Kulturë

Artistja në kërkim të qetësisë brenda kaosit

mimoza-h-wild-woman-1

Nga: Bruna Merko

Vokal i mrekullueshëm, me nota të fuqishme muzikore dhe një videoklip, tw cilin më shumë mund ta cilësojmë si një performancë e nivelit të lartë artistik. Më në fund një vepër arti, e jo vetëm një këngë komerciale.  Artistja nga Prishtina, Mimoza Hajdini – Mimoza H, që tash e disa vite jeton në Montreal, sapo ka publikuar këngën “The Wild Woman”. Një album debutues me titull “Uproot”, që do të lansohet në tregun botëror në muajin shtator të këtij viti. Një projekt që  ka nisur para katër vitesh, i vetëfinancuar nga artistja.

mimoza-h-flowers

Montreali njihet si një vend i pasur për nga arti dhe kultura, prej ku vijnë bende të njohura botërore (Arcade Fire, Leonard Cohen, Half Moon Run, etj). Unë kam pasur fatin të takoj artistë të talentuar nga skena e muzikës lokale, muzikantë të njohur nga qyteti, të cilët vijnë secili me një prapavijë të muzikës si nga jazz-i, ashtu edhe nga alternativa, roku, e pop-i.” ,- shprehet Mimoza H, e cila disa prej këngëve i ka realizuar në bashkëpunim me artistë të tjerë dhe producentë të lamisë së muzikës kinematografike, për të sjellë një produkt të tillë të karakterizuar nga nj gërshetim stilesh dhe eksperimentesh.  “Miksimi është bërë në Los Angeles nga Mathias Schneeberger, i cili ka punuar me disa bende të njohura si Foo Fighters, Joseph Arthur, Queens of the Stone Age, Mark Lanegan, The Afghan Whigs. Masterizimi është kryer nga veterani nga Capitol Records që ndër tjerë ka punuar me artistë si: Red Hot Chili Peppers, Mazzy Star, The Vines, The Brian Jonestown Massacre, Pat Benatar, Islands, Sunn O). Producentë të albumit jemi unë dhe Stephane Lapointe.”

Muzika është një mënyrë komunikimi me te tjerët, një gjuhë universale  dhe një lloj deklarimi kulturor, etnik, politik apo individual. Mimoza tregon se në fillimet e saj, krijimet kanë lindur nga n jë nevojë dhe domosdoshmëri  ekzistenciale, duke pasur parasysh kalimin e saj nga një periudhë me peripeci të shumta, të cilat kanë ndikuar pozitivisht por edhe negativisht në shtegtimet e saj, duke u shkëputë e çrrënjosë nga një vend e mbjellë në tjetrin. Pikërisht këto lëvizje perpetuale kanë për bazë gjendjen e paqëndrueshmërisë dhe  në këtë mënyrë kanë krijuar një ndjenjë ankthi dhe frike, të cilat janë pjesë e pashkëputshme e jetës së artistes.

“Muzika, si dashnija ime e kahershme, më ka ndihmuar për tu shprehur dhe revoltuar, por edhe për ta kuptuar, pranuar dhe kapërcyer përkohësisht këtë betejë të vazhdueshme me frikën dhe vetveten. Kjo gjendje paradoksiale më shtyn të krijoj në mënyrë instinktive me një intensitet dhe emocion të ngarkuar në përpjekje për të gjetur një lloj qetësie brenda kaosit. Pra përpjekja për të gjetur një lloj balance mund të ndjehet në muzikën time. Komunikimi në këtë rast është vërtetë introspektiv, mirëpo sigurisht që mund të ndërlidhet në aspektin social. Ne si shoqëri dhe individë, flas në tërë botën, lindim, rritemi dhe jetojmë me frikë; frika për tu shprehur, frika nga paragjykimet, frika nga e panjohura, frika për të lëvizur lirshëm, frika për të krijuar  dhe kjo frikë pengon dhe na përgjysmon në jetë si dhe shkakton pakënaqësi, që pastaj reflektohen në mënyra të ndryshme në shoqëri dhe nuk lejon zhvillimin e mirëfilltë shpirtëror. Besoj se është e rëndësishme që të kthehemi nga vetja dhe të punojmë shumë për të njohur më shumë rrethanat tona individuale, për ta kuptuar më afër vetveten dhe ta duam vetën më shumë, që të mund ta pranojmë dhe duam tjetrin ashtu siç është, ngase secili prej nesh jemi të veçantë dhe pjesë, njësoj e rëndësishme e shoqërisë në tërësi.“

