Intervista

Rudina Xhaferi…arkitektja e trupit

 

Të bësh art për të befasuar është një dhunti e pak njerëzve, por të bësh art për të gjeneruar një konflikt të vërtetë vizual është me të vërtetë një talent shumë i rrallë. Kemi intervistuar artisten Rudina Xhaferi, ndoshta të vetmen artiste shqiptare, e cila transformon trupin e saj në lartësimin e ikonografisë estetike, që ndryshon dhe shqetëson duke të tërhequr në “konflikt”. Performancat e saj janë rezultat i drejtpërdrejtë i një ndryshimi. Ato ndryshojnë nga koha në kohë, në varësi të “gjuhës” (tekstit, imazhit etj).  Të gjitha këto shenja janë ndeshje për syrin, të rrethuara gjithmonë nga një kontekst, një dinamik, diferencë brenda të cilës mesazhet mund të jenë të koduar pozitivisht, duke gjeneruar konsensus, ose negativisht, duke gjeneruar konflikt.

Nga Brunilda Merko  

 Si i zhvilloni idetë dhe çfarë reagimesh keni nga audienca për krijimet tuaja?

Po bëhen vite të tëra që unë po ndihem shumë mirë ta shprehë veten në performancën, si medium. Performanca është një prej mediumeve që e adhuroj. Është medium shumë specifik. Është e gjallë. Është e përkohshme. Performancën mund ta shijojnë vetëm audienca e cila është prezente gjatë performancës, askush tjetër. Nuk mundet as të shitet. Artisti mundet t’i shes fotot, videot por jo punën, siç  bën me pikturë apo skulpturë. Një prej elementeve shumë të rëndësishme  në performancë, përpos konceptit e realizimit të idesë është energjia. Energjia të cilën artisti arrin ta përçoj te publiku, i cili duhet ta ndjejë. Energjia lindë me artistin, ajo nuk mësohet, siç  mund të mësohet çdo gjë tjetër. Në anën tjetër është audienca ajo që kompleton punimin. Kur diskutoj me publikun pas performancës  e  shoh se është shume më i gjallë,  më i sinqertë krahasuar me ekspozitat kur prezantohem në mediume tjera. Për mua e gjithë atmosfera që krijohet duke komunikuar me audiencën për performancën, pas performancës, është performancë në vete. E shprehin atë që e ndjejnë aty për aty, janë më të çiltër. Ajo ndjesi që e  përjetoj nuk përshkruhet me fjalë, duhet të ndjehet.
Çfarë mendoni për deklaratën se “Moda është art”?
Në këtë rast mund të flas vetëm në veten e parë. Mënyrën se si i ideoj e realizoj veshjet janë, “piece of art”, kështu që pajtohem plotësisht, moda ashtu si unë e trajtoj, është art. Veshjet të cilat i krijoj nuk kanë kohë, nuk përcjellin ndonjë trend apo nuk inspirohen në epoka të ndryshme. Nuk influencohem nga dizajnerë të tjerë, por gjërat që mua më inspirojnë mundohem t’i përkthej përmes kreativitetit tim, si artiste. Thjeshtë janë veshje origjinale të realizuara me perfeksionimin më të madh. Kisha pasur dëshirë të citoj artistin, Genc Kadriu, që shkroi parathënien e katalogut për ekspozitën “Love Emotion Dream Rhythm Inspiration” (ekspozitë multidimensionale që e kam realizuar në 2013) i cili ndër të tjera ka thënë: “Rudina Xhaferi është arkitekte e trupit. Modeleve në këtë koleksion, thuajse me një urdhër të një magjie hyjnore, u janë rritur veshjet nga trupi”.

09Na flisni pak për procesin e punës?
Secilin projekt deri tani që e kam realizuar, e kujtoj me kënaqësinë më të madhe. Qoftë projektet që i kam realizuar si e vetme, qoftë në ekipe. Të gjitha idetë që më vijnë në mendje, kam guximin t’i realizoj. Gjatë përpunimit të idesë mundohem me përkushtimin më të madh të punoj deri në detajin më të vogël. Kështu që, kur filloj realizimin e veprës e përjetoj një ndjenjë të papërshkrueshme. Idetë që i kam në mendje unë arrij t’i realizoj deri në perfeksionizëm.
Kur punoj në ekipe, hapi i parë është të përzgjedh njerëz që më japin energji të mirë. Pas përzgjedhjes së ekipit,  fillojmë  me punën intensive, ku secili prej nesh shkrihemi e bëhemi si një familje për të dhënë maksimumin, në mënyrë që ta përçojmë sa më mirë porosinë të audienca, e cila gjithmonë më mrekullon me prezencën e saj.

Si e “ushqeni”kreativitetin tuaj?
Me punë.
Shumë vite më parë fillova ta praktikoja që çdo ditë të bëja diçka që më ushqente shpirtnisht. Qoftë skicë, ndonjë ide në letër, qoftë një detaj sado i vogël, po që do të lindte nga unë. Me kalimin e kohës më është bërë shprehi, kështu që  arrij të mbledhë copëza të vogla, që kohë pas kohe i mbledhë si “puzzle” për t’i realizuar veprat e mia. Kjo mënyrë e punës më ushqen kreativitetin si dhe më bën që në mënyrë të vazhdueshme ta ruaj origjinalitetin tim.

Si do t’ia përshkruanit stilin apo krijimet tuaja një të verbëri?
Ka vitet të tëra që punoj në projekte multidimensionale, kështu që mendoj se është një përparësi edhe për të verbrit.  Për më tepër kur e dimë se sa  të zhvilluara i kanë të katër shqisat e tyre, që ua mundëson ta përjetojnë shkëlqyeshëm një vepër arti. Para se t’i flisja për punët e mia, fillimisht do ta ftoja në ekspozitë, në mënyrë që ta përjetojë prej afër punën time. Paraprakisht me pak fjalë të përzgjedhura mirë, do ta bëja një përshkrim të projektit rreth konceptit, mediumit, ekipit, ngjyrave që do të dominonin në hapësirën ekspozuese.  Përjetimi i muzikës është një prej faktorëve kryesore që do t’i ndihmonte një të verbëri ta ndjente më mirë veprën si dhe një pëshpëritje e lehtë për lojën e artistëve. Pastaj do ta lija që ta përjetonte vet veprën. Nganjëherë edhe me sy të mbyllur mund të përjetosh një vepër duke u mbështetur në energjinë që artisti arrijnë ta reflektoj tek audienca.

04
Çfarë kënaqësie ju dhuron puna që bëni dhe çfarë prisni që ju t’i dhuroni publikut?
Punoj me dashni e përkushtim të madh. Ndjej kënaqësi shumë të madhe kur punoj, ushqehem shpirtnisht. Kam dëshirë ta sfidoj veten. Jam person kureshtare, ajo më motivon. Si artiste që jam, e kam përparësinë që çkado që më mundon, preokupon e shprehë përmes veprave artistike. Mirëpo, specialiteti im është që çdo gjë e përkthej në të bukurën.
Në secilin projekt, e praktikoj që para, të mos jap shumë informacione për arsye se dua që publiku të vijë i shlirë nga ideja se çka do t’i prezantohet, të mos ketë pritshmëri. Qëllimi im është që në hapje të ekspozitave për aq kohë sa zgjatë projekti, elementi kohë të humbë. Gjithë atë punë të palodhshme me sfida të mëdha që secili projekt i ka, gjithë atë akumulim që e mbledhë për kohë të gjatë, në hapje të ekspozitave arrijnë të shpërthejë pranë publikut si bombë, në sensin pozitiv.

admin

Artikujt e tjetrë