Kulturë

Kush e do Prishtinën, e di edhe pse nuk e pëlqen….

Një kronikë urbane përmes fotografisë dhe katër kritika konstruktive të njerëzve që e jetojnë çdo ditë kryeqytetin tonë, për të provuar të besojmë në një shpjegim sentimental.

 

Nga Jonida Balla

 

teuta

Dr.sc.Mr.Art. Teuta Jashari-Kajtazi, IDA

Duhet të jesh i lidhur dhe të marrësh frymë së bashku me qytetin tënd një kohë të gjatë, në mënyrë që të të jepet mundësia të mendosh me pozitivitet apo edhe negativitet për të. Kur thuhet kjo, mendohet për vitet apo periudhat, të cilat të bëjnë të ndihesh mirë, e poashtu edhe periudhat të cilat të shkëpusin nga kënaqësitë e të qenit pjesë përbërëse e qytetit. Prej momentit kur fillon ta shikosh qytetin tënd apo Prishtinën në aspektin profesional arkitektural, të bënë të gërshetosh anën emocionale personale me atë se çfarë bënë apo edhe mund të bëjë Arkitektura dhe lëmit e saj të ngushta për qytetin, moment ky kur së pari arkitektët duhet ta respektojnë veten dhe profesionin e tyre, dhe më pastaj të japin mundësinë të respektohen nga të tjerët. Janë ngjarjet e shumta përgjatë ciklit të zhvillimit të një qyteti, të cilat shkaktojnë ndryshime të atilla, dhe të cilat të bëjnë të mendosh ndonjëherë nëse ky është vërtetë qyteti në të cilin je rritur dhe vazhdon të jetosh! Këtu dallon elementi i të qenit vetëm Qytet apo edhe Kryeqytet, dhe këtë e them për faktin se epiteti i një Kryeqyteti ndër të tjera nënkupton prezencën dhe lëvizjen e banorëve nga vendbanimet e ndryshme, të cilët poashtu mendojnë ta gjejnë veten këtu! Kërkohet një rregull dhe qëndrueshmëri e veçantë, e cila do t’i mundësonte Prishtinës të funksionoj dhe të frymoj si duhet për të gjithë ne, që të vazhdojmë ta duam (nëse jemi këtu një kohë të gjatë), të mësohemi më të (nëse jemi të posa ardhur) dhe të kuptojmë se është prezantim dhe fytyrë e të gjithë neve! Të ecësh orëve të hershme të mëngjesit në pjesën qendrore, të bënë të ndihesh mirë në qytetin tënd, dhe mund të hasësh në pamje si kjo gjatë dimrit…., derisa Lulu’s është një nga lokalet që të jep mjaft ngrohtësi gjatë qëndrimit, përsëri në pjesën qendrore të qytetit, por izoluar nga “ngarkesat” (pa dashur të i nënvlerësoj ata të cilët kanë pëlqime të tjera).
Në mendimet e mia më sipër mund të lexohet edhe në mes të rreshtave, për të gjithë ata të cilët duan më në thelb të kuptojnë pëlqimin apo mos pëlqimin, kënaqësinë apo moskënaqësinë në raport me Qytetin tim dhe Kryeqytetin e të gjithëve!!!

 

