Letërsi

Menduam një titull për artistin…por e harruam

Mbetet një ëndërrimtar i papërmirësueshëm, por vetëm në luftë me vetveten për të krijuar gjithmonë e më mirë, sepse është tërhequr shumë kohë më parë, kur filluam ta ushqejmë shoqërinë me depresion dhe antivlera. Arben Kastrati në një intervistë për Flatrën për aktrimin, regjinë dhe shkrimtarinë.

Nga Besa Gjoni

 Takimi i parë me Arben Kastratin do të ishte një konferencë polemike me rastin e promovimit të romanit tij të parë, mënyrë jo e zakontë në Kosovë për artistët. Ishte atë ditë që artisti u shpreh se nuk bënte kompromise për artin e mirëfilltë. Ishte formuar dhe frymëzuar ndryshe. “Deshëm apo nuk deshëm, me apo pa vetëdije, ne japim dhe marrim nga personazhet, të cilat i interpretojmë. Madje, ndodh shpesh që personazhet, të cilat i interpretojmë, nxjerrin vese dhe veti, nxjerrin karakteristika (të fshehura) nga brendia e subkoshiencës sonë. Krijimi më ka bërë më të fortë. Më të qëndrueshëm. “Faktor qëndrueshmërie” (ndoshta) janë edhe vitet që po më shtohen. Edhe pse ende e ruaj me fanatizëm “fëmijëroren” brenda vetes. Duhet të jetë ndikimi i Frederico Fellinit që thoshte: ruajeni fëmijëroren brenda vetes. Kështu që, unë mbetem një fëmijë i rritur…”- shprehet Arbeni. Një artist, i cili nuk u kufizua në një fushë të caktuar artistike, por e kemi parë duke performuar në skenë, në film, aktor, regjisor dhe gjithashtu shkrimtar…. “Nevoja për të krijuar. Duke pasur një ego shumë të madhe për të ushqyer, nuk mund të rrija pa punë. Nga pamundësia për të qenë vazhdimisht aktiv në lëmin time – aktrim, u detyrova të shkruaj dhe të bëj regji.” E në këtë ndërthurje të artit që herë shfaqen në Prishtinë, herë në Shkup dhe po aq në Tiranë, për artistin, aktrimi mbetet profesioni i zemrës, të ëndërruar që në momentin kur shkoi për herë të parë në kinema. “Por, si skenarist dhe regjisor, ndihem shumë mirë. Dhe gjithmonë i referohem filmit artistik dhe jo atij dokumentar. Se regjisor i filmit dokumentar është Zoti. Ndërsa si regjisor, unë jam Zot i filmit artistik. Por, shkrimi, ka filluar të më dhuroi shumë kënaqësi. Është proces më i lehtë se aktrimi dhe regjia. Është punë individuale. Dhe suksesi varet tërësisht nga autori. Nuk ka kosto si filmi, prandaj nuk kursehem në numrin e personazheve, lokacioneve, dekorit, rekuizitave…Pastaj, bëj ç’të dua me personazhet. I vendos kudo që dua. Nuk më nevojitet as skenografi, as kostumografi, as asistenti, as kompozitori, as ndriçuesi, as tonisti, as statistët, as buxheti i ministrisë. Dhe nuk më duhet të kërkoj fonde nga politika. Mund ta them të vërtetën. Mbi të gjitha, të mbetem i pavarur….”.

