Intervista

Barazia gjinore si reflektim personal

Kristale Ivezaj Rama dhe Përparim Rama, dy artistë për publikun dhe të martuar në jetën reale, vijnë në revistën Flatra për herë të parë në një intervistë shumë më ndryshe. Nuk i kemi pyetur se kur janë takuar apo sesi kanë vendosur ta kurorëzojnë dashurinë e tyre. I kemi vendosur përballë njëri-tjetrit në një duel gjinor. Për barazinë gjinore, gratë udhëheqëse, burrat dominant, modën, letërsinë dhe gjithçka tjetër në këndvështrimin e Kristales dhe Përparimit.

Intervistoi: Besa Gjoni / Foto Matteo Mencarelli

 Çdo qenie njerëzore është krijuar për të njëjtin qëllim?

Përparimi: Çdo qenie njerëzore është krijuar nga Natyra. Çdo qenie njerëzore lind, jeton dhe vdes. Ne mes lindjes dhe vdekjes është mrekullia e jetës. E jeta nuk është kuptimplotë pa lumturi! Lumturia është mundësia dhe e drejta e çdo njeriu. Për fat të keq jo çdo njeri arrin të shijojë lumturinë në jeë mënyrë të përmbushur. Kur njeriu arrin lumturinë e përmbushur atëherë është Një me Natyrën, me Universin, është në paqe dhe harmoni me Natyrën, e pjesë e Natyrës është edhe njerëzimi. Njerëzit e palumtur, të papërmbushur bëhen stres i Natyrës dhe krijojnë strese të mëtejme. Të përmbushurit në lumturi projektojnë energji pozitive, dashuri, ndërsa të papërmbushurit gjenerojnë strese të mëtutjeshme që kanë ndikim negativ me rrethin e tyre edhe mëtutje. Qëllimi i çdo qënie njerëzore është të njihet me vehten, me potencialet që i ka dhuratë nga nëna Natyrë. Nëse njeriu shikon brenda vetvetes, e kupton dhe e zhvillon vehten, atëherë lumturia dhe ndjenja e përmbushjes është shumë më e thellë. Si rezultat i saj çdo gjë që bën pastaj është shumë më e lehtë, më interesante, unike dhe e përmbushur, për arsye se prezantojmë çdo gjë nga këndvështrimi unik i vetvehtes. Çdo njeri është unik dhe ka kapacitet të prezantojnë këndvështrimin e tyre, i cili nga Natyra është UNIK. Pra përqendrohu të njohësh vehten,  e pastaj ‘World is your Oyster’.

 Kristale: Çdo person është krijuar për të njëjtin qëllim? Mendoj se po, çdo qenie njerëzore duhet të ketë arsye për të jetuar. Jetët tona duhet të kenë një kuptim. Ne të gjithë jemi bërë për t’u ndjerë të dobishëm, të nevojshëm në një mënyrë, për të ndjerë dashuri. Jetët tona duhet të nënkuptojnë diçka. Të gjithë jemi krijuar për të qenë të dobishëm, të nevojshëm në një mënyrë, të ndjejmë dashuri dhe të jemi në gjendje që të japim dashuri. Qëllimi i jetës është një jetë me qëllim.

Gratë dhe burrat: jetojnë në botë të ndryshme?

Përparimi: Çfarë e shkakton këtë mospërputhje të botëkuptimit dhe kush ka të drejtë? Mendoj se çdo njeri jeton me botë të ndryshme. Kjo është bukuria e Natyrës. Çdo njeri është Unik. Ndarja në gra dhe burra mendoj se është një këndvështrim shumë i ngushtë dhe lë pas koloritetin e pafund të Natyrës. Gratë dhe Burrat. Homoseksualët dhe heteroseksualët. Me ngjyrë dhe të bardhë. Anglez dhe francez. Të pasur dhe të varfër. Ne dhe ata. Të gjitha këto seleksionime janë manifestime në nivelet sipërfaqësore të ndërgjegjes së njeriut, ku njeriu fillon të bëjë seleksionimin dhe të pozicionojë vehten në njërin apo tjetrin grup, dhe si rezultat shpresojmë të kuptojmë botën dhe të ngremë konfidencën tonë. Pra, kërkojmë nga struktura të jashtme të kuptojmë se kush jemi dhe kujt apo ku takojmë.  Kjo mënyrë e të menduarit ‘by default’ shkakton ngatërresa, pra vet struktura e pyetjes apo e të menduarit sipërfaqesor dhe mosnjohja dhe mostakimi i cilitdo njeriu me vehtvehten synon krijimin e strukturave të jashtme ndarëse me synim të menaxhimit të tyre dhe njohjes së vehtes në relacion me këto kontekste. Pastaj nëse ky njeri nuk ka takuar vehten së pari është i mangët në perceptimin e realitetit universal, për këtë arsye edhe vjen deri te mendimi se ndoshta gratë dhe burrat jetojnë në bote të ndryshme.  Ndërsa nëse hulumtojnë vehten nga brenda dhe njihemi me vehten do të kuptojmë se të gjithë jemi të njëjtës botë, vetëm se të gjithë reprezentohemi në mënyrë unike. Pra thelbësisht jemi Një, ndërsa sipërfaqësisht unik, e Kjo është bukuria e Natyrës të cilën  duhet ta festojmë.

