Lifestyle

Kartolinat që nuk i “zhduk” teknologjia

Berta Hamza, një grua e pasionuar pas kartolinave punë dore, atyre që duket se nuk i zbeh kurrë pluhuri i kohës. Nënë e dy fëmijëve, Berta, për një kohë të gjatë ka jetuar jashtë Kosovës, e megjithatë paslufte rikthehet sërish në vendlindje Prishtinë. “E lindur në Prishtine, deri në moshën 15 vjeçare kam jetuar këtu, por si shumë qytetarë të Kosovës në 1993 bashkë me prindërit emigruam në Gjermani, ku jetova për 7 vite. Që nga viti 2000 jetoj sërish në Prishtinë. Pranë familjes bëj në punë me orar të plotë dhe kur gjej kohë të lirë merrem me punë dore. Përveç që shpalosë kreativitetin tim kjo punë më ndihmon të gjej balancën nga dinamika e përditshme në mes punës, dhe angazhimeve tjera. Gjej një qetësi shpirtërore e cila çdo herë e më shumë më inspiron për projekte të reja në artin respektivisht zejën e punës së dorës.”

Si ju ka lindur pasioni për të realizuar kartolina  punë dore?

Qysh e vogël, e besoj sikur shume fëmijë në shoqërinë tonë, kam qenë e rrethuar me punë dore, qoftë nga gjyshet, njëra me punimet e saj në makinë rrobaqepësie apo tjetra me punën e saj te mrekullueshme që nga tjerrja e leshit të deles e deri tek thurja e çorapeve të leshta me modele mahnitëse, por edhe nga gra e vajza tjera në farefis të cilat punonin me shumë zell qoftë në goblene e tapiceri të thjeshta apo edhe detajet më të ndërlikuara të veshjes kombëtare për një nuse të radhës, duke i stolisur ato me rruaza të llojllojshme deri në përpikmëri. Pastaj shumë punë zdrukthi e të tjera të gjyshërve e kushërinjve të cilët më mahnisnin kur prej një dege druri nga toka arrinin të gdhendnin një figurë të mrekullueshme. Pastaj në shkollë në Prishtinë kam parapëlqyer gjithnjë orën e Artit Figurativ dhe atë të Bazave të Arsimit Teknik sepse kisha mundësi të shpalosja kreativitetin tim, madje isha pjesë e grupit të artit edhe pasditeve. Gjatë shkollimit në Gjermani pastaj kishim orë punë dore gjate të cilave përpunonim lëndë të ndryshme si druri, metali, tekstili etj, dhe krijonim figura e produkte të ndryshme të cilat me krenari i prezantonim në klasë e shtëpi. Kështu që unë nuk mund të reduktoj pasionin tim për punë dore vetëm në kartolina. Unë e kam pasion punë doren në përgjithësi. Kartolinat i kemi punuar gjithherë me fëmijët për rrethin e ngushtë familjar e mësueset, duke filluar për festat e fundvitit e pastaj edhe me raste tjera. Një vit kur fëmijët veç ishin pak më të rritur dhe mund të punonin të pavarur, ata punonin në kartolinat e tyre ndërsa unë punoja në të mijat. Fillova të „paraqes“ nga një “përrallë“ të shkurtë festive nëpër kartolina, nëse mund ta quaj ashtu, gjithherë duke vënë një notë personale për personin të cilit ia kisha dedikuar kartolinën, sepse kartolina është padyshim diçka personale. Pasi kisha publikuar me shumë krenari punën time në faqen time personale ne Facebook, më erdhën shkrime nga miq e mikesha se ku i kisha marrë këto kartolina, meqë edhe ata donin të tilla. Dhe kështu filluan porositë e para dhe puna ime me kartolina.

img_20150306_075113-2

Sipas jush, cila është vlera e tyre?

Për mua kartolinat gjithherë kanë pasur një vlerë të veçantë. E thashë edhe më herët, kartolinat janë diçka personale, e adresuar në emrin tënd me një urim të veçantë për ty. Unë kam një kuti përplot me kartolina nga fëmijëria ime e hershme, me urime kryesisht për festat e fundvitit por edhe ditëlindje, disa madje edhe të punuara me dorë. Tani, kur përveç urimit personal përbrenda kartolinës, arrin të krijosh edhe një kartolinë të personalizuar, qoftë edhe vetëm me ngjyrën e preferuar të personit, kjo i jep edhe më shumë vlerë. Pastaj, mua si pranuese e një kartoline të tillë më jep të kuptoj që personi që e ka dërguar më ka kushtuar kohë dhe vëmendje mua si anëtare të familjes, mike, kolege etj.

Në këtë epokë digjitale, mendoni se arti i punës së dorës është në zhdukje? 

Në fillet e digjitalizimit të gjithë kemi qenë të magjepsur prej mundësive që po na i ofron kompjuteri. Unë madje edhe vizatimet fillova t’i bëja në kompjuter, por u ngopa shumë shpejt nuk e gjeta veten tek digjitalja. Ndjeja nevojën qe puna të zgjaste më shumë, të prekja materien me dorë, vetëm atëherë e dija se kjo krejt është meritë e imja. Vizatimet në kompjuter nuk më dukeshin më të miat. Mendoj që arti i punës së dorës nuk do të zhduket asnjëherë, gjithçka ka filluar me punë dore, dhe do vazhdoj edhe më tej. Madje besoj se aktualisht si asnjëherë me parë arti i punës së dorës është IN. Dhe një kontribut të veçantë për përhapjen e këtij arti po jep vet epoka digjitale. Vetëm përmes internetit dhe TV-së shohim ide të ndryshme të realizuara me punë dore. Emisione dhe linqe të ndryshme për DIY (Do It Yourself / bëje vet) na ofrohen në çdo moment, dhe për të gjithë të interesuarit mund të jetë një inspirim. Me kohën jam bërë një idhtare e madhe e riciklimit të gjësendeve të ndryshme, të cilat mundohem ti përdorë edhe në dizenjimin e kartolinave por edhe gjatë krijimit të gjërave tjera. Dua ta theksoj edhe njëherë, se arti i punës së dorës nuk mund të zhduket asnjëherë, do të dëshiroja që të vlerësohej më shumë. Shoqëria jonë ka një traditë në punë dore prandaj mendoj se edhe di ta vlerësoj atë, megjithatë një rol të veçantë luan edhe gjendja socio-ekonomike e një shoqërie.

admin

Artikujt e tjetrë