 Të rrëfesh të shkuarën politike, përmes artit…

 Në fakt kemi dy libra nga autori, “E di që kam pasur një titull më të mirë, por kam harruar” të cilësuar si post-modernist, sjellin rrëfimin dhe përjetimet personale të disa periudhave të rëndësishme të jetës së autorit. Të dyja romanet, janë kronologji të kohës së tij, ku dëfton një të vërtetë të jetuar, si dëshmitar i viteve të shkuara. Në romanin e parë ka dëftuar një të vërtetë të hidhur: sundimin të shqiptarëve nga popujt jugosllav (serbët)  dhe në romanin e dytë: një sundim shqiptar nga shqiptarët. Ndaj me zbulimin e së vërtetës së trishtë, u shndërrua në dyshues të madh të historisë. “Sepse unë jam gënjyer në vazhdimësi nga autorët e historisë, nga gjyshërit, nga prindërit, nga poetet dhe të gjithë predikuesit e kombit, se ne jemi një popull i madh dhe i veçantë. Në të vërtetë, është plotësisht e kundërta e dëftimeve me të cilat jam rritur duke u gënjyer. Dhe që të mos ngjaj në autorët e historisë, pra që të mos bëhem gënjeshtar, vendosa ta dëftoj të vërtetën e të shkuarës nga perspektiva ime. Një e vërtetë që dallon nga dëftimet e historianeve. Një e vërtetë e vërtetë dhe jo një e vërtetë e gënjeshtërt. Një e vërtetë qe dëfton se personazhet tona nga të cilat janë krijuar mite, s’ishin asgjë, përpos ca dështak, që në mënyrat më djallëzore arritën ta sundojnë popullin e vet. Dhe arritën të hyjnë dhe të zënë vende në histori, ashtu siç hynë dhe zunë vende në politikë, me djallëzi. Dhe arritën me lehtësi t’i përvetësojnë faktet, duke i korruptuar historianët. Duke shikuar ardhjen dhe çimentosjen e tyre në histori, fillova të dyshoj dhe në personazhet e së shkuarës. Prandaj, historia, lënda ime e preferuar, që dikur më magjepste, tani më është shndërruar në makth, mu nga gënjeshtrat e turpshme me të cilat është shkruar historia. Që është e kundërta e asaj që unë kam përjetuar. Prandaj edhe 1 Prilli na është shndërruar në festë kombëtare. Jo pse jemi gënjeshtarë, por pse jemi një komb me imagjinatë të zhvilluar…”- shton Arbeni. Ndërkohë që tashmë në tryezën e tij të punës po përfundon triologjia e të qënit dëshmitar i së shkuarës, të jetuarit nën sundimin jugosllav. Romani më i ri me titull pune “I dashuri unë”, sërish ka kryepersonazh një aktor, që e dëfton të shkuarën politike, përmes artit…Në emër të një arti që në Kosovë debatohet pafund e pafund. Mes mishmashit të vlerave artistike,  të cilat përkufizohen dhe përcaktohen nga cilido që ka dëshirë dhe mundësi financiare. Ku shoqëria jonë nuk ka vend për artistët e mirëfilltë sepse nuk e di cilët janë ata. “Pamundësia për të ndërtuar të ardhmen, na ka shndërruar në një komb të deprimuar. Pamundësia për të projektuar të ardhmen, na ka shndërruar në komunitet të deprimuar. Depresioni kolektiv që mbretëron është pasoje e pamundësisë për të krijuar. Dhe në vend që të krijohet dhe popullit kolektivisht të deprimuar t’i dhurohet argëtim, ndodh e kundërta. Ushqehet depresioni. Me fjalën artist dhe krijim po abuzohet shumë. Tani më pothuajse nuk ka dallim mes artit dhe estradës, mes artit dhe kiçit, mes artit dhe krijimeve që na shfaqen në TV. Disa artistë të paktë vazhdojnë të mbajnë parime. Artistët e paktë me parime vazhdojnë të varfërojnë. Artistët e varfër vazhdojnë të shpresojnë në një të ardhme më të mirë, edhe pse janë të vetëdijshëm se një e ardhme më e mirë nuk do të vijë. Unë mbetem ëndërrimtar i papërmirësueshëm. Dhe janë ëndrrat ato që e bëjnë gjendjen tonë shpirtërore dhe më të rënduar.”- shprehet Arben Kastrati.

admin

Artikujt e tjetrë