Kulturë

“Kanarinët e dinë” një dëshmi lufte

Regjisorja Kaltrina Krasniqi, vjen në Flatra për të na dëftuar më shumë për suksesin e filmit të fundit, projektet e reja dhe gjendjen aktuale të kinematografisë në vend.

Pas një kohe të gjatë të pushtimit, më në fund nënshkruhet marrëveshja e shteteve të mëdha dhe bombardimet fillojnë. Në qendër të filmit është familja gjashtë anëtarëshe, të cilët në këtë situatë të papërgatitur nuk dinë sesi të reagojnë. Është festë dhe frikë e sërish gjithçka nuk do të jetë më e njëjtë. “Kanarinët e dinë” është filmi i regjisores kosovare Kaltrina Krasniqi, që u shpërblye në Japoni me çmimin Best Original Score (Kolona më e mirë zanore), në festivalin Sapporo Short Film Festival 2015.

“Ishte një shpërblim që më gëzoi jashtëzakonisht shumë dhe më duhet të theksoj se Arbër Salihu, Tomor Kuçi dhe Genc Salihu kanë qenë forcë e madhe shtyse në tërë këtë rrugëtim.”,- tregon regjisorja derisa shpalos shumë detaje të veçanta nga jeta dhe karriera e saj.

“I kisha 18 vjet kur fillova të angazhohem me filmin. Pasi përfundova gjimnazin vendosa të pushoj pak para fakultetit, e t’mendohem mirë nëse filmi ka me qenë gjuha me të cilën do të flasë n’jetë. Ishte vit i çuditshëm, euforik viti 1999-2000. Lufta kishte përfundu dhe jeta jonë e çrregullt deri atëherë vazhdonte t’çrregullohej tutje. Qyteti qe mbushë me ndërkombëtarë  dhe në turmën e tyre më gjeti (ose e gjeta) regjisoren irlandeze Siobhan Cleary, e cila mua dhe disa të rinjve tjerë na mësoi, që me film të dokumentojmë qytetin e fëmijërisë pas bombardimeve – ishte pikëlluese sepse krejt kujtimet tona u barazuan me një bredhje nëpër gërmadha. Andaj e punuam një film eseistik mbi qytetin që nuk ishte më dhe e titulluam “Ajër i papritun” (Sudden Air)…Ky do t’duhej me qenë fillimi i lidhjes sime komplekse me filmin sepse pas kësaj shkova në shkollë të filmit dhe gati gjithçka tregoj përmes tij.”

6-a

Megjithatë filmi “Kanarinët e dinë” është projekti i saj i fundit artistik, një rrëfim prekës edhe për ata që fatmirësisht nuk e kanë përjetuar luftën. Por si lindi ideja dhe nga çfarë është frymëzuar Kaltrina për këtë projekt?  “Lufta është ngjarje e madhe në jetën e njeriut. Sepse ne jetojmë pak, procesojmë pak, pastrohemi vështirë prej të shkuarës. Nëse kalon njëherë nëpër luftë gjasat janë që ajo të mbetet me ty krejt jetën. Gjithçka matë në raport me te – dashuninë, frikën, të kaluarën, vlerat. Ekspozimi brutal ndaj krimit e shpërlan njeriun prej virgjërisë. Andaj nuk është e çuditshme që regjisorët me këto eksperienca patjetër e bëjnë filmin e tyre mbi luftën. Ky film është copa ime e asaj dëshmie.”

 Ndërsa frymëzimi për këtë projekt ishte pikërisht kënga e Genc Salihut/Cute Babulja, “Këngë  nga kopshti”, e cila u shkrua pak javë para bombardimeve në Kosovë.

 “Ai e këndonte shpesh në festat tona që i bënim nëpër shtëpi: ‘Para se të shkojmë dua të këndojmë për qindra mijëra minj të tjerë, për qinda kopshte me fenerë…të rrojmë…’ Vargjet e kësaj kënge vazhdojnë të më prekin edhe sot sepse i referohen qartë një kohe kur ne e dinim se atë fëmijëri të errët të viteve ’90 po e braktisnim përfundimisht. Por para se ti lëmë dhomat tona, qytetet, kopshtet do të këndonim për të gjithë fëmijët e tjerë që e jetonin të njëjtën me neve nëpër pjesë tjera të botës. Andaj ishte e natyrshme që kjo këngë të qëndisej si kolonë zanore për filmin sepse mbetet si kujtim i fundit i fëmijërisë dhe e çdo gjëje të virgjër që vije me të.”

 Si çdo film tjetër edhe “Kanarinët e dinë” është një projekt për të cilin është punuar shumë që të jetë sa më i veçantë dhe të përcjellë mesazhin e tij tek shikuesi dhe sipas regjisores ka qenë një xhirim shumë i lehtë. Me një ekip të ngushtë, kreativ dhe tepër kompakt. Me një kast aktorësh të cilët të impresionojnë sa herë që e shikon filmin. Një film që siç thotë regjisorja e ka pasur tyë lehtë të hyjë në të por shumë të vështirë për ët dalë prej tij. Por cila është gjendja e filmit sot në Kosovë, Kaltrina nënvizon faktin se kinematografia megjithatë po vazhdon të zhvillohet, pavarësisht gjendjes së rëndë politike në vend.

“Në njëfarë mënyre po ecë shumë më shpejt se shkolla e filmit dhe vet shteti. Ndonjëherë i frigohem këtij zhvillimi sepse si filmbërës pavarësisht sa të suksesshëm jemi jashtë vendit kur kthehemi në shtëpi ballafaqohemi me realitetet banale të tipit që Kosova ka më pak kinema sot se para luftës – kjo në vetvete sqaron diskrepancat e rrezikshme të këtij trendi tranzicional. Kinematografia është e kushtueshme, ka nevojë për profesionistë, pajisje dhe përgjithësisht terren miqësor për t’u kultivuar – nëse vetëm njëri prej komponentëve ngecë automatikisht e afekton kualitetin e jetës së filmit. Ne me filmat tanë nuk duam të establishojmë komunikim vetëm me audiencat e jashtme, duam të flasim me publikun tonë gjithashtu. Nëse nuk ka kinema, programacion kualitativ televiziv atëherë i bije se kur jemi në shtëpi – Kosovë – jemi të vetmuar me punën tonë sepse nuk kemi platformë për të hapë dialogun me publikun mbi të cilin reflektojmë në filmat tanë.”

admin

Artikujt e tjetrë