Anita (2)
Anita Haradinaj

Prishtina është qyteti apo kryeqyteti më i bukur në botë. Nuk është metropol, nuk ka shumë hapësira të gjelbra. Nuk ka vendkalime për karroca bebesh, pavarësisht që ka karroca të shtrenjta Stokke! Nuk ka zhvillim ekonomik, por ka edhe milionerë! Nuk e ka shopingun më të bukur në botë pavarësisht, që femrat vishen dhe duken më bukur se në Hollywood! Vitrinat e dyqaneve janë të tëra me xhama të papastër dhe rrobat, që ekspozohen shpesh herë janë të pahekurosura mirë, pavarësisht që dyqanet e rrobave janë më të pëlqyerit pas super-marketeve, që janë më të nevojshmit sepse ne hamë shumë! Ka rroba kinezësh nga 2 euro të varura jashtë dyqaneve, që mund të ja kishin prishur bukurinë edhe Vjenës e lere më Prishtinës. Ka varfëri madje edhe të skajshme, ka fëmijë lypsarë. Ka shitës cigaresh në çdo cep. Ka kanalizime të shpërthyera, rrugë që edhe në verë rrinë të lagura për shkak të sistemit të keq të rënies së lirë të ujërave të zeza. Ka semaforë të pasinkronizuar mirë, që shkaktojnë tollovi të kalimtarëve në rrugë, por ka edhe kalimtarët më të paedukuar në botë, që kur janë në zebër bota është e tyre dhe kanë të drejtë të defilojnë me ngadalësinë e breshkës! Ka komunikacion të dendur, që ku të gjithë janë duke u ngutur për diku, por ka edhe kafenetë më të mira ku të gjithë ata që nguten në komunikacion i gjen tek pinë makiato, të qetë në kafene! Kemi makiaton, që mund të krenohemi dhe që e konkurron edhe Sturbucksin! Ka jetën e natës të njohur për shumë dinamikë dhe energji! Pothuajse të gjithë jemi të të njëjtit profesion, ka ekonomistë, juristë, mjekë dhe inxhinierë, por shumica janë të papunë, pavarësisht se tregut botëror për të cilin bëhemi gati ne në Prishtinë i duhen profesione të jashtëzakonshme! Nuk kemi njohës të vajit, naftës, inxhinierë të Digave, pilotë, ekspertë të ngrohjes globale, nuk kemi as kirurgë plastikë. Në Prishtinë kemi edhe stacionin e autobusëve prej nga ikin qytetarët e saj, por në Prishtinë kemi edhe optimistë, që rrinë pa bërë gjë dhe shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Kemi pjesëtarë të sistemit, por kemi edhe revolucionarë! Prishtina ndahet në dy epoka, atë të paraluftës dhe atë të pasluftës. Prishtina ka gjithçka prandaj është qyteti më i bukur në botë. Prishtinën e dua shumë sepse edhe në shekullin 21 ende ndalet rryma dhe uji, e ne i përkasim Evropianëve të Rinj. Prishtina ka divergjencat e saj, që e bëjnë atë kryeqytet të bukur dhe të dashur për banorët optimistë të kryeqytetit!

 

nitaaa

Nita Qena

Qytet që bihet në dashuri me shpirtin e tij, është fjalia që më së shpeshti e hasë kur flitet për Prishtinën, edhe unë pajtohem me këtë plotësisht. Prishtina ndoshta nuk është qytet I bukur, mirëpo është shumë autentik, ka shpirt edhe gjithmonë mikëpritës, natyrisht që të gjitha këto i bëjnë Prishtinasit. Pjesa dërrmuese e Prishtinës është ndërtu në shpejtësi, ndërtesat kryesore në qendër si Pallati I Rinisë dhe Sportit, Pallati i shtypit Rilindja (tash ndërtesa e Qeverisë), Biblioteka Kombëtare, etj, janë ndërtuar gjatë viteve të 60’a e 70’a, pas vendimit të ish-Jugosllavisë që Prishtina të bëhet kryeqytet i Kosovës në vitin 1947, kjo nguti edhe ka ndiku në shumë mangësi në planin urbanistik të qytetit, si rrugët e ngushta, hapësirë e pamjaftueshme gjelbërimi, gjë që më pengon shumë personalisht dhe mendoj që mundet të përmirësohet dukshëm me përkushtim më të madh, hapësirë e limituar për parking etj… pamvarësisht mangësive, secila nga këto ndërtesa e ka historinë e vet, dhe janë vula të kohërave të ndryshme. Dy gjana që për mua e bëjnë të veçantë Prishtinën janë: zani i sorrave gjatë muzgut, dhe NEWBORN-i, me të cilin jam e lidhur shumë emocionalisht pasi që kam qenë pjesë e ekipit realizues, dhe natyrisht për kuptimin që ka.

