Letërsi

Aftësia e librave për të ushqyer shpirtin

mmm-2

Historia e një lexueseje pasionante, Hanushe Zeneli, është kaq e rrallë në revolucionin teknologjik…Me qindra romane janë pjesë e kujtesës së saj, dritaret për botën.

 Nga Brunilda Merko / Foto Beni Cufi

Sa libra keni lexuar në vitet e fundit? 50? 20? Një? Apo asnjë?  Duket se thënia, që librat janë diçka e vjetër, që nuk hyjnë më në punë, po rezulton e vërtetë! Shumë prej jush kanë shkuar në librarinë “Buzuku”, ku kanë gjetur aty shpesh një grua me flokë të thinjura, e cila përpiqet tu ndihmojë në atë kthinë përplot libra të ndryshëm. Pikërisht ajo është një nga lexueset më të mëdha që kam njohur…me dhjetëra libra në vit. Një pafundësi romanesh tashmë janë renditur në kujtesën e saj. Hanushe Zeneli është një fanatike e vërtet e librit, letrës…një kulturë që nga fëmijëria kur librat atëherë ishin të pakët, ajo kultivoi këtë dashuri të madhe, të cilën e ushqeu çdo ditë, me vepra nga autorë të ndryshëm. “Sigurisht që bëhet fjalë për një kohë tjetër, atëherë kur nuk kishte kaq shumë kafene apo rrjete sociale, libri mbetej argëtimi ynë më i madh. Kemi lexuar pafund atëherë…imagjinoni të njohësh botën nëpërmjet një libri. Shkrimtari ta përshkruan në detaje një vend, një kulturë, një histori…për shembull në 4 vëllimet e librit “Princesha”  e njoha aq shumë botën e femrës në Lindjen e Mesme.” Një horizont, që hapet përpara saj, paralelisht nënë, bashkëshorte dhe në punë, ajo njeh realitete, që janë shumë larg prej saj e megjithatë ajo bëhet një me personazhet. “Libri i fundit që kam lexuar dhe që më ka lënë shumë përshtypje është “Më thuaj kush jam”nga Julia Navarro, një nga romanet dramatikë, më të veçanta i bazuar në mbi jetën reale të një gruaje. Një dramë që sjell në kujtesën tonë, përjetime nga shekulli që lamë pas. Borgjeze dhe revolucionare, grua dhe dashnore, spiune dhe vrasëse, protagonistja së bashku me një galeri personazhesh të paharrueshme të cilat sjellin personazhin e këtij libri me një jetë të jashtëzakonshme. Një libër i bukur, të cilin ia kisha propozuar shumë grave ta lexojnë.” Një libër që është rreth 700 faqe, të cilën lexuesja jonë pasionante e ka lexuar për jo më shumë se një javë. larg rrjeteve sociale, informacioneve të cunguara, znj. Zeneli, këtë frymë leximi është përpjekur ta kultivojë edhe te fëmijët e vet. Larg joshjes teknologjike. Më pranë librit.

Librat rendisin suksesin tuaj!

Ne të gjithë jemi në kërkim të atij sekreti që mund të revolucionarizojë jetën tonë…kërkojmë të gjitha metodat, duke harruar kështu një realitet të thjeshtë: “Njerëzit e suksesshëm kanë zakon të bëjnë atë që njerëzit e zakonshëm nuk duan ta bëjnë.” Sipas statistikave shumica e burrave dhe grave të suksesshme janë lexues të pasionuar. Sipas Nju Jork Times, Steve Jobs kishte obsesion poetët angleze, William Blake në vendin e parë. Phil Knight, themelues i markës sportive Nike, e adhuronte aq shumë bibliotekën e tij, sa që të ftuarit detyroheshin ta vizitonin atë zbathur. Mos harroni Winston Churchill, kryeministrin britanik karizmatik gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili fitoi Çmimin Nobel, jo për Paqe (si shumë besojnë), por për letërsi. A jeni ende të bindur se njerëzit e suksesshëm gllabërojnë libra dhe njerëzit e zakonshëm, në vend të kësaj, janë gjithë kohës online?! “Te unë nuk ka dilemë, libri apo teknologjia, me kohë e kam zgjidhur atë! Ne kemi kaq shumë shembuj në botë se njerëzit e suksesshëm, janë ata që lexojnë në vazhdimësi, sipas profesionit, por që e kanë të pazëvendësueshëm librin!” Ndërsa çdo ditë e më shumë duket se betejat bëhen më të vështira për librin znj. Zeneli, gjen paqe në lexim. “Së pari gjej kënaqësi, qetësi…në këtë jetë dinamike që jetojmë është kaq e vështirë, atëherë unë marr një roman dhe largohem nga e gjithë kjo. Je më i dijshëm, më i përgatitur për jetën. Mëson gjithçka.” Ka një moto për ta ushqyer dashurinë ndaj librit, të lexuarit në përgjithësi: Lexo gjithçka që të zë dora, bëhu një sfungjer, i cili fshin çdo gjë që i del para!

admin

Artikujt e tjetrë