze që unë mundem të këndoj së pari apo rishtazi, me pak fjalë mundohem çdo ditë e më shumë të kompletoj vetveten me përvoja të reja muzikore e artistike.  Rruga e artit asnjëherë nuk duhet të qëndrojë në vend, arti i vërtetë është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të së resë, të shpirtit binjak, të lumturisë shpirtërore.

Sa afroheni me një personazh kur interpretoni në skenë me zërin tuaj?

Çdo artist i skenës teatrore nuk do vinte autentik me rolin e tij, nëse do kishte një përqasje tërthore apo të pjesshme me personazhin që interpreton në skenë.  Unë gjithmonë mundohem të jem sa më afër ndjenjave, botëkuptimit dhe shqisave të personazhit që unë interpretoj.  Kjo gjë në fakt është një sfidë e përhershme, ngaqë në ato momente Elbenita duhet të tërhiqet nga vetja e saj, të lërë mënjanë për 3 orë çdo gjë të jetës së saj, dhe të veshë petkun e ngjarjes, kohës e ndjenjave të personazhit përkatës.  Të qënit gjithmonë e ndryshme në skenë, konfrontimi i përhershëm me personazhe dhe kohë të ndryshme e bën çdo dalje skenike për mua unike në llojin e saj.  Me kalimin e kohës unë kam mësuar e kuptuar që një balancë e mirë dhe solide ndërmjet njohjes së plotë të botëkuptimit të personazhit dhe plotësimit shpirtëror, jetësimit nga ana ime të tij, mund të jetë çelësi i një vazhdimësie solide në profesionin tim.

Sa e vështirë është për ju të ndërtoni një karrierë në një vend si Gjermania, ku përballeni me një konkurrencë të jashtëzakonshme?

E shoh konkurrencën e madhe që ndodh jo vetëm në Gjermani, por kudo tjetër në radhë të parë si një sfidë direkte me veten time, në kërkim të më të mirës nga vetja.  Gjithmonë jam munduar që faktorët anësorë, pjesët e parëndësishme të profesionit tonë t’i eliminoj, me saktë të mos i bëj pjesë të përjetimeve të mia artistike dhe profesionale.  Gjermania dhe në përgjithësi bota perëndimore përpos konkurrencës së madhe që ka, ofron njëkohësisht edhe mundësi të shumta në lidhje me plotësimin e vetvetes.  Unë ndjehem me shumë fat që ndodhem në një vend të tillë dhe që gjithmonë mundem të jem vetvetja në gjërat që i bëj dhe dua t’i bëj.

Së fundmi, si e shihni ju të ardhmen e operas lirike në Kosovë?

Kosova është një shtet i ri në ekzistencën e tij.  Është tashmë e njohur, që rrethanat historike dhe specifike të vendit tonë, e kanë ngadalësuar, me saktë e kanë penguar zhvillimin e natyrshëm të artit në përgjithësi dhe teatrit muzikor, operës në veçanti.  Megjithëse bashkombësit e mi shqiptarë në Kosovë shquhen për talentin e tyre vokal, mungesa e një skene të mirëfilltë operistike në Kosovë e bën të cunguar çdo lëvizje në drejtim të zhvillimit dhe përsosjes së artit operistik atje.  Dua këtu sidoqoftë të theksoj faktin që në Kosovë nuk mungon vetëm skena si ndërtesë, atje në të vërtetë mungojnë edhe shumë gjëra të tjera në prapavijë, qoftë artistike, qoftë infrastrukturore, gjëra që e bëjnë të vështirë, për të mos thënë të pamundur zhvillimin normal të një jete operistike në Kosovë.  E gjithë kjo situate jostimuluese e lidhur gjithashtu me problemet e shumta politike, shoqërore dhe ekonomike me të cilat përballet çdo ditë vendi ynë, më bëjnë mua pak skeptike në lidhje më një të ardhme të mirë përsa i përket skenës operistike në Kosovë.  Mendoj që përpara sesa të mendojmë dhe shtrojmë teza të ndryshme në lidhje më ndërtimin dhe emërtimin e një shtëpie operistike në Kosovë, duhet në radhë të parë të plotësojmë kushtet për njerëzit që do punojnë atje, duhet të formojmë brezat e rinj profesionalë që do ta mbajnë këtë shtëpi operistike me jetë dhe mbi të gjitha duhet të edukojmë publikun tonë, jo vetëm të Prishtinës, me ndjenjën e domosdoshmërisë për krijimin dhe mirëmbajtjen e kësaj pasurie të përbashkët artistike.  Luksin që mbart në vetvete një ekzistenca e një shtëpie operistike duhet në radhë të parë ta meritojmë dhe ta kemi në raport të drejtë me çdo zhvillim shoqëror dhe ekonomik brenda shtetit tonë.

admin

Artikujt e tjetrë