berati

Berat Miftari
Rrëmuja mbretëron në Prishtinë. Kështu ka qenë gjithnjë. Edhe kur fshatarët sillnin mallin e tyre për ta shitur anës Prishtevkes – Rekës siç i thoshim ne. Edhe kur ishim nën okupim dhe gjallëronim rrugicave dytësore e çajtoreve nëpër skuta të qytetit. Nuk është se dallon shumë as tani. Disa ecin me punët e tyre të përditshme – prej kafes në kafe, makiato, gazeta në smartphone e shoqëri. Një pjesë tjetër protestojnë me mllef në sheshin Nënë Tereza. Një pjesë tjetër diku bëhet gati për të hipur në autobusë për të ikur në Serbi e prej andej tutje … Është Prishtinë e rrëmujës e përplasjeve që mbretërojnë përherë në këtë qytet ku disponimi ndërron në punë orësh. Po është bërë shumë në Prishtinë në tërë këto vjet. Pothuajse përditë hapet një kafiteri e re, në një cep mbyllet një restorant në një tjetër mbin një i ri. Nganjëherë kur kaloj nëpër pjesë të caktuara të saj habitem me blloqet e reja të apartamenteve, të cilat nuk kanë fund. Është dinamikë komplekse e një qyteti që gjallëron – me tempon e vet – në një shtet që bëhet përditë në tranzicion. Të gjitha këto ndërtime, shtëpi, apartamente, rruge që shtrohen, e rrugë që zbulohen në vjeshtë për tu shtruar në verë kushtojnë para .. Këto para kanë mundësuar një transformim të jashtëzakonshëm nëpër këto vite të pasluftës. Dhe në këto momente duket sikur kanë rënë në qarkullim. Dhe njerëzit prapë janë në lëvizje. Për të mbledhur më shumë para. Për të bërë diçka më shumë … Pak ka rëndësi se kush e qeveris. Ky qytet ka një dinamikë asisoj që si të thuash e qeveris veten. Një pjesë e njerëzve këtu investojnë në pritje se do të bëhet mirë dhe e dinë se bëhet mirë. Një pjesë tjetër synojnë të ikin duke bartur me vete një dëshpërim po edhe ndjesi se poqese nuk gjejnë më mirë do të mund të kthehen sërish këtu – se megjithatë edhe në Kosovë e në Prishtinë sidomos nuk është aq keq. Dhe kësisoj jeta këtu vazhdon. Bëhet mirë për ata që kanë nerva – bëhet mbase mirë edhe për ata që s’kanë – këtu ose edhe diku tjetër … E kjo është ana konstruktive e të menduarit tim për Prishtinën.
Ana emocionale ka të bëjë me gjërat që disi janë humbur nëpër mjegull nëpër këto vite. Dikur në këtë pjesën e vjetër të Prishtinës ku kam lindur dhe jam rritur kishte pafund shtëpi të ndërtuara me lloç e qerpiç dhe nuk janë më. Kishte kovaçë. Nuk janë më. Kishte edhe lëkurëpunues, teneqexhi, kundraxhi, nallanexhi etj … Disa pjesë si ato të përpunuesit e lëkurave të kafshëve mbanin erë të tmerrshme. Por ishte megjithatë erë zanati që i thonë dhe sikur te gjithë e pranonin në heshtje këtë gjë. Kishte një lloj kompozicioni në zanatet e nduarndurshme që secili bënin dhe që përpiqeshin t’ua kalonin pasardhësve. Por kohëra të tjera kanë ardhur dhe zanatçinjtë tani përpiqen që t’i çojnë fëmijët në shkolla sepse zanati i tyre u duket joadekuat për kohën dhe të tërë synojnë t’ua ofrojnë fëmijëve të tyre atë që është model – shkollimin uniform që i mëson gjithçka dhe asgjë në të njëjtën kohë. Nuk e hetoj më as dyndjen e njerëzve që shiu i sillte të martave të pazarit e i shpërndante ngado anës së Prishtevkes, derisa unë me shokët e mi mundoheshim të gjenim një copëz vend për loje. Sot pazari i gjelbër vazhdon të jetë aty por ose duket se ka njerëz më pak ose duke u rritur jam mësuar me ndjenjën e turmës. Kjo Prishtevka ishte lum aq i ndotur sa s’ka. Kurrë nuk kisha parë ndonjë aksion për pastrimin e Prishtevkës në ato vite dhe kjo mbase do të ketë qenë e pafalshme. Aksioni i vetëm që mbaj mend ishte ai për mbylljen e Prishtevkës. Mirë apo keq – Reka mbetet në kujtime. Asfalti është realitet.

admin

Artikujt e tjetrë