Kristale: Ne sigurisht që i kemi dallimet tona, por megjithatë nuk ka dy njerëz të njëjtë. Ne komunikojmë, mendojmë, ndjejmë, perceptojmë, reagojmë, dashurojmë, kemi nevoja dhe vlerësojmë në mënyrat tona. Secili individ reagon ndaj stresit në mënyrë të ndryshme; secili prej nesh kemi motive të ndryshme; cikle emocionale; hormone; mënyrat përmes të cilave trupat tanë dhe mendjet tona punojnë, rrita jonë dhe familjet tona janë të gjitha unike. Këto dallime në shumë vende në botë janë më të dallueshme se në të tjerat. Në shumë vende grave u janë të mohuara të drejtat bazike të njeriut. Ende është çështja e pabarazisë në paga, pabarazia në shtëpi, shoqëri, tabutë shumë strikte sociale, keqtrajtimi, martesat ndërmjet fëmijëve apo të fëmijëve brenda vendeve në zhvillim ende mbeten të përhapura. Shumë vende kanë arritur shumë sa i përket të drejtave të njeriut. Ndjehem sikur e vetë-aktualizuar dhe e lirë në krahasim me gjyshen time, bazuar në ato që mi ka treguar, por edhe si grua e perëndimit dhe e lindur dhe rritur në Detroit kam mësuar të mbroj veten nga burrat të cilët besojnë se gratë janë të dobëta dhe të lëndueshme. Prindërit e mi më kanë mësuar të mbroj veten, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë këtë për mua. Në moshë të re kam mësuar për rëndësinë e një trupi të fuqishëm, vetëmbrojtjen dhe artet marciale. Derisa kam qenë studente në universitet, nëna më ka mësuar të bart sprej mbrojtës apo të mbaj çelësa apo ndonjë laps në dorë si kur më binte të eci deri në veturën time në parking të veturave në rast se do të sulmohesha. Disa nga shokët e mi meshkuj nuk e kuptonin nevojën për këtë, por në vend që të prisja një ndryshim kulturor derisa të ndjehesha e sigurt në një qytet të rrezikshëm, më duhej ta fuqizoja veten.

© 2016 Matteo Mencarelli, All Rights Reserved

Stereotipet negative gjinore.

 Përparimi: Të gjithë meshkujt janë të njëjtë, të gjitha femrat janë të njëjta.

 Kristale:  Stereotipet negative gjinore? Ka tepër shumë stereotipe për të cekur, nuk e di as ku të filloj. Është ajo që psikologët dhe shkencëtarët e përshkruajnë – si lehtësi e kategorizimit dhe stereotipizimit të njerëzve. Ne i japim gjini asaj që themi menjëherë pasi që ta mësojmë gjuhën. Seksizmi që e përdorim kohë pas kohe, për një moment bëhet fjalor yni i përditshëm, njerëzit flasin dhe mendojnë në mënyra seksiste për të cilat mund edhe të mos jenë të vetëdijshëm. Forcat e patriarkalizmit tentojnë të paraqesin vajzat si të dobëta, të varura dhe të kufizuara nga gjinia. Femrat definohen mjaft ngushtë si krijesa që lindin dhe ushqejnë, të cilat e identifikojnë veten e tyre në raport me marrëdhëniet e tyre. Sa i përket femrave mendoj se gjëja më e keqe është se ne “duhemi të nënshtrohemi’ dhe të bëjmë atë që na thuhet. Se duhet të evitojmë konfliktin. Për burrat mendoj se është më e keqja se ata të gjithë kanë mendjen me vetëm një shteg. Dhe tjetra është se ata janë vetjak dhe të interesuar vetëm në veten e tyre.

Personazhi apo heroi/heroina juaj në letërsi dhe pse?

Përparimi: Personi i cili përmbush parametrat e poezisë ‘If’ ose ‘Nëse’ të Rudyard Kipling.

Kristale: I kam lexuar shume tregime vajzës sime dhe heronjtë që më shfaqen menjëherë në mendjen time janë personazhet nga librat të cilët ia kam lexuar pikërisht asaj, personazhe që janë zotër të jetëve të tyre dhe të botëve të tyre, sikur që është Sara nga libri Një princeshë e vogël, e cila është edhe favoritja ime personale. Ajo i do shumë tregimet, dhe e përdor imagjinatën e saj për të mbijetuar kur i bie ndonjë fatkeqësi. Një tjetër personazh që më bie në mend është Roberto Benini në Jeta është e Bukur (Life is Beautiful), ku ai dhe djali i tij janë viktima të Hollokaustit, dhe ai përdor humorin dhe imagjinatën për të mbrojtur djalin e tij nga rreziqet e kampit. Heronjtë të cilët më tërheqin – në realitet dhe në fiksion – janë gjithmonë kreativ dhe të guximshëm, njerëz mirësia e të cilëve asnjëherë nuk dështon. Ata dashurojnë me fuqi dhe kanë balans të mirë ndërmjet të të qenit ëndërrimtar dhe veprues; ata kanë zemra të hapura dhe sens për humor.

admin

Artikujt e tjetrë