Megjithatë si ka ndikuar në zhvillimin artistik, vendlindja e saj,  Prishtina, Kosova, një pjesë e pandashme e artistes, aty ku ka mësuar tingujt e parë të muzikës.

“Kujtimet më të hershme i kam nga babai, i cili ka qenë një entuziast i madh i muzikës së mirëfillt shqipe dhe ai shpesh këndonte dhe dëgjonte këngëtarët kosovar si Luan Hajra, Skofiarët, Kosovarët, por edhe muzikën polifonike nga Shqipëria si dhe këngëtaret Eli Fara, Vaçe Zela, Parasqevi Simaku, etj. Si tinejxhere unë dëgjoja edhe Gjurmët, Vivien, Armend dhe Violeta Rexhepagiqin, grupin ODA, etj. Pastaj anova kah muzika alternative, koha e muzikës grunge e viteve te 90-ta, por dëgjoja sidomos artistet femra që krijonin një art dhe muzikë më specifike si Björk, Tori Amos, Kate Bush, PJ Harvey, Elizabeth Fraser, Lisa Gerrard, Annie Lennox, etj. Në kohën time sa u rrita në Prishtinë, gjendja ekonomike nuk na lejonte të kemi shumë luks, dhe kjo ka bërë që të zhvillojmë një kuriozitet të lartë dhe të gjejmë mënyra alternative për të përjetuar kënaqësi me shoqërinë time të ngushtë, ku shqyrtonim për rryma të ndryshme të muzikës më avant-garde. Shumë prej shokëve të mi më kanë iniciuar ne “cult” dhe muzikë jashtëzakonisht interesante.  Sigurisht që kjo përzierje e rrënjëve tona të muzikës shqiptare me atë botërore si dhe historia jonë etnike janë pjesë e pandashme në krijimet e mija. “

E zhvendosur në Kanada, Montreal, Mimoza duket se ka gjetur  “këndin” e duhur, duke vënë në zbatim atë brendësinë e saj krijuese dhe duke realizuar gjithçka që e ka pasur shumë kohë në mendje. Montreali është një qytet që siç thotë artistja, i hapi krahët dhe i mundësoi të “shpaketojë valixhet”. Projekti i saj iu parë i ka marrë plotë katër vite or ta realizuar dhe si artiste e pavarur ka pasur lirinë e plotë të sjellë një muzikë të tillë eksperimentuese, një projekt i realizuar me shumë dashuri nga ajo.  Një karrierë end enë hapat e parë, por që duket se ka filluar me intensitet dhe është vlerësuar shumë nga kritika e publiku. Së fundi Mimoza H është emëruar si “Artistja për tu vështruar në 2016”, nga kritiku i muzikës Frederic Lambert në Ici Radio-Kanada dhe kjo ka krijuar një interesim dhe parashikim të favorshëm në shoqërinë artistike dhe publikun e Quebekut dhe Kanadasë. Aktualisht Mimoza është duke punuar për të bërë një  “live show” të lansimit të albumit si dhe të bëjë një turne të vogël në Kanada . Krahas kësaj ëhstë duke bashkëpunuar me artistë të talentuar nga Montreali në lëminë e artit vizuel dhe artit përformues për të krijuar një “show”, që ka për qëllim t’i jap publikut një eksperiencë unike auditive dhe vizuale. Kjo parashihet të ndodh në shtator me rastin e lansimit të albumit.

admin

Artikujt e